19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

MASHT-i fton mësimdhënësit të fillojnë nesër mësimin

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit përmes një komunikate për medie ka ftuar të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga nesër, (e hënë, 5 shtator), t’i kthehen punës, duke filluar vitin e ri shkollor.

 

“E drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, andaj, konform përgjegjësive, secili duhet t’i përmbushë obligimet ligjore që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore. Kjo është në interesin më të mirë të fëmijëve”, thuhet në komunikatën e MASHTI-it.

Sipas MASHTI-it humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MAShTI-n dhe për gjithë shoqërinë.

“Kontributi i mësimdhënësve në arsim është i pazëvëndësueshëm. Në vitet më të vështira kur shkollat ishin mbyllur, mësimdhënësit nuk u ndalën duke vazhduar punën nëpër shtëpi-shkolla vetëm e vetëm që fëmijëve të mos u ndërpritej shkollimi. Ishin këto vitet e sakrificës, kur në kushte të okupimit, u mobilizua e gjithë popullata në vend dhe në diasporë për të siguruar paga modeste për mësimdhënësit”, thuhet në komunikatën e MASHTI-it.

Qeveria e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për inflacionin e lartë të shkaktuar nga faktorë që janë jashtë ndikimit tonë, tashmë ka ndarë një shtesë prej 50 eurosh në muaj për të gjithë zyrtarët publikë dhe besojmë se kjo është në kufijtë e mundësive aktuale në Republikën tonë.

“Në kushte të tilla, pezullimi i mëtutjeshëm i procesit mësimor paraqet shqetësim serioz dhe veprim me pasoja afatgjate për nxënësit e të gjitha grupmoshave”, thuhet në komunikatën e MASHTI-it.

Për më tepër, sipas Ministrisë së Arsimit ka indikacione se individë të caktuar nga hierarkitë politike apo të qeverisjes lokale, janë duke ushtruar presion të fuqishëm tek mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave për të mos e filluar puna.

“Kërkojmë nga të gjithë që të mos ndërhyjnë në vendimin e mësuesve. E drejta për të qenë në grevë, ose për të punuar, duhet t’i garantohet secilit. Për më shumë, ky presion është edhe i dënueshëm sipas legjislacionit në fuqi. Po ashtu, do të vlerësonim lartë në këtë moment përfshirjen e mekanizmave kompetent, autoriteteve publike, Avokatit të Popullit, OShC-ve, që në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave të veta të dalin me qendrime të qarta, propozime dhe rekomandime për balancimin e drejtë në mes të drejtave të palëve të përfshira në çështje, gjithnjë duke marrë parasysh rëndësinë e së drejtës në arsim që perfshinë rreth 320 mijë nxënës.
Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mesimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor”, thuhet ne komunikatën e MASHTI-it.

Më Shumë

Transporti falas për nxënësit e Dragashit

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar se transporti për nxënësit do të jetë falas edhe gjatë këtij viti shkollor. Ai ka shprehur...

Latifi: Policia ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga qeveria

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, me rastin e 25-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës ka vizituar stacionin e policisë në këtë komunë. Ai ka...

Lajmet e Fundit