Matilda ishte banorja që la shtëpinë e “Big Brother” të premten duke iu bashkuar Fatjonit, partnerit të saj që doli më herët e në krah të të cilit u shfaq edhe këtë të shtunë në “Big Brother Albania Fans Club” të drejtuar nga Albana Osmani.
Një natë më parë, Fatjoni braktisi spektaklin kur mësoi se ishte pikërisht bashkëshortja e tij ajo që duhej të linte shtëpinë. Ai argumentoi kështu gjestin e tij: “U nervozova jashtë mase. Nuk e prisja që Matilda të dilte sepse në shtëpi ka qenë ndër banorët më të mirë, një nga banoret më aktive dhe u mërzita shumë që doli jashtë”.
Të dy ata nisën si të panjohur aventurën në shtëpinë e Big Brother, por më vonë ‘u zbuluan’. Sa e vështirë ishte loja çift për ta?
“Ka qenë shumë e vështirë dhe akoma më shumë sepse në fillim jemi ndarë në cifte, që mua nuk më pëlqeu fare. Matildës iu ofrua një djalë. Unë jam xheloz dhe kur bëhem xheloz rri shtrirë, kështu e shpreh xhelozinë time”, tha Fatjoni.
Ndarja e banorëve në çift nga Big Brother në natën e parë të spektaklit, Matildës i vuri në krah Enkelejdin, për të cilin Mati, thotë se i është afruar shumë në ditët e para, para se të merrej vesh që ishte e martuar.
“Enkelejdi më afrohej shumë ditët e para. Me Fatjonin kuptohemi edhe pa shenja. Ka patur momente që më ka shprehur që ishte lojë shumë e vështirë”, rrëfen ajo.
Sa për ‘prekjen’ e shumëpërfolur me Xhulin, të ndodhur në ditën e dytë të spektaklit…
“Nuk ka qenë Fatjoni ai që i është afruar Xhulit, por Xhuli i është afruar Fatjonit dhe sa për prekjen, ai ka qenë në gjumë dhe ka menduar që ka gruan pranë”, thotë Mati.
Për opininistin e përhershëm të Fans Club, Olti Curri nuk ishte Matilda ajo që duhet të linte shtëpinë këtë javë.
“Para se të dilte Matilda kishim Lorin dhe Enkelejdin, që mund të dilnin pa na marrë malli shumë. Enkelejdi meritonte të dilte para Matildës, sepse Matilda ishte një nga femrat më personazh të këtij viti të Big Brother”, tha ai.
Jona ka qenë banorja me të cilën Mati është afruar më shumë, madje pas daljes së Fatjonit, aty dyja ishin të pandashme, pavarësisht përplasjeve të herëpashershme që kishin.
“Nuk e di se cfarë dhe si është dukur nga jashtë, por aty brënda Jona ishte i vetmi njeri që gjeja gjuhën e përbashkët”, thotë Matilda.
Arditi ka qenë banori me të cilin cifti i të martuarve ka patur ‘fërkimet’ më të mëdha aty brenda. Duke komentuar lidhjen ‘e zyrtarizuar’ gjatë spektaklit të së premtes mes tij dhe Julianës…
“Arditi e ka parë Julianën si motër. Si ka mundësi ndryshoi mendje tani? Lidhja e tyre është thjesht një lojë”, tha Fatjoni.
“Arditi për mua nuk është real aty brenda. Bën lojë me xhulin dhe nuk më duket histori e vërtetë. Duke njohur Arditin, nuk besoj që Xhuli është personi me të cilën Arditi do të lidhej, nisur nga ato që më ka thënë aty brenda në ditët e para”, shton Matilda.
Sa për kredinë e përfolur në media, Mati shprehet optimiste.
“Jemi të rinj dhe shyqyr Zotit kemi vitet përpara për të punuar dhe për ta shlyer atë”, tha ajo.
Ndërsa Fatjoni komentoi titujt e gazetave, mes të cilëve ishte edhe ai që vinte në gojën e tij fjalinë: Me Matildën na lidh dashuria dhe halli.
“Ne na lidh vetëm dashuria dhe jo hallet”, përgënjeshtroi ai.
Matilda iu rikthye miqësisë së saj me Jonën dhe, sipas saj ndryshimit me banorët e tjerë. Të akuzuar për thashetheme, Mati tha: “Ndryshimi mes meje dhe Jonës është se ne thonim, ‘po shkojmë të bëjmë thashetheme, ndërsa të tjerët nuk e thonin këtë, pavarësisht se edhe ata bënin thashetheme”.
Për Matildën, banorja që largohet këtë javë nga shtëpia është Lori, ndërsa Fatjoni shprehu dëshirën që të dilte Juliana për të parë reagimin e Arditit brenda shtëpisë.