Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe OJQ INPO, kanë organizuar të hënën në Ferizaj tryezën e pestë me radhë “Drejtësia në zgjedhjet parlamentare 2014”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.
Betim Musliu nga IKD, tha se qëllimi i kësaj tryeze ishte ngritja e debatit dhe sensibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet parlamentare 2014.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, Laura Pula, tha se Prokurori i Shtetit është shumë proaktiv, pasi ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe ka krijuar PSV. Ajo theksoi se parimi kryesor që del nga PSV-të është arrestimi dhe ndalimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit. Pula tha se janë caktuar mbi 100 prokuror dhe mbi 300 punonjës staf mbështetës në të gjithë territorin e Kosovës që së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që biesh ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Ajo ka inkurajuar të gjithë qytetarët, partitë politike dhe shoqërinë civile që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve në polici dhe prokurori, pasi siç tha ajo, institucionet e drejtësisë do të jenë kujdestar gjatë gjithë procesit zgjedhor për të garantuar se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që tentojnë të manipulojnë me votën e qytetarëve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Agron Qalaj, tha se kjo prokurori për zgjedhjet parlamentare do të ketë prokuror kujdestar, staf mbështetës dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës në çdo vend që përfshin Rajonin që mbulon Prokuroria Themelore e Ferizajit. “Të gjithë si asnjëherë deri tash do të jenë afër të gjitha zhvillimeve të procesit zgjedhor, për të reaguar me urgjencë në secilin rast që mund të paraqitet”. Ai tha se prokurorët do të punojnë ngushtë me policinë për të vepruar ndaj të gjithë keqpërdoruesve, në përputhje PSV-të që burojnë nga dispozitat ligjore, përmes të cilave do të sigurohet efikasitet i shtuar i policisë dhe prokurorëve.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se të gjithë duhet ta dinë se policia në bashkëpunim me prokurorët do të veprojnë me urgjencë për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate secilit keqpërdorim të zgjedhjeve. “Tashmë po besoj se partitë politike por edhe opinioni publik e ka kuptuar se nuk do të ketë pardon për askënd, duhet ta dinë të gjithë se veprimet do të jenë urgjente në përputhje me ligjin për të luftuar çdo manipulim me votat”. Rexha, tha se organet policore si gjithmonë edhe këtë herë kanë bërë përgatitjet e nevojshme për të siguruar procesin zgjedhor. “Policia e Kosovës edhe këtë herë ka analizuar përvojat e zgjedhjeve të kaluara dhe ka përgatitur planet e veprimit, të cilat do të mundësojnë një bashkëpunim të ngushtë me prokurorët, me të cilët si asnjëherë më parë do të sigurohet një zbatim efikas i PSV-ve”.
Kryetari i Gjykatës Themelore të Ferizajt, Bashkim Hyseni, tha se kjo gjykatë ka qenë e para që ka shqiptuar dënime me burgim efektiv për personat e akuzuar për keqpërdorimin e votave në zgjedhjet e vitit 2010. “Gjykata jonë përmes gjykatësve ka dhënë një shembull për këto raste, të cilat i ka gjykuar në mënyrë meritore dhe të drejtë karrshi shkeljeve dhe keqpërdorimeve që kanë bërë individët për rastet e zgjedhjeve në të kaluarën. Në këtë mënyrë besoj se arrihet qëllimi i dënimit”. Ai tha se Kodi Penal i Kosovës i ka ashpërsuar dënimet për veprat penale kundër të drejtave të votimit, duke i kategorizuar ato si krime të rënda, në një kapitull të veçantë.
Xhemail Peçani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se KQZ përkundër kohës së shkurtër për organizimin e këtyre zgjedhjeve ka arritur që të përmbush të gjitha detyrimet ligjore, duke bërë gati të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve me 8 qershor.
Mulë Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, tha se ky institucion ka kapacitete për të përballuar fluksin e ankesave që mund të vijnë në lidhje me zgjedhjet parlamentare 2014.
Genc Nimoni nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se ky institut do të ketë 40 monitorues, të cilët do të monitorojnë aktivitetet e institucioneve të drejtësisë, përkatësisht Policisë dhe Prokurorisë për të parë reagimet e tyre në secilin rast ku ka informacione se po kryhet ndonjëra prej 11 veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Pjesëmarrësit tjerë në tryezën e diskutimeve, që ishin përfaqësues nga partitë politike dhe kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës, drejtorët e shkollave njëherësh menaxherët e vendvotimeve, shoqëria civile dhe mediat ishte shumë aktiv për tu informuar me rolin e institucioneve të drejtësisë. Njëherësh ata ngritën disa shqetësime në lidhje me pastrimin e listës së votuesve, menaxherët e vendvotimeve, problemet e Rajonit të Ferizajt me thirrjet telefonike në numrin e Policisë së Kosovës 192, inicimin e rasteve edhe para ditës së votimit, çështjen e sigurisë në Qendrën për Numërim dhe Rezultate etj.
Ky aktivitet është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryezat e radhës do të mbahen në Mitrovicë, Graçanicë dhe Prishtinë. /PrizrenPress.com/