3.8 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

Mbreti që la pa mend audiencën sovjetike

Bota e muzikës ka humbur një nga personalitetet më të mëdha të të gjitha kohërave më 14 maj – “mbretin e blues-it” B.B. King.

Adhuruesit në gjithë botën vajtojnë vdekjen e tij, por në Rusi dhe vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, ikja e tij ndjehet ndryshe.

Mbreti ka vdekur në gjumë në shtëpinë e tij në Las Vegas. Ka qenë 89 vjeç dhe ka pasur probleme me shëndetin gjatë vitit të kaluar.

Në fillim të vitit 1979, ai ka bërë një turne në ish-Bashkimin Sovjetik, duke ndaluar në Moskë, Shën Petersburg, apo Leningradin e atëhershëm, pastaj Baku, Jerevan dhe Tbilisi. Ai ka qenë artisti i parë i madh R&B që ka mbajtur koncert në Bashkimin Sovjetik.

B.B. King ka qenë shumë mirë i njohur me hitin e vitit 1969 “The Thrill is Gone”, por karriera e tij si këngëtar dhe kitarist është shtrirë në shtatë dekada. Ai ka frymëzuar brezin e muzikantëve kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë: Eric Clapton, Otis Rush, Jimi Hendrix dhe Keith Richards.

Andrei Malarevich, themelues i rock-grupit legjendar rus “Mashina Vremeni”, thotë se B.B. King ka pasur ndikim të madh te të gjithë muzikantët rusë dhe sovjetikë të blues-it.

Makarevich thotë se ka qenë me fat që ka ndjekur një performancë të Kingut në Shën Petersburg. Ai tregon se ka incizuar fshehurazi koncertin, në kohën kur shumica e muzikës perëndimore është censuruar nga sovjetikët ose ka qenë thjesht e padisponueshme.

Makarevich thotë se ai dhe muzikantët e tjerë rusë kanë mbetur pa mend nga “prania elektrike” e Kingut në skenë.

“Kur shihni një interpretues live, ju ndjeni energjinë e tij, është krejtësisht ndryshe”, thotë Makarevich.

Turneu i vitit 1979 ishte organizuar si pjesë e Programit të Shkëmbimeve Kulturore të Departamentit amerikan të Shtetit. Ideja ka qenë që të paraqitet një pjesë e kulturës amerikane, për të cilën audienca sovjetike mund të mos ketë dëgjuar kurrë.

Pala sovjetike është marrë me logjistikën dhe promovimin e turneut, ndërsa Kingun e ka paguar me një shumë modeste të rublave. King ka thënë më vonë se pagesa ka qenë në rregull, edhe pse ajo nuk ka qenë primare në mendjen e tij, kur ka vendosur të shkojë në turne.

Në një intervistë në korrik të vitit 1979, Mbreti është shprehur shumë entuziast me turneun, e sidomos reagimin nga audienca.

“Gjëja që vërtet më ka impresionuar ka qenë ndjenja e audiencës për muzikën blues – njësoj sikurse në Britani dhe në Evropë në përgjithësi”, ka thënë B.B. King.

Sipas tij, turneu ka dëshmuar se muzika është emërues ndërkombëtar për bashkimin e njerëzve të të gjitha racave, besimeve dhe ngjyrave.

Mbreti ka lindur si Riley B. King në një fermë pranë Misisipit dhe si djalë i ri ka mbledhur pambuk. Ai ka nisur të këndojë në radio, me një kuartet të krishterë. /REL/

Më Shumë

Lajmet e Fundit