Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një njoftimi zyrtar ka dhënë lajmin për formimin e grupit Konsultativ për Sportin, në të cilin janë të përfshirë 10 profesionistë, shkruan KultPlus.
Çeku njofton se ka nisur hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Sportit, ndërsa së shpejti pritet të nisë edhe rishikimi i Ligjit për Sportin.
Postimi i plotë:
“Kemi hyrë në vitin më sfidues të mandatit në fushën e sportit. Ka nisur hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillimit e Sportit, ndërsa së shpejti nisë rishikimi i Ligjit për Sportin. Brenda pak ditësh hyn në fuqi Udhëzimi Administrativ për licensimin e federatave, proces që do të zbatohet muajve në vijim. Pas disa projekteve të suksesshme, jemi në finalizim të programit për masivizimin e sportit, me fokus te fëmijët dhe të rinjtë. Do të bëjmë zgjidhje për projektet e infrastrukturës sportive që kanë histori të palavdishme, ndërsa do t’i nisim projektet e reja shumë të nevojshme. Krahas rritjes së mbështetjes financiare për federatat e sportit, jemi duke e zhvilluar modelin për financim të qëndrueshëm të klubeve të sportit.
Për zbatimin e këtij plani sfidues i kemi mobilizuar të gjitha kapacitetet tona të brendshme, po punojmë në partneritet të ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës, ministritë përkatëse të linjës, federatat e sportit, profesionistët e Kosovës dhe ata të jashtëm. Për t’i shtuar kapacitetet zbatuese, sot kemi themeluar Grupin Konsultativ për Sportin, që në përbërje ka profesionistë të dëshmuar të sportit. Mandati i anëtarëve të këtij Grupi, veç tjerash është të këshillojnë Ministrin e Sportit dhe të mbikëqyrin zbatimin e politikave dhe programeve për zhvillimin e sportit”.
Grupi Konsultativ për Sportin përbëhet nga:
1. Edmond Azemi, Drejtor sportiv në KB Prishtina
2. Uta Ibrahimi, Alpiniste
3. Bylbyl Sokoli, Profesor universitar, njohës i futbollit
4. Jeton Oruqi, Nën-kryetar i Federatës së Ping-pongut të Kosovës
5. Agon Fehmiu, Gazetar i sportit
6. Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paralimpik të Kosovës
7. Nazmi Paqarada, Njohës i basketbollit, ish Sekretar i Përgjithshëm në FBK
8. Besim Aliti, Sekretar i Përgjithshëm në Komitetin Olimpik të Kosovës
9. Besnik Thaqi, Nën-kryetar i Federatës E-Sports Kosova
10. Resmije Juniku, veterane e sportit, ish basketbolliste dhe trajnere /KultPlus.com