17.7 C
Prizren
E martë, 5 Gusht, 2025

Në besën e labit

Besa është një dukuri me natyrë universale dhe etno–morale e juridike për të gjithë popujt e lashtësisë, por dhe për bashkësitë mesjetare. Besa e ka zanafillën në rrënjët e të parëve tanë. Ajo i përket një kohe kur bota nuk ishte ndarë në të pasur e të varfër dhe nuk ishin krijuar formacionet e para shtetërore. Besa u formua me krijimin e shoqërisë njerëzore. Ajo mbështetej tek fjala e dhënë, e cila, sipas mendësisë së besimeve të lashta, ishte akt hyjnor dhe i pakthyeshëm.

Kthimi i fjalës së dhënë dënohej ashpër, jo vetëm në aspektin shoqëror, por dhe moral. Sipas besimeve të lashta, nëse thyhej fjala e dhënë, ndodhnin fatkeqësi të mëdha natyrore. Njerëzit që thyenin fjalën e dhënë shikoheshin me përbuzje dhe përçmim në shoqëri. Me lindjen e klasave shoqërore besa u kthye në veprim juridik. Pra, ata që thyenin këtë veprim të shenjtë dënoheshin dhe në aspektin institucional.

Sipas Prof.Dr Elezit, për arsye ekonomike dhe shoqërore, besa zuri vend thellë në psikologjinë dhe ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare. Fjala e dhënë duhej të mbahej e të zbatohej dhe me jetë, sepse ishte fjala e nderit. Të gjitha kuvendet që mbaheshin në kohët e mëparshme mbaronin me shprehjen besa-besë. Besa përbënte rregullatorin në marrëdhëniet midis banorëve dhe në ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm mes zonave që përbënin krahinën. Mbajtja e fjalës së dhënë ishte një detyrim që duhej mbajtur me çdo kusht. Sipas profesorit, nuk do kishte kuptim të mos mbahej, sepse këtu hynte burrëria, nderi dhe trimëria. Dhe ky koncept edukohej në familjen e çdo labi që në vogëli. Aq i rrënjosur ishte ky koncept sa ata që thyenin fjalën e dhënë quheshin tradhtarë dhe u mbetej njolla e turpit për gjithë jetën.

Prerja e mikut në besë, ishte fyerja më e madhe që mund t’i bëhej një individi. Sipas traditës, mik quhej çdokush që shkelte derën e shtëpisë, duke filluar nga njeriu më i zakonshëm deri tek personat me rëndësi. Në rast se miku kallzohej dhe vritej, atëherë familja hynte në gjak. Sipas normave të kanunit, thuhej se ”jeta e mysafirit vlente sa dyzet gjaqe”.

Rëndësi të veçantë për Kanunin e Labërisë ishte dhënia e besës për çështje kombëtare. Në rastet kur Labëria kërcënohej nga ndonjë sulm armik, të gjithë fshatrat midis tyre lidheshin me besa-besë për t’u mbrojtur nga sulmet armike. Në këto raste liheshin mënjanë hasmëritë dhe kontradiktat me qëllim që armikun ta përballonin të gjithë së bashku.

Të gjitha kuvendet përfundonin me vendimin e lidhjes së besës. Ky ishte çasti më solemn i kuvendeve. Ai shoqërohej me rite pagane në fillim, siç ishte shtrëngimi i duarve, betimi mbi një gur, betimi mbi kordha e jataganë, shkuarja e një monedhe metalike nëpër gojë etj. Me futjen e besimeve fetare, riteve pagane iu shtuan betime të tjera. Besa lidhej zakonisht në kisha mbi libra të shenjtë mbi kryq e mbi ungjill. Me përhapjen e myslimanizmit në Labëri u shtua dhe besimi mbi kuran.

Më Shumë

Kallëzim penale për dëmtimin e shtatores së Skënderbeut në Prizren

Shoqata “Lekë Dukagjini” – Shpenadi ka paraqitur një kallëzim  penale në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ndaj personave të panjohur, për shkak të dëmtimit dhe...

Takim i veçantë mes dy ikonave: Shqipe Kastrati dhe Shyhrete Behluli

Këngëtarja e njohur Shqipe Kastrati ndau në rrjetet sociale një moment të veçantë me kolegen dhe mikeshën e saj, Shyhrete Behluli, raporton PrizrenPress. Në postimin...

Lajmet e Fundit