0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Në prag të heqjes së vizave, rritet interesimi i serbëve lokalë për pajisje me pasaportë të Kosovës

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë është rritur kërkesa për pasaportën e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Interesi është veçanërisht i dukshëm në komunat në veri të vendit.

Në periudhën nga 1 janari 2023 deri më 30 korrik 2023, numri i kërkesave për pasaportë të Kosovës është rritur për 97% në Leposaviq krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Më shumë se 50% më shumë interesim është shënuar në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Pse është rritur interesimi?

Disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, të cilët janë intervistuar nga ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL), thonë se janë të interesuar të pajisen me pasaporta në mënyrë që nga 1 janari i vitit të ardhshëm të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së që janë në zonën Shengen.

Një nga arsyet për një gjë të tillë, thonë ata, është se janë të përjashtuar nga regjimi pa viza të Serbisë, pra nuk munden dhe nuk do të mund të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen me pasaportat e lëshuara nga Serbia.

Kështu, Jellena nga Graçanica, komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës, thotë se këtë javë do të shkojë të marrë pasaportën e Kosovës në mënyrë që të mund të udhëtojë lirshëm në vendet e zonës Shengen.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kjo njëzet e pesë vjeçare thotë se do të jetë pasaporta e saj e parë.

“Nuk më duhej deri tani, kur nuk mund të udhëtoja pa vizë dhe nuk kisha nerva të prisja në radhë para ambasadave”, thotë ajo.

Në prill të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kjo e rriti vlerën e pasaportës së Kosovës për disa pjesëtarë të komunitetit serb.

Në mesin e tyre është edhe Vllada nga Graçanica. Ai thotë se pasaportën e Kosovës e ka marrë rreth njëzet ditë më parë dhe shton se tashmë ka planifikuar një udhëtim në Portugali në mes të janarit të vitit të ardhshëm.

 

 

Edhe serbët e veriut “nuk kanë asgjë kundër” pasaportës së Kosovës

Mirjana nga Mitrovica e Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nuk ka pasaportë të Kosovës, por shton se po mendon ta marrë një të tillë.

“Të jem e sinqertë, nëse kjo (pasaporta e Kosovës) e bën të mundur dhe e bën më të lehtë udhëtimin, pse jo? Të gjithë e dimë se me çfarë përballen qytetarët e Kosovës kur bëhet fjalë për udhëtime, ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese”, thotë Mirjana.

Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë.

Regjimi pa viza nuk vlen për pasaportat e tilla, pra serbët nga Kosova me pasaportë serbe nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa vizë.

Po ashtu, në prill të këtij viti, KE-ja ka theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Për këtë arsye, Aleksandra nga Mitrovica Veriore planifikon të marrë pasaportën e Kosovës, në mënyrë që të mund të udhëtojë lirshëm nga 1 janari 2024.

“Mendoj se duhet ta bëj sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët ka bërë të ditur se janë duke punuar në gjetjen e zgjidhjes për ata pjesëtarë të komunitetit serb që nuk duan të marrin pasaportën e Kosovës.

“Ne kemi kohë deri më 1 janar për ta zgjidhur atë problem dhe besoj se do ta zgjidhim atë problem”, tha Vuçiq.

Kosova nuk i njeh pasaportat e Administratës Koordinuese të Serbisë sepse i konsideron ato të lëshuara nga “institucione paralele ilegale”.

Fushata e Qeverisë së Kosovës në zona serbe

Qeveria e Kosovës në fillim të tetorit ka nisur fushatën për liberalizimin e regjimit të vizave, në kuadër të së cilës qytetarët informohen se sa kohë mund të qëndrojnë në vendet e zonës Shengen, çfarë dokumentacioni u nevojitet, cilat janë pasojat nëse ata thyejnë rregullat, dhe të ngjashme.

Një fushatë e tillë është mbajtur edhe në Graçanicë më 24 tetor, ndërsa deri në mes të nëntorit duhet të mbahet edhe në komunat tjera me shumicë serbe, duke përfshirë edhe ato në veri të Kosovës.

Megjithatë, Zyra e Komisionarit për Gjuhët, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, ka paralajmëruar se gjatë kësaj fushate duhet respektuar dygjuhësia e plotë.

Përveç shqipes, në Kosovë është në përdorim zyrtar edhe gjuha serbe. Zyra e Komisionarit ka thënë se gjatë fushatës informuese për liberalizimin e vizave në Graçanicë është vendosur një billbord me informacione të përgjithshme vetëm në gjuhën shqipe.

Gëzim Dushi, zyrtar për media në Qeverinë e Kosovës, tha se fushata po zbatohet në gjithë territorin e Kosovës dhe se po shpërndahen fletushka në gjuhën serbe dhe angleze. Nuk specifikohet pse informacioni në billbord nuk është i shkruar në të dyja gjuhët zyrtare.

Dushi vlerësoi se njerëzit kryesisht ishin të informuar për rregullat e regjimit pa viza.

“Ajo që kemi vënë re te qytetarët është se ka një interesim të madh për të udhëtuar nëpër Evropë. Ata duan të marrin më shumë informacion, që të mos ketë pengesa apo ndalesa gjatë udhëtimit”, tha ai.

Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave

Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë regjim vizash që nga dhjetori i vitit 2009 dhe Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina kaluan në të ashtuquajturën listë të bardhë Shengen në dhjetor të 2010-s.

Procesi i liberalizimit me Kosovën ka zgjatur më së shumti në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2018, Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Kosova i plotësonte të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por disa shtete anëtare të BE-së e bllokuan procesin.

Më në fund, më 18 prill 2022, Parlamenti Evropian miratoi një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën, me të cilin përfundoi të gjitha procedurat përkatëse të vendimmarrjes. Në përputhje me tekstin e dakorduar të vendimit, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shengen nga 1 janari 2024.

Më Shumë

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri për Lojërat Mesdhetare 2030

Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama në emër të qeverive respektive nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e Lojërave...

Sot vranët dhe intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. IHK njofton se në mëngjes...

Lajmet e Fundit