Policia në Prizren ka arrestuar disa persona për gjuajtje me armë të zjarrit. Zëdhënësi i PK-së, Hazir Berisha tha se pas arrestimit lënda e të dyshuarëve ka kaluar në Prokurorinë Themelore në Prizren.
“Me datën 7 janar, rreth orës 13:00, Policia në Prizren ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në fshatin Billushë, gjatë një ahengu familjar një ditë më parë, një qytetar kishte shkrehur disa fishekë nga arma pushkë gjysmë automatike me ç’rast kishte shkaktuar rrezik të përgjithshëm”
“Ndërkaq pasi policia ka kërkuar nga i dyshuari armën, i njëjti pa kundërshtim ia ka dorëzuar policisë një armë zjarri me numër serik B 2757. Në konsultim me prokurorin rasti i kalon prokurorisë sipas procedurës së rregullt”
“Po ashtu me datën 06 janar, rreth orës 01:00 minuta, para restorantit “Paradiso” që gjendet në rrugën “Tahir Sinani” janë dëgjuar krisma nga arma. Reagimi policor ka qenë i menjëhershëm dhe pas një shkëmbimi të informacioneve me policë të Nën Stacionit Policor në Zhur, është bërë i mundur arrestimi i dy të dyshuarve të cilët pasi kishin shtënë në ajër, me një automjet mercedes kishin ikur në drejtim të Zhurit. Në këtë rast është konfiskuar një pistoletë e llojit “Ekol Special 99” kalibri 9 mm me tre fishekë”.
“Ndërkaq, në Lladraviq të Malishevës është hasur një i dyshuar që kishte dalë në gjueti në kundërshtim me ligjin të cilit i është sekuestruar arma e gjahut dhe ndaj të njëjtit është iniciuar rasti penal. Po ashtu edhe në fshatin Celinë të Rahavecit, dy gjahtarëve nga Rogova u janë sekuestruar dy armë të gjahut me 33 fishekë pasi të njëjtit janë hasur nga roja e gjahut duke gjahtuar ilegalisht “.
Zëdhënësi Hazir Berisha, po ashtu njoftoi se policia ka arrestuar dy persona edhe për dhunë familjare.
“Për ushtrim të dhunës në familje janë arrestuar dy persona të gjinisë mashkullore në dy raste të ndara, njëri në Spoijë të Suharekës, ndërsa tjetri në Rahavec. Dy të arrestuarit po mbahen në ambientet mbajtëse te policisë”./PrizrenPress.com/