Projekti i nënkalimit të qytetit, teleferiku për në Kalanë e Prizrenit, një mijë e 200 parkingje të reja e fshatrat turistikë u tha se janë premtimet që nuk janë përmbushur nga kryetari i kësaj komune.
Kështu të paktën deklaruan nga opozita në këtë qytet, Lëvizja Vetëvendosje, ku e cilësuan si të dështuar qeverisjen lokale.
E pas këtyre deklarimeve të tyre, kanë reaguar nga kabineti i kryetarit, Shaqir Totaj.
Nënkryetari i Komunës, Kujtim Gashi thotë se tashmë kanë marrë veprime konkrete drejt realizimit të këtyre projekteve dhe se 90 për qind prej tyre janë realizuar.
“E kemi shpronësuar objektin i cili ka qenë pengesë për fillimin e këtij projekti dhe unë e ftoj opozitën me marrë pjesë tash pas disa ditësh kur e bëjmë rrënimin e këtij objekti dhe fillimin e fazës së parë të realizimit të këtij projekti. Tani te diskutimet se a do të ketë nënkalim apo zgjerim të rrugëve këto janë çështje të ekspertëve dhe ne ende nuk e kemi përfunduar dhe jemi duke e bërë një studim i cili do të na tregoj se cili është opsioni më i mirë a të kemi nënkalimi apo zgjerim të rrugëve”, ka thënë Gashi.
Opozita ka pasur kritika edhe për punimet që janë kryer që sipas tyre, nuk janë realizuar në formën e duhur.
Për këto, Gashi ka një përgjigje për opozitarët në Prizren.
“Ne në Komunën e Prizrenit kemi vetëm një projekt i cili pas shtruarjes së pjesës së parë është dëmtuar dhe e kemi detyruar kompaninë me largu komplet asfaltin e shtruar dhe ka vendosë asfalt të ri dhe pas pranimit teknik kanë filluar të bëhen pagesat. Ndërkohë, opozita duke mos pasur ndonjë argument faktik për me iu kundërvu edhe kryetarit Totaj edhe gjithë ekipit mundohet të merret me ndonjë cikrrim si kubëza, rrugica, jo cilësia, jo nuk po realizohet konform rregullave”, thotë ai.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, mandatin e ka marrë në dhjetor të vitit 2021, dhe në janar të vitit 2022 ka emëruar drejtorët e Ekzekutivit lokal./tëvë1
Marketing