2.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nga ditari im i pasluftës …

AdnanAbrashiShkruan: Adnan Abrashi

(Për enciklopedistët dhe uniniversalistët e qytetit tim)

E dija se Prizreni është qytet historik pranë Lumbardhit gjarpëror si dhe bukuroshja e gjithë Arbërisë. Po ashtu, e dija se Prizrenin si qytet e identifikojnë edhe shumë karakteristika tjera specifike që e dallojnë nga vendet tjera të Kosovës, si bie fjala: maniret e sjelljes aristokrate, traditat e shumta të shënimit të ceremonive të ndryshme, esnaifia, nga pak edhe koprracia, shqiptarët që mendojnë turqisht e flasin shqip…etj. Gjersa isha në vitet e para të gjimnazit, të them sinqerisht, i lakmoja, por edhe i smiroja disa persona të qytetit tim, të cilët ishin përplot “talent” dhe elan të pashoq, për të qenë të përfaqësuar në çdo vend. Ata, me prezencën e tyre, imponoheshin kudo dhe ishin përherë në qendër të vëmendjes. Unë i quajta “enciklopedistë” apo “universalitë”. Hapej një shkollë, një klub letrar, manifestim sportiv, apo organizohej ndonjë veprimtari tjetër kulturore-artistike, dhe ata ishin gjithnjë aty. Propozoheshin mes vete dhe zgjidheshin kryetar, sekretar, anëtarë të kryesisë, shpalleshin poetë më të mirë, gazetarë më të shquar…etj.

“S’ke se çfarë të bësh”- i jepja unë gajret vetes – “Ata publikisht ishin promovuar si talentë dhe bartës të të gjitha aktiviteteve të qytetit tim”. E, unë, me dyshimet e mia në vetvete dhe i mbushur përplot komplekse, nuk më mbetej gjë tjetër, veçse ta mallkoja veten pse nuk kam qëlluar aty afër, kur Zoti u ka ndarë njerëzve talentet!

E tëra kjo, aspak s’do të ishte interesante, sikur “univerzalistët” dhe “enciklopedistët” e mi nuk i hasa edhe në një veprimtari pak sa më serioze dhe më të komplikuar për nivelin e tyre intelektual – POLITIK. Ata, atëbotë, edhe në këtë sferë ishin kudo! Në LKJ-të, LSPP-të, LRS-të, LS-të, e sa e sa “lidhjeve” tjera të asaj kohe. Ishin prezent kudo, dhe dukej sikurse qyteti i Prizrenit nuk kishte njerëz dhe kuadro tjerë të aftë!

Vitet kalonin. Çdo gjë ndryshonte me të shpejtë. Armiku ynë i përbetuar më në fund hoqi maskat dhe tregoi fytyrën e vet të vërtetë. Populli im, nga një pushtim i heshtur aktiv, ra në një robëri mesjetare. Diskriminimet dhe segregacioni dukeshin në çdo pore të jetës.

Inteligjence jonë kudo poshtërohej. Mijëra e mijëra njerëz të mbetur pa punë. Shpirti i këtij populli – universiteti dhe arsimi, u goditën ashpër deri në zhdukje. Errësirë totale për një populli të lashtë dhe madhështor. Vetë momenti impononte se duhet të fillojë një epokë e re e mobilizimit të masave për një rezistencë popullore.

Eureka! Brohorita!

Më në fund i erdhi fundi “enciklopedistëve” dhe “universalistëve” të mi.
Mendova:” Gjatë këtyre sfidave të shumta që na prisnin në të ardhmen, do të na nevojiten njerëz të sinqertë, të mençur, të urtë dhe të aftë për profesionin e tyre, e jo si dikur, me ata “enciklopedistë” dhe “universalistë” që mendojnë se dinë çdo gjë”.

Merreni me mend se sa isha zhgënjyer?!

Përsëri, edhe në kohën e rezistencës sonë të”famshme paqësore”, sërish, të gjitha aktiviteteve u prinin “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi të njohur. Ata, përsëri ishin kudo në aktivitetet e institucioneve të pushtetit të krijuar paralel. Bile, i kishin edhe lokalet e veta ku takoheshin. Madje, ishte bërë shprehi që secili që e konsideronte veten nga pak intelektual, preferohej që të duket në këto lokale dhe të shihej ndonjëherë në shoqëri të tyre. Vaj hallin për cilindo individ, që me vetiniciativë dhe pa dijen e këtyre “daive”, tentonte të ndërmerrte diçka. E priste dënimi i ditur dhe i pashmangshëm: diskreditimi total përmes metodës tanimë të dëshmuar praktike – asaj të “THASHETHEMEVE”.

Në anën tjetër, situata politike në vend, dita-ditës tensionohej. Filluan protestat e mëdha popullore, në skenë doli UÇK-ja, e cila, e vetmja filloi të na ngjallte shpresën e një çlirimi të afërt që veç kishte filluar të na duket nga pak në horizont.

Më pas, si rrjedhojë e vazhdimësisë së kohës, erdhën bombardimet, NATO-ja, dhe më në fund kapitullimi i armikes sonë të përbetuar.

Me flamurin kombëtar në ballë, formacionet legjendare ushtarake të UÇK-së, veç ishin në Prizren. Në Prizrenin tim të çliruar. I kapluar nga gëzimi dhe entuziazmi i pa përshkruar i këtij çasti historik, kot kërkoja në mesin e këtyre të rinjve trima dhe krenarë, ndonjë nga “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi! Nuk e pashë asnjërin. Nuk i pashë, sepse ata nuk ishin aty. Ende nuk ishin kthyer nga Shqipëria…!”

Kjo storie e prezantuar e kohës sikur aspak nuk ndryshon edhe sot. Në të gjitha vendet më me përgjegjësi dhe të paguara më së miri, kudo mund t’i hasësh sërish ata: “enciklopedistët” dhe “univerzalistët” e mi të mëparshëm. Vërtetë edhe sot ata janë kudo dhe në çdo vend: në strukturat e shumë degëve të partive politike, deputetë, udhëheqës të firmave më rentabile tender-përfituese, kuptohet nëse jo vetë si aq të eksponuar, padukshëm janë të përfaqësuar përmes fëmijëve, grave, dhe familjarëve të tyre që i kanë të punësuar veçanërisht nëpër vende pune të paguara më së miri, sikurse janë, ta zëmë, bankat komerciale, fondacionet e ndryshme ndërkombëtare, si anëtar në ndonjë bord të ndërmarrjeve publike etj.

“Dynja, hee… dynja” – thotë populli.
“O tempora, o mores” – thonë latinët e vjetër.
Nuk e di edhe sa do të zgjat ky (a)moral por, ju garantoj se jo gjithmonë?!

 

Më Shumë

Kryetari i Malishevës premton mbështetje për GLV “Llapusha

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka zhvilluar një takim pune me drejtuesit e Grupit Lokal të Veprimit (GLV) “Llapusha”, të prirë nga...

Përurohet pllaka përkujtimore për martirët e Krushës së Vogël

Në Krushë të Vogël u përurua sot një pllakë përkujtimore te Oda e Sejdi Batushës, kushtuar martirëve të vrarë gjatë masakrës së vitit 1999....

Lajmet e Fundit