9.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Nga Roma në Tiranë

19-gusht-jolanda-270x320Historia e Jolanda Guazzos / Studiueses së letrave shqipe dhe përkthyeses së Migjenit e Sterjo Spases

Shqipërinë e viteve ’60, Jolanda Kodra (dikur Guazzoni) do të kalonte net të tëra bri vargjeve të Migjenit. Malli për Romën e largët e kujtimet e rinisë së lëna diku përtej detit, i bënin këto vargje tepër të ndiera për të. Një poezi është e bukur kur ajo i flet dhe historisë tënde. E dukej sikur Migjeni grishte një pëlhurë që dalëngadalë po pushtonte gjithë qenien e kësaj gruaje interesante të Tiranës së atyre viteve. Dhe i nxirrte atë dëshirën e heshtur, por aq të fortë që ndjeu atëherë kur pa për herë të parë studentin nga Gjirokastra. Ai ishte Malo Kodra, një burrë që ajo e deshi që në ditët e para të takimeve të fshehta dhe e ndoqi nga pas në atdheun e tij, Shqipëri. Jolanda ishte vajza e një inxhinieri nga Roma, që ishte edhe skenarist edhe dramaturg. Quhej Alberto Guazzoni, vëllai i regjisorit të dëgjuar Enrico Guazzoni, një nga regjisorët e njohur italianë të filmit pa zë dhe që sot i kushtohet edhe një rrugë e Romës. Me kthimin në Shqipëri, jeta e saj do të ndryshonte përgjithmonë. Librat që i blinte në libraritë e Romës kishin mprehur tek ajo atë ndjesinë e butë që ta jep vetëm libri. Ajo ishte kurioze të lexonte në shqip, të njihte revistat dhe gazetat që botoheshin në këtë gjuhë, që do të bëhej më vonë dhe gjuha e zemrës së saj.

Deri në vitin 1939, Jolanda do të jetonte bashkë me të shoqin në Korçë, ku ai ishte caktuar si mësues fizkulture. Në Tiranë u vendosën në fund të vitit ’39, ku u shtuan dhe me dy vajza, Klarën dhe Etelin. Klara, e cila do të vijonte rrugën e saj, e mban mend, gjithnjë ashtu, me një libër në dorë nënën e saj dhe me flokët e zinj mbi supe. “Me të ardhur në Shqipëri, ajo kishte filluar të mësonte shqip e të lidhej me gazetat e revistat e kohës dhe të bashkëpunojë me to. Lidhet me ‘Hyllin e Dritës’ si katolike që ishte, megjithëse Jolanda kishte mentalitet të hapur.

Më vonë bashkëpunon me revistën ‘Njeriu’ dhe ‘Kultura Islame’. Lidhet edhe me ‘Përpjekja shqiptare’, ‘Shkëndija’, më vonë edhe me ‘Fryma’”, tregon Klara. Pas një përvoje të shkurtër si mësuese e italishtes në Shkollën Pedagogjike, ajo do t’i përkushtohej përkthimit, duke dhënë kontributin e saj për prurjen në shqip të autorëve të njohur italianë, por dhe duke çuar në gjuhën italiane autorë shqiptarë. Shkruan dy studime të gjata për Naim Frashërin dhe për Fishtën. Në fillim për Fishtën e boton në gazetën “Tomori” dhe më vonë në përmbledhjen që i kushtohet poetit më ’43-shin. Quhet “At Gjergj Fishta në dritën e artit të vet”, ku merr në analizë gjithë krijimtarinë e Fishtës. Studimi është në dy gjuhë, shqip-italisht. Por për Klarën, një aspekt pothuajse i panjohur i individualitetit krijues të studiueses dhe përkthyeses e përbëjnë poezitë e saj. Vetëm pak prej tyre arritën të botoheshin në shtypin e viteve ’30-’40.

“Poezia e saj ishte në thelb lirike, e një lirizmi të ëmbël dhe fin, ndonëse e ushqyer me një kulturë të gjerë, me një ndikim krijues nga poezia antike greko-romake dhe nga romantikët italianë, po pa letrarizëm. Këtë poezi mund ta quash neoromantike, me ca nota impresionizmi, kishte ngjyrën e vet në spektrin letrar të asaj kohe ku u ndërthurën drejtimet letrare më të ndryshme, neoromantizmi si vazhdim i traditës së Rilindjes, realizmi kritik, një lloj neoklasicizmi, elementet e para të gjithfarë llojeve të modernizmit, hermetizmi, simbolizmi, ekspresionizmi, surealizmi”, thotë Klara, e cila sot është kthyer në një studiuese të poezive të nënës së saj. Përmes këtyre vargjeve të mbetura në dorëshkrime në familjen Kodra, Klara ka bërë një rizbulim tjetër të nënës së saj. Atë të brendësisë, përmes një lirizmi kaq femëror. “Me gjithë parapëlqimin e saj për romantikën, ajo lëvroi lirikën e mendimit, karakteristike për shekullin e njëzetë, ku ndjenja rridhte si rrymë e nëndheshme”, thotë ajo. Si të kishte në duar poezitë e një gruaje të panjohur, Klara ka bërë një analizë të hollësishme të të gjitha vargjeve të saj, duke i parë estetikisht.

“Kulmin e poezisë së Jolandës e shprehin dy lirikat e shkruara në vitin 1963, para vdekjes, ‘Kënga e fundit e mjellmës’, të vetmet e shkruara në vargje të lira. Në njërën ‘Melankoli’ sublimohen motivet e mallit, trishtimit, mungesës, në tjetrën, testamenti i saj shpirtëror, ‘Excelsior’, shprehet besimi optimist në një të ardhme të lumtur për njerëzimin, kur njeriu do të triumfojë mbi kohën e hapësirën dhe mbase do të realizojë ‘të lashtën ëndërr të rinisë së përjetshme’”, thotë ajo.

Në poezinë shqiptare të viteve ’30, ekzistonin gjithashtu dy prirje kryesore, njëra drejt artit të “angazhuar” që u ndoq nga Fishta, Noli, Migjeni e shkrimtarë të tjerë dhe një prirje drejt “artit të kulluar” që pati si përfaqësues kryesor Lasgushin, por mund të përfshijë edhe Kolë Mirditën e Gaspër Palin. Jolanda iu afrua nga një anë kësaj prirjeje të dytë; ajo mendonte se arti s’duhet të jetë shërbëtor i një ideologjie, por, nga ana tjetër, nuk iu shmang lirikave politiko-patriotike që shkroi për atdheun e saj të dytë. Krahas tyre lëvroi lirikën e natyrës dhe filozofike; çuditërisht, ndonëse grua, nuk e lëvroi lirikën e dashurisë, përveçse në një lirikë të shkurtër, ku i këndon dashurisë bashkëshortore që trajtohet rrallë nga poetët e të dyja gjinive.

Teksa lexon këto vargje sot, e sheh Jolandën si një individualitet të rëndësishëm të poezisë shqipe në vitet ’50-’60. Grishja e saj ndaj poezisë dhe të ndjerit të vetes si poete, e tregon dhe miqësia që ajo ka pasur me Lasgush Poradecin. Duke kuptuar talentin e këtij poeti, Jolandës i pëlqente të ndante biseda dhe të merrte këshilla prej mjeshtrit. Por një kontribut i vyer i Jolandës është padyshim përkthimi i Migjenit më 1961-shin në gjuhën italiane. Ky botim erdhi vetëm pak vite para se ajo të ndahej nga jeta në një moshë të re. Klara e ka ende të gjallë në kujtesë portretin e saj, zërin teksa i tregonte përralla mbrëmjeve apo duart që përgatisnin kukullat prej stofi.

Më Shumë

Zhegrova nonimohet për çmimin e futbollistit të vitit në Francë

Futbollisti i kombëtarës së Kosovës, Edon Zhegrova, është nominuar për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në elitën e futbollit francez. Ai është...

8 vjet nga pranimi i Kosovës në UEFA, Ademi: Aty filloi një epokë e re për FFK-në

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar 8-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA. Ademi ka thënë se ky vendim i...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit