Edhe nëse shpenzojnë më pak se gjatë muajit të njëjtë të vitit të kaluar, qytetarët nga ky prill do ta paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike.

Subvencionimi i tarifave, siç është bërë gjatë muajve të fundit nga ana e Qeverisë, po vlerësohet se nuk do të jetë më ndonjë ndihmesë për qytetarët. Kjo për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike për mbi 15%.

Njohës të ekonomisë thonë se ekzekutivi duhet të hartojë politika të tjera zhvillimore e të rrisë mbështetjen për qytetarët përmes pakove të ndryshme.

Mirëpo, nga Qeveria thanë se do t’i subvencionojnë familjet që konsumojnë deri në 800 kwh.

Ndërsa për përfituesit e ndihmës sociale, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, do të ketë trajtim të veçantë.

“Qeveria si përgjigje ndaj vendimit të ri të ZRRE-së, ne do t’i subvencionojmë familjet për konsum deri në 800 KWH. Do t’i subvencionojmë familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente. Për më tepër, do të subvencionojmë edhe pajisje tjera shtëpiake, jo vetëm për ngrohje. Gjithashtu, për herë të parë do të subvencionojmë bizneset e vogla për të blerë pajisje efiçente. Pra, në vend që të subvencionojmë importin e shtrenjtë, do të ndihmojmë familjet e bizneset për të ulur shpenzimet e energjisë. Grupet e cenueshme, siç janë përfituesit e Ndihmës Sociale, do të kenë trajtim të veçantë në masat në lidhje me energjinë”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.

Me vendimin e ri, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 1 mijë kWh, rritja e çmimit të energjisë do të jetë 10 euro e 51 centë, ndërsa për ata që shpenzojnë 1,200 kWh, rritja do të jetë 13 euro e 80 centë.rtklive