Ekziston një flash drive (usb) i fshehur në një firmë ligjore në La Spezia që mund të ndryshojë historinë e hetimit të basteve të futbollit në Itali, sipas mediave vendase.
Flash drive është i lidhur me një testament. Në fakt, në rast të vdekjes së pesëdhjetë e pesë vjeçarit Maurizio Petra, burimi i disa prej zbulimeve të Fabrizio Corona, kujtesa elektronike duhet të kalojë menjëherë në duart e hetuesve që hetojnë bastet e lojtarëve.
“Urdhëroj që USB-ja e bashkangjitur kësaj do të dorëzohet nga avokati MB në Prokurorinë Publike të Torinos për referenca për bastet e futbollit”, shkruhet në një fletë me firmë, raportuar në edicionin e sotëm të “La Verita”.
Në flash drive ka disa skedarë audio dhe dokumente të tjera dhe gjithçka është e lidhur, sipas gazetës, me historinë e borxhit të ish-talentit të Inter-it, Antonio Esposito.
Disa dosje do të kishin të bënin me botën e basteve.
“Në një mund të dëgjoni qartë zërat e Antonio dhe Zaniolo që bisedojnë, me futbollistë të tjerë të Seria A. Njëri ka një theks që duket portugez… ata flasin qartë për bastet e bëra, për shumat e fituara dhe të humbura (57,000 euro, 30.000, 6.000), shuma të konsiderueshme. Në pyetjen specifike të Antonio, të pranishmit përgjigjen duke përmendur emrat e Lamela, Giasy dhe Barella”.
Më pas, një zbulim për Zaniolo, për të cilin për momentin nuk ka asnjë provë të basteve në futboll.
“Antonio më tha se ai po vinte bast për vete dhe për Nicolo dhe kur e pyeta nëse shoku i tij ishte mjaft budalla për të vënë baste te Roma, ai tregoi një bisedë me Nicolo-n në të cilën ai e ftoi të luante në një ndeshje të Kupës së Italisë për verdhekuqtë, nuk më kujtohet kundër kujt. Ai i dërgoi atij detajet e bastit dhe faqes dhe e ftoi të tërhiqte paratë me ATM-në e tij”, thuhet më tej në raportin e publikuar nga gazeta.
Kujtojmë se skandali i përfshirjes së futbollistëve në baste, kryesisht në platforma të jashtëligjshme, është lajmi i momentit në futbollin italian. Nicolo Fagioli i Juventus-it është dënuar me 7 muaj pezullim nga futbolli për këtë shkak.
Sandro Tonali, ish-mesfushori i Milan-it, i cili ka pranuar se ka luajtur në baste edhe kuqezinjtë kur ishte pjesë e tyre, rrezikon një pezullim deri në një vit.
Emra të tjera gjithashtu janë përmendur nga Corona dhe media të ndryshme italiane. Besohet se futbollistë të përfshirë janë deri në 50. Megjithatë, për momentin prokuroria nuk po heton asnjë emër tjetër veç Tonali-t, të paktën me aq sa është bërë publike në media.Albanian Pos