13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Nis edicioni i 11 i “Tirana International Film Festival”, 105 filma në garë

Tirana International Film Festival“Tirana International Film Festival” nisi edicionin e tij të 11 mes një atmosfere që mblodhi në natën e parë të tij emra të njohur të kinematografisë, njerëz të artit dhe kulturës si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vendi tonë. I kthyer tashmë në një event të rëndësishëm të prezantimit të prodhimeve kinematografike nga e gjithë bota, edhe këtë vit TIFF vazhdoi traditën e tij, për të sjellë një atmosferë të munguar prej kohësh në Tiranë. Yjet të kinemasë shqiptare dhe asaj botërore shkelën mbrëmë në tapetin e kuq për “TIFF 2013”, një festival që këtë herë sillte ndërmend evente të kinematografisë në botë. Për nëntë ditë me radhë (23-32 tetor) në kinema “Millennium” do të shfaqen me dhjetëra prodhime filmash shqiptarë dhe të huaj, por surpriza janë dhe të ftuarit, që gjatë ditëve të TIFF do të jenë në Tiranë, transmeton Sotnews. Mbrëmë festivali u hap me premierën botërore të filmit shqiptar “Ada”,  për të vijuar më pas dhe me të tjerë prodhime kinematografike që i takonin dokumentarit. Aktorët Reshat Arbana, Enver Petrovci, Ndriçim Xhepa, etj, ishin disa nga emrat që spikatën në natën e parë të premierës “Ada”.

Drejtori artistik i “TIFF 2013” Genc Përmeti u shpreh se këtë vit ka një program të ngjeshur, pasi kanë aplikuar 1200 filma. “TIIF u hap me një premierë botërore, filmi “Ada” ku luajnë emrat të njohur të kinemasë shqiptare dhe asaj kosovare. Për ne si organizatorë të TIFF ishte atraktive që ta nisnim festivalin me këtë premierë. Kemi një program të ngjeshur në festival. Në programin total, në TIIF janë mbi 150 filma dhe vetëm 105 prej tyre janë në konkurrim. Kanë aplikuar 1200 filma dhe janë përzgjedhur në konkurrim 80 filma të huaj dhe 25 shqiptarë, por këtë vit pati më shumë filma në aplikim. TIFF erdhi me atmosferë shumë pozitive dhe me një dashamirësi, dhe kjo na bën ne si organizatorë të ecim përpara vit pas viti me këtë festival”, u shpreh Përmeti, duke theksuar se cilësia e filmave pjesëmarrës në këtë edicion është e një niveli të lartë. “Mendojmë ndryshe, shohim njësoj” vazhdon të jetë edhe këtë vit sllogani që përfaqëson konceptin e festivalit më të vjetër ndërkombëtar të filmit në Shqipëri. “TIFF 2013” me drejtorë artistik Ilir Butka, Genc Përmeti dhe Agron Domi, vjen si një edicion që ndryshe nga herët e tjera do të zhvillohet përgjatë nëntë ditëve, duke e zgjeruar interesin, jo vetëm te gara, por edhe me programe speciale, retrospektiva, seminare, takime, masterklas me kineastë të ftuar dhe prezantime filmash në disa prej kinemave dhe teatrove të kryeqytetit. Nuk do të mungojnë të ftuarit. Tashmë kanë konfirmuar ardhjen e tyre regjisorët si Yves Boisset, Nicolas Roegh dhe Mark Cousins.

Juria me personalitete të kinemasë së huaj dhe shqiptare

Juria e këtij viti ka sjellë emra të njohur të kinemasë botërore dhe asaj shqiptare. Fabrizio Ferrari, Esther Cabero, Sergio Stagno, Katriel Schory, Arben Zharku, Kujtim Gjonaj, Julian Bejko, etj, janë disa nga emrat që janë në juri këtë vit. Gjatë 10 viteve të ekzistencës së tij, filmat pjesëmarrës në këtë festival kanë qenë dhe një leksion për kineastët e rinj, mbi mënyrën sesi duhen realizuar filmat. Çmimet e këtij viti janë “Filmi më i mirë i TIFF”, “Filmi më i mirë ballkanik”, “Regjia më e mirë”, “Aktori më i mirë”, “Aktorja më e mirë”, “Çmimi i medias”, “Çmimi i publikut”. “Filmi më i mirë i shkurtër fiction”, “Filmi më i mirë i animuar”, “Filmi më i mirë dokumentar”, “Filmi më i mirë eksperimental”, “Filmi më i mirë i shkurtër Ron Holloëay”, “Filmi shqiptar më i mirë i shkurtër” dhe “Filmi më i mirë nga studentët”.  Edhe pse gjysmën e rrugëtimit të tij ky festival e ka bërë me filmin e shkurtër dhe atë dokumentar, për të pestin vit garës i shtohet edhe filmi artistik me metrazh të gjatë. Për këtë kategori janë përzgjedhur 8 filma, të cilët vijnë që nga Ukraina, Franca, Rumania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Greqia e Spanja.

Më Shumë

Lajmet e Fundit