Analisti politik Shkëlzen Maliqi dhe drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, kanë vlerësuar se partitë politike kanë filluar herët aktivitetet elektorale, ndonëse ende nuk është shpallur data e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se partitë politike qysh tash kanë filluar përgatitjet për fushatë elektorale në mënyrë që t’i masin forcat ndërmjet vete. Në këtë kontekst, ai ka thënë se kryeministri, njëherësh lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili aktualisht është duke punuar me partinë dhe opinionin, do ta ketë të vështirë ta ruajë primatin e partisë së parë në vend.
“Edhe pse nuk është shpallur data e zgjedhjeve, partitë politike veç kanë filluar përgatitjet, meqë ky është vit zgjedhor. Gjithmonë kështu ka qenë para fushata, ndonjëherë edhe pa i shpallur zgjedhjet. Kjo pak a shumë është normale, edhe pse nuk janë ndezur të gjithë motorët, sikurse ndodh në fushatën zyrtare. Mirëpo është një lloj matje e forcave, sidomos nga ana e Qeverisë dhe Hashim Thaçit. Ai e di që do të shpallen zgjedhjet dhe po punon me partinë dhe me opinionin që të fitojë sa më shumë në mënyrë që ta mbajë pozitën e partisë së parë, që s’do ta ketë të lehtë”, ka thënë Maliqi për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se edhe Kuvendi i Kosovës është duke u shfrytëzuar për fushatë. “Kuvendi është bërë edhe ashtu disfunksional dhe është dashur të shpërndahet, por meqë kanë mbetur disa ligje për t’i aprovuar, po shfrytëzohen për fushatë. Praktikisht Kuvendi është para shpërndarjes dhe mendoj se Kuvendi e ka humbur legjitimitetin dhe tash duhet të shkohet në zgjedhje dhe sa më shpejt që shkohet në zgjedhje aq më mirë do të jetë”, ka deklaruar Maliqi.
Sipas Maliqit, edhe fushata për këto zgjedhje do të përcillet me akuza dhe kundërakuza. “Nuk besoj se fushata për këto zgjedhje do të jetë më e nxehtë se fushatat e mëparshme, por mund të ketë akuza të ndërsjella. Natyrisht se gjatë fushatës dalin do të palara të partive, kështu që tensionet dhe akuzat e kundërakuzat janë normale në fushatën zgjedhore, por nuk besoj se do të ketë situata ekstreme”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se pas zgjedhjeve asnjë koalicion nuk do të përjashtohet.
“Edhe pse disa parti deklarohen se nuk do të bashkëpunojnë dhe nuk do të bëjnë koalicion me Hashim Thaçin ose dikë tjetër, mendoj se është krijuar një situatë ku asnjë koalicion potencialisht nuk përjashtohet pas këtyre zgjedhjeve. Të gjitha koalicionet i kemi provuar, përpos koalicionit, për shembull, PDK – AAK, por edhe ky koalicion nuk mund të përjashtohet, edhe pse mund të ketë tash acarime ndërmjet këtyre dy subjekteve”, është shprehur Maliqi.
Edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, veprimet e përfaqësuesve të partive politike i sheh si parapërgatitje për fushatë zgjedhore.
“Jemi në vit zgjedhor dhe tashmë partitë politike janë të orientuara drejt fushatës zgjedhore dhe varësisht nga deputetët e caktuar shpeshherë diskutimet e tyre i përdorin si elemente të cilat përçojnë mesazhe tek qytetarët duke e shfrytëzuar dhe duke ditur që jemi parazgjedhjeve parlamentare. Prandaj, premtimet që janë duke u bërë, kryesisht nga partitë në pushtet, shihen si elemente që janë parapërgatitje për fushatë”, ka thënë Kryeziu për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se pjesë e fushatës është bërë në një farë forme edhe Kuvendi i Kosovës, i cili moti e ka humbur funksionalitetin. “Kemi raste kur ligjet nuk kanë mundur të kalojnë e pozita dhe opozita e kanë bojkotuar Kuvendi. Prandaj, mendojmë se Kuvendi e ka humbur funksionalitetin e vet dhe presim nga institucionet ta përcaktojnë sa më shpejt kohën e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij, fushata për këto zgjedhje do të jetë më e shkurtër, por shumë dinamike. “Do të varet edhe prej zhvillimeve të tjera, por kjo fushatë do të jetë më e ngjeshur dhe më dinamike se fushatat e tjera për shkak të kohës së shkurtër dhe, ndoshta, për shkak të mesazheve të cilat do të vijnë nga pozita dhe opozita. Mendoj se është një luftë më e përqendruar për marrjen e pushtetit, mirëpo nga kjo që po shohim tani do të ketë premtime të pambuluara”, ka deklaruar Kryeziu.