Nga 60 vjetët e jetës së tij, 40 i ka kaluar me kitarë. Osman Shehu- Mani është aseti më i rëndësishëm kulturor i komunës së Kaçanikut. Fitues i shpërblimit (të jurisë dhe publikut) në Festivalin “Zambaku i Prizrenit” dhe autor i dy albumeve muzikore, Mani këto ditë është ka planifikon organizimin e një manifestimi të veçantë, nëpërmjet të cilit do të shënoi 40 vjetorin e fillimit të punës së tij si këngëtar dhe të grupit të tij “Fontana”, i cili, në një objekt që tash nuk është më, u themelua në Kaçanik, më 1976, në përbërjen: Osman Shehu (solist dhe kitarë), Lutfi Shehu (daullist), Naim Koxha (basist), Zekeria Gashi (ritëm kitarë) dhe Sadik Sadiku (solo kitarë), tash i ndjerë.
Po AVI “Fontana” e Kaçanikut përjetoi një fontanë të njëmendët vështirësish dhe pengesash. Më 1982, fill pasi ky grup ishte bërë i njohur në Kosovë me këngën-hit “Shkëmbi i kujtimit”, nisën diferencimet politike, të cilat bënë që ky grup të detyrohet të shuaj aktivitetin e tij.
“Jo vetëm që me një vendim të Komitetit Komunal të Kaçanikut iu ndalua aktiviteti publik grupit “Fontana”, po mua plus ma ndaluan aktivitetin edhe të anëtarit të klubit të shahut “Lepenci” në Kaçanik”, thotë për Gazetën Zëri, Osman Shehu, i cili kitarën dhe shahun i kishte pasion që nga fëmijëria. Që nga viti 1985 ky grup dhe vetë Mani si këngëtar, shuajnë aktivitetin kulturor. Anëtarët e grupit, sa nga gjendja e vështirë ekonomike, sa nga diferencimet politike, nisin të shpërndahen nëpër botë.
“Po shpresoj dhe besoj shumë se sërish do të jemi bashkë në shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm për ne dhe për kulturën në Kaçanik dhe më gjerë. Besoj do të jemi bashkë si në vitin 1991, pas rënies së komunizmit, kur u bëmë bashkë dhe mbajtëm një koncert, ku publiku kaçanikas na priti duke na duartrokitur gjatë, sikur të shënonte një fitore të madhe për ne dhe për veti”, kujton me nostalgji këtë ngjarje të madhe kulturore, Mani.
Nga kjo ngjarje Mani nisi udhëtimin fillikat vetëm me kitarë, të cilës nuk i ishte ndarë kurrë. Bashkë me shefin e grupit “TRIX”, Veli Sahitin (edhe ai i mbetur vetëm) shkuan në Tiranë, që nëpërmjet një koncerti të rokut, në Pallatin e Kongreseve, të shënonin rënien e komunizmit edhe atje. Mani edhe këtë ngjarje të madhe për kulturën në Shqipëri e kujton me nostalgji. “Ishte koncerti i parë i rokut që mbahej atje. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm, për më tepër që në Pallatin e Kongreseve për herë të parë mbahej një koncert. Kjo ngjarje e madhe sigurisht i faturohet kompozitorit Gjergj Leka të grupit “Albazenit” që na kishte përzgjedhur neve nga Kosova”, kujton Mani, ndërsa trupin e mbështetë mbi kitarën e tij, të cilës kurrë nuk i ndahet.
As paslufta nuk i solli gjë të mirë këtij këngëtari me diplomën e komercialistit. Në fakt Mani gjithçka mësoi në jetë, por jetën komerciale nuk e njohu kurrë. Me kitarën e tij gjithë jetën u angazhua për mbijetesë. Edhe sot e kësaj dite nuk ka arritur të bëjë një kulm mbi kokë, por vazhdon të jetojë si qiraxhinj. “Arti i të jetuarit si njeri është më i vështiri”, thotë Mani si për të dëshmuar se nuk është penduar për udhën e jetës së vështirë që ka kaluar me kitarë.
Tash së fundit bashkë me Irfan Blakçorin dhe Agim Tejecin formuan grupin 3shqip, po si duket ende nuk ka hapësirë për muzikën e mirëfillt shqiptare.
“Tash së fundit ka nisur të rritet interesimi për muzikën e mirëfilltë, duket sikur njerëzit janë lodhur nga muzika tallave.”, thotë Mani, i cili gjithnjë e më shumë ka angazhime nëpër lokale të ndryshme. “Kosova ka yje më shumë se qielli”, qeshet Mani, i cili është i njohur edhe si kultivues i humorit të mirëfilltë. Ky mjeshtër i rok-popit vazhdon jetën e tij me kitarë prej një bohemi të llojit të vet. /zeri.info/