Bëri valixhen gati, vendosi pak grim e vendosi të ikte. Nuk mbërrijti as deri tek dera ku e ëma e ndaloi. Motra e saj me syrin e mavijosur vizatonte në mur, ndërsa rreth qafës kishte një shallë. E ëma pyet vajzën se nga është duke shkuar me atë valixhe, ajo i thotë se do të ikë, sepse nuk donë të martohet. Një debat goxha i rëndë, më së shumti dëgjoheshin fjalët e nënës duke i thënë “mu çu baba yt na myt te triave”, kjo gjë u përsërit disa herë deri sa vajza ia kthen duke i thënë se ashtu kështu është e vdekur, pasi që, nuk është e virgjër dhe do një djalë tjetër. Debati sa u ndal pak, përsëri vazhdoi deri vajza tjetër që ishte duke vizatuar në mur, filloi ta largoj shallin nga qafa e saj duke i treguar shenjat tjera e duke thënë “…a është zakon që baba yt met dhunu”.
“Një pikë gjaku”, ishte mu një pikë gjaku në çarçafin e bardhë, që përfundoi filmin e metrazhit të shkurtër i cili u dha premierë kombëtare në edicionin e 15-të të festivalit DokuFest. Ky film sjellë pas dy vitesh regjisorin Bekim Guri në këtë festival, në të cilin mu në edicionin e tij të 13-të, fitoi çmimin e parë në kategorinë e filmave të shkurtër kombëtarë me filmin “Heshtje”. Ndërsa sivjet Bekimi vjen duke konkurruar në po të njëjtën kategori me filmin “Një pikë gjaku”.
Pak para se të fillojë shfaqja e filmit, ku mbrëmja e së hënës në DokuFest, ishte rezervuar për kategorinë e filmave të shkurtër kombëtar, regjisori Bekim Guri tregoi emocionet e tij në lidhje me shfaqjen e filmit. Ai poashtu tregoi edhe për përmbajtjen e filmit dhe shqetësimet e tij në lidhje me këtë çështje.
“Po kthehem pas dy vitesh me film ne DokuFest, ndjenjë e mirë të jesh pjesë e festivalit ndër më të mirët në rajon e Ballkan”, tha fillimisht regjisori i cili vazhdoi të tregoj se ky film nuk është vetëm për Kosovën, por që, fenomeni shqetësues është në vendin e tij.
“Trajtimi i femrës nëpër shumë vende të botës është shumë i rëndë, dhe në vendet siç është Pakistani, Irani e Afganistani…, dhe në fakt është një gjendje alarmante që të reflektoj mashkulli mbi femrën, pra po flas në përgjithësi. Ajo që më shqetëson është fakti që të gjitha vendet e lindjes kanë qenë Evropë përpara, në kuptimin e mirë të fjalës, pra që femra ka qenë e lirë, dhe ka disa vite që ka marrë një kahje tjetër, dhe për mua fenomen shqetësues është në vendin tim, sepse femra është ajo që e krijon botën”, pohoi Bekim Guri.
Në kastën e aktorëve të filmit “Një pikë gjaku”, janë Ilire Vinca, May-Linda Kosumovic dhe Fitore Broqi. Sa i përket aktoreve, regjisori u shpreh shumë i kënaqur me lojën e tyre, por sa i përket ecurisë së filmit ai për KultPlus tha se ka pritur më shumë.
“Unë kam qenë shumë i kënaqur me aktoret, por me ecurinë e filmit jo aq sa kam pritë, është një detaj që filmi është francez dhe po duhet me i kaluar filmat francez për të pas mundësi të marrë pjesë diku, pasi që, kompania që e ka distribuimin ka shumë filma në konkurrencë, e unë po duhet ti kaloj edhe ata për të u futur në një konkurrencë tjetër”, theksoi Guri, i cili poashtu tha se e ka kuptuar se më mirë do të kishte qenë që filmi të ishte kosovar, pasi që, siç tha ai çdo shtet e ka kuotën e vet pjesëmarrëse nëpër festivale.
“Ta përfaqësosh një shtet tjetër është konkurrencë më e madhe. Por filmi është pritë mirë, ka rrugë akoma për të bërë por ajo e veçanta është se shfaqet nëpër televizionet franceze, e kjo mund të them është e arritura e filmit”, tha ai.
“Një pikë gjaku”, deri më tani ka marrë pjesë në njëzet festivale dhe ka dy çmime. Sa i përket asaj se sa do të pranohet ky film nga audienca kosovare, Bekim Guri tha se me vetëdije të plotë e ka bërë këtë film. “Mendoj që do të ngacmoj shumë si temë, do të hap diskutim, por unë jam këtu me u përgjegjë, me vetëdije të plotë e kam bërë”, përfundoi kështu regjisori i filmit “Një pikë gjaku”, film të cilit nuk i munguan duartrokitjet dhe brohoritjet e publikut kosovar pas përfundimit. /KultPlus.com