0.8 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

Njërës që e kam njohur

CHARLES BUKOWSKI

Charles Bukowski ka lindur në Andrenach (Gjermani) më 16 gusht të vitit 1920. Dy vjet pas lindjes së tij e gjithë familja emigron në Amerikë. Vendoset në Los Anxhelos dhe aty Bukowski qëndroi gjithë jetën. E gjithë jeta e tij është e shkruar në libra. Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë e thërrisnin Henk. Ka vdekur më 9 mars të vitit 1994 nga leukemia në San Pedro. Është autor i 34 vëllimeve poetike, i tre romaneve dhe i një skenar filmi. Bukowski njihet si një ndër themeluesit e rrymës “Underground” të shkrimit artistik. Shumë vepra të tij janë përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën shqipe.

NJËRËS QË E KAM NJOHUR
Nga të gjithë shtretërit e hekurt në parajsë
i yti qe më i pamëshirshmi
e unë isha tym në pasqyrën tënde
dhe i ke shpëlarë flokët me ngjyrë të gjelbër,
por ti ishe grua e unë
çun, por çun tamam për një shtrat të hekurt
e tamam burrë për verë dhe
për ty.

Tash jam rritur,
mashkull tamam për të gjitha,
e ti je, ti
je
plakë
nuk je më aq e pamëshirshme,
tash shtrati yt i hekurt është
bosh.

ÇFARË HALLI KENI, ZOTËRINJ?
Shërbimi qe i dobët
e shërbyesi i sillte peshqirët gjithnjë
në kohë të gabuar.
I dehur, më në fund, ia dhashë një flakaresh
kresë.
Ishte shtatpaktë dhe ra
si gjethe tetori,
bash qetë,
e kur filloi belaja
e vura sofën në derë
dhe vura zinxhirin,
ishte akti 2 i Simfonisë së Parë të Brahmsit
e duart gati i kisha në vithet e
një dame plakë që mund të ishte gjyshe imja
e ata e shkallmuan derën e hamamtë,
e shtynë sofrën mënjanë;
ia futa shpullë sherrakes ulëritëse
u ktheva dhe i pyeta,
çfarë halli keni, zotërinj?
E një çunak që ende s’i kishte rënë fytyrës brisk
ma puthiti kresë shkop
e në mëngjes isha në spital burgu
i lidhur për krevati
dhe bënte vapë,
djersa depërtonte nëpërmjet çarçafëve
të bardhë të pakuptimtë,
më shtronin turlifarë pyetjesh të budallenjta
e unë e dija se do të vonohesha në punë,
e bëhesha merak pak si tepër.

ATYRE QË MA BAJNË GAJLEN
Nëse martohesh kujtojnë se e pat
puna jote
e nëse je pa grua kujtojnë se
je i mangët.

Një pjesë e madhe e lexuesve të mi kërkojnë nga unë
të vazhdoj së shkruari mbi shkërdhyerjen me gra të krisura e
me prostituta –
po ashtu, mbi të qenit në burgje dhe spitale, ose
duke vdekur urie apo
duke i nxjerrë zorrët
jashtë.

Pajtohem se vetëkënaqësia zor që sjell
letërsi të pavdekshme
por këtë s’e bën as
përsëritja.

Për ata lexues tash
me zemër të sëmurë
që besojnë se jam njeri i
vetëkënaqur –
ju lutem gëzohuni
pakëz: agonia ngandonjëherë ndryshon
formën
por
ajo kurrë s’ndërpritet për
askënd.

RRETH KONFERENCËS SË PEN-it
Largojeni shkrimtarin nga makina e tij e shkrimit
dhe e gjitha çka do të mbetet
është
sëmundja
e cila e pat shtyrë
të shtypë

fillim.

(Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)

Më Shumë

“Borë për 2-3 orë”, moti për këto katër ditë të javës

Dita e enjte mund të zbardhë me borë. Kështu ka paralajmëruar meteorologu Mendim Rugova. Ai thotë se përsëri nga e premtja mund të ketë ngritje të...

Drita kërkon vendin e parë, luan sot ndeshjen e mbetur me Suharekën

Drita luan sot kundër Suharekës në kuadër të Superligës. Intelektualët kanë 25 pikë, po aq sa Ballkani që mban vendin e parë, dhe me një...

Lajmet e Fundit