14.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Njohësit e integrimeve kritikojnë institucionet për vizat

Këshilli i Bashkimit Evropian nuk i ka dhënë rekomandim pozitiv procesit të liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në konkluzionet për vitin 2015 të pakos së Zgjerimit dhe Stabilizim Asociimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Turqinë, Këshilli ka vlerësuar rëndësinë e përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave, duke e inkurajuar Kosovën t’i vazhdojë përpjekjet për të përparuar në këtë proces. Këto konkluzione, sipas njohësve të integrimeve evropiane, tregojnë se raporti për liberalizim të vizave i Komisionit Evropian, që pritet të publikohet gjate ditëve në vijim, nuk do ta rekomandojë heqjen e vizave për Kosovën.

Megjithatë, njohësit e integrimeve evropiane i kanë ftuar institucionet e Kosovës të mos i vajtojnë këto konkluzione, por t’i përvishen punës për nxjerrjen e qytetarëve nga ky izolim.

Shenoll Muharremi ka deklaruar për “Epokën e re” se Kosova ende gjatë vitit 2016 mund ta ketë liberalizimin e vizave.

“Nëse ky është rasti, Kosova gjatë tremujorit të 2016-s mund t’i zbatojë kushtet e mbetura përfundimtare dhe pjesën e dytë të vitit 2016 të lirohet nga vizat. Pra, nëse hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën ndodh në qershor (nëse ishte rekomanduar tani në dhjetor) apo tetor (nëse rekomandohet në mars/prill) pak ka rëndësi, me rëndësi është që ajo të ndodhë gjatë 2016-s. Andaj, nuk është në interesin tonë të vajtojmë e të biem në depresion, pasi këtë javë nuk është rekomanduar liberalizimi i vizave”, ka thënë Muharremi.

Për shtyrjen e këtij procesi ai i ka fajësuar institucionet e Kosovës, duke shtuar se gjetja dhe identifikimi i fajtoreve bëhet për konsum të brendshëm politik.

“Po lexoj që diskursi dhe fokusi rreth konkluzioneve të Këshillit të BE-së është se ‘kush i ka fajet’, apo si në rastin e reagimit të Qeverisë si të dislokohet faji në një ‘qendër tjetër’. Sigurisht se fajin e kemi ne, por ky konkludim nuk do të na sjellë shumë dobi në këtë moment. Reagimi i z. Thaçi ka qenë i keqkalkuluar politikisht dhe mund të jetë i rrezikshëm, me pasoja, për Kosovën”, është shprehur Muharremi.

Edhe njohësi tjetër i integrimeve evropiane, Vigan Qorrolli, e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për këtë dështim.

“Raporti i Këshillit të BE-së, në pjesën ku ishin pritshmëritë më të mëdha të kosovarëve (tek vizat), flet për një kritikë të vetme dhe ajo është mospërmbushja në plotësi e të gjitha kritereve të parapara me udhërrëfyesin për liberalizim, që i është dorëzuar qeverisë muaj më parë. Kjo gjë e mbrapshton dhe e demanton fuqishëm Qeverinë, e cila në secilën ditë të saj krenarisht deklaron se i ka përmbushur të gjitha kushtet”, ka deklaruar Qorrolli për “Epokën e re”.

Mirëpo, sipas tij, kushtet për liberalizim të vizave nuk janë krejtësisht teknike, siç zakonisht thuhet.

“Aty ka kushte të rënda politike dhe që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këtë gjë institucionet e drejtësisë nuk janë duke e bërë në nivel të duhur. Kjo është goditja më e madhe që BE-ja ia jep Kosovës pas nënshkrimit të MSA-së, e cila goditje do ta thellojë edhe më tej skepticizmin qytetar për BE-në, veçanërisht për Qeverinë e Kosovës. Me patjetër që kësaj situate i ka kontribuar edhe gjendja e rëndë politike në vend, ku pozitë dhe opozitë bashkë, po i japin arsye këtij mosliberalizimi dhe po e rrisin vështirësimin e mëtejmë të gjendjes për qytetarët tanë”, ka thënë Qorrolli.

Ai ka treguar se për të pasur liberalizim të vizave gjatë vitit 2016 duhet të luftohen më tepër krimi i organizuar dhe korrupsioni.

“Hapi vijues është ai i ardhjes së një grupi ekspertësh, kryesisht burokratë të Brukselit, të cilët jo para pranverës së vitit 2016, do të duhej t’i rivlerësonin edhe një herë rezultatet për përmbushjen e kritereve. Nëse edhe deri atëherë nuk ka rezultate në luftë kundër krimit dhe korrupsionit, me vendime të plotfuqishme të gjykatave – vendimi i ri për liberalizim ose jo do të shtyhet për fundin e vitit 2016. Kjo gjendje është e pashpresë dhe e paudhë. BE-ja dëshiron që Kosovën ta bëjë shtet të së drejtës e jo të padrejtësive, ku qytetarët vuajnë për gjëra më elementare, në momentin kur besimi popullor në politikë, drejtësi, ekonomi dhe arsim nuk ka qenë kurrë më i paktë dhe është në pikën zero të tij”, ka thënë Qorrolli. /Epoka e Re

Më Shumë

62 aksidente trafiku brenda 24 orëve dhe 1852 tiketa të shqiptuara

Policia e Kosovës ka njoftuar se brenda 24-orëve kanë ndodhur 62 aksidente trafiku. 18 prej tyre janë më të lënduar, ndërsa 44 të tjerë me...

Në shkollat e Prizrenit nisin vizitat sistematike mjekësore, Totaj e shikon procesin nga afër

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka vizituar shkollën “Mustafa Bakiu” për ta inkurajuar dhe përshëndetur personelin mjekësor dhe nxënësit në kuadër të...

Lajmet e Fundit