10.1 C
Prizren
E enjte, 11 Dhjetor, 2025

Nuk mund të ketë pezullim të dialogut

flamuri i kosoves dhe serbeveAnalistët politikë konsiderojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë menjëherë pas formimit të institucioneve të reja dhe që marrëveshjet e arritura të zbatohen.

Analisti Halil Matoshi konsideron se dialogu do të vazhdojë sipas agjendës së Bashkimit Evropian, pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

“Dialogu do të vazhdojë, pa marrë parasysh se kush do ta ndërtojë qeverinë e re. Madje, liderët e koalicionit opozitar janë deklaruar se do ta vazhdojnë dialogun. Mirëpo, në këtë situatë ndërhyrja e Vetëvendosjes e ka ashpërsuar në një masë retorikën politike”, thotë Matoshi.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga partitë politike opozitare (në rast të formimit të qeverisë nga ana e tyre), që të riformatizojnë dialogun që, siç kanë thënë ata, në radhe të parë të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe që ky dialog të mos zgjas në pafundësi.

Matoshi konsideron se janë edhe disa faktorë të tjerë që kanë ndikuar që çështja e dialogut të kuptohet si çështje e pezulluar.

“Në këtë çështje, kanë ndikuar serbët e veriut të Kosovës, po ashtu edhe partitë politike kosovare, posaçërisht Vetëvendosje. Ka ndikuar në zvarritjen e marrëveshjeve po ashtu edhe konstituimi i i komunave të reja në veriun e Kosovës. Por, edhe kjo performancë cinike mbi urën e lumit Ibër ka bërë që dialogu i mëtutjeshëm të shihet me dyshim”, deklaron Matoshi.

Edhe analisti Imer Mushkolaj mendon se vazhdimi i dialogut Prishtinë-Beogradi është i domosdoshëm. Ai thotë se pas formimit të institucioneve të reja, Qeveria e ardhshme duhet të shkojë tutje me dialogun politik, jo vetën në kuptimin formal, por të arrihen qëllimet e dialogut.

“Brukseli nuk do të lejojë që një gjë e tillë të dështojë. Por, prapë po them se varet shumë nga institucionet e reja, varet shumë nga koha kur këto institucione do të formohen që të vazhdohet dialogu, respektivisht të shihen mbase modalitetet e reja se si ky dialog të vazhdohet. Para se të vazhdohet, normalisht, i rëndësishëm është zbatimi i të gjitha atyre marrëveshjeve që janë arritur më herët”, vlerëson Mushkolaj.

Ndryshe, në këtë javë që po e lëmë pas, zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit, ka pasur takime bilaterale me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Siç është bërë e ditur nga kabineti i saj, në agjendën e këtyre takimeve ka qenë analizimi i zbatimin të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.

Tahiri në takimin që ka pasur me drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin në Shërbimin për Punë të Jashtme të BE-së, Fernando Gentilini, në mënyrë të veçantë thuhet se ka ngritur çështjen e barrikadave të reja në urën e lumit Ibër dhe ka kërkuar angazhime të shtuara nga Bashkimi Evropian për heqjen e tyre dhe mundësimin e lëvizjes së lirë sa më shpejtë, ashtu siç është premtuar. /REL/

Më Shumë

Bashkimi në krizë lëndimesh, kapiteni Bunjaku mungon një muaj

Bashkimi po përballet me një situatë të vështirë pas lëndimeve të njëpasnjëshme që kanë goditur katër lojtarë të ekipit, duke ndikuar dukshëm në paraqitjet...

Prokuroria e Prizrenit mban ligjërata në shkolla kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht prokuroret/koordinatore për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha dhe Elfete Purova, kanë realizuar ligjërata vetëdijesuese në shkollën IAAP...

Lajmet e Fundit