Dobrushta, fshat buzë Drinit të Bardhë, fshihet diku thellë në bjeshkë. Fshati sikur ka rënë në heshtje, pasi pjesa më vitale e popullsisë së këtij fshati është larguar në Perëndim. Atje tanimë jetojnë 103 familje ku mbi 50 për qind e tyre e bëjnë jetën herë këtu e më shumë në Slloveni. Ruzhdi Saramati nga ky fshat thotë se shumica e burrave të këtij fshati kanë zejen e muratorit dhe kjo i ka bërë që këta banorë të gjejnë punë në Slloveni dhe në shtetet e tjera të Perëndimit, shkruan gazeta Kosova Sot.
Trimat legjendarë të Dobrushtës
Esat Gutaj njofton se mbi 100 shtëpi shumica janë në kurbet. “Për shkak të kushteve ekonomike dhe të pamundësisë për t’u punësuar edhe kuadrot janë larguar nga këtu. Në fshatin Dobrushtë me sukses punon një biznes me pronar Sami Saramati, ku i ka të punësuar mbi 20 punëtorë. Në fshat është shkolla fillore, ambulanca, xhamia dhe infrastruktura e kënaqshme. Mirëpo të flasësh për fshatin Dobrushtë është mëkat mos të përmenden vëllezërit Saramati, të cilët në luftën e fundit dhanë shumë nga vetja dhe familja e tyre”, shprehet ai. Dobrushta dallohet me veçanti për historikun e lashtë, ku kishte kishte trima dhe legjendarë të kohës, tregon Ruzhdi Saramati. Saramati tregon se në fshatin Dobrushtë në vitin 1912 burrat e këtij fshati u masakruan nga serbët duke e lënë fshatin në fëmijë. “Ajo masakër ishte ndër masakrat më të dhembshme të kohës. Në luftën e vitit 1912 edhe Dobrushta u dallua atëbotë, duke organizuar shumë prita forcave barbare serbe. Trimëritë e qëndresës shqiptare i ndihmuan shumë burra si Mahmut Saramati, pastaj familja e Ramë Saramatit, e cila i fali 13 luftëtarë të armatosur atdheut dhe lirisë së Kosovës. Banorët e fshatit Dobrushtë luftuan me atë çka patën me sëpatë e kosa, por, ata ishin për të dhënë sa më shumë për lirinë e vendit”, është shprehur ai.
Shqiptarja e Dobrushtës u dërgua me dhunë në Kragujevc gjatë Luftës së Parë Botërore
Saramati tregon se si kishte dëgjuar nga një plak një histori interesante. Ai tregon, ato që ka dëgjuar se pas Luftës së Dytë Botërore, kur kishte shkuar ushtarë një banorë i familjes Saramati kishte shërbyer në Kragujevc të Serbisë. “Si ushtar derisa ka dalë në qytetin, duke folur shqip, ju kishte ofruar atëbotë një grua plakë serbe dhe e kishte lutur që ai të shkonte në shtëpi. Atje i kishte shtruar bukë e i kishte ofruar ëmbëlsira. Së fundi me lot në sy i kishte treguar se ajo kur paska qenë vajzë e vogël rreth pesëvjeçare qenka marrë rob nga serbët dhe ishte rritur në një familje serbe. Atje ishte martuar me një oficer serb dhe kishte pasur para të kursyera. E kishte lutur atë ushtarin, duke ia dhënë një grusht para vlerë shumë e madhe që së paku nga Pobreghu prej ku supozohet se ajo ishte t’i sillte një grusht dhe nga vendlindja. Ushtari s’kishte pranuar, por ajo plaka që ishte shqiptare dhe e kishte detyruar që ato para t’i merrte, sepse pohon se i duhet një grusht dhe nga Pobregu. Ai ushtari e kishte mbajtur fjalën dhe në Pobreg ia kishte marrë dy grushte dhe e ia kishte dërguar dhe ajo kishte kërkuar që t’i jepte edhe më shumë para. Por, burri i kësaj familjeje assesi s’kishte pranuar t’i merrte”, është shprehur ai. Gutaj thotë se në ato vite, pra në Pobreg, kufiri kalohej pa ndonjë telashe. Ruzhdi Saramti thotë se në këtë fshat tani ka vetëm 30 nxënës. “Kjo është e dhimbshme. Ngase më shumë fëmijë ka që shkojnë në shkollat e Sllovenisë sesa në Dobrushtë. Kjo vjen për faktin se janë 50 për qind e këtyre banorëve që shkojnë jashtë vendit”, është shprehur ai. Fshati i ka një mijë banorë, po kurrë s’ka banorë rezidentë më shumë se gjysma e këtij numri.
(Kosova Sot)