20.8 C
Prizren
E enjte, 19 Shtator, 2024

Obama autorizon sulme ajrore në Irak

OBAMA 9Presidenti amerikan, Barack Obama ka thënë se ai ka autorizuar ushtrinë që të kryej sulme ajrore në Irak kundër militantëve islamik, nëse është e nevojshme që të mbrohet personeli diplomatik dhe ushtarak në qytetin verior të Irbilit.

Obama ka shtuar se SHBA-të do të mund të “veprojnë me kujdes dhe me përgjegjësi që të evitojmë një gjenocid potencial”, në referencë të mijëra Jezidive të ngujuar nga militantët e Shtetit Islamik.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë ka autorizuar sulme ajrore, nëse është e nevojshme që të ndihmohen forcat në Irak derisa ato luftojnë për të thyer rrethimet e militantëve dhe për të mbrojtur civilët e ngujuar prej tyre.

Obama megjithatë ka thënë se ai nuk do të lejoj që SHBA të përfshihen në luftime në një konflikt tjetër në Irak.

Mbrëmë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, iu është drejtuar gazetarëve me qëndrimet e administratës duke folur për atë se SHBA nuk do të ofrojnë zgjidhje të këtij problemi duke u përfshirë në konfliktin irakian.

“Ne jemi shumë të shqetësuar rreth aftësisë së Irakut që të përballet me problemet afatgjata që ne i shohim atje, dhe ky shqetësim bazohet në një parim të rëndësishëm, e cili është se nuk do të ketë zgjidhje ushtarake amerikane për këtë problem, por më shumë zgjidhje politike irakiane”, ka thënë Earnest.

Ndërkohë aeroplanët amerikanë tashmë kanë filluar të dërgojnë ndihma humanitare përmes ajrit për pjesëtarët e komunitetit Jezidi në malin Sinjar, i cili është i rrethuar nga luftëtarët e Shtetit islamik.

Mijëra pjesëtarë të këtij komuniteti dhe pjesëtarë të komunitetit të krishterë, janë larguar nga shtëpitë e tyre derisa forcat e Shtetit Islamik kanë avancuar duke marrë territore të reja nën kontroll.

Pjesëtarët e minoriteteve fetare janë përballur me ultimatumin e Shtetit Islamik që do të vriten nëse nuk pranojnë të konvertohen në myslimanë.

Gratë e krishtera kanë deklaruar se sulmet me raketa të militantëve kanë vrarë fëmijë, ndërsa situata është shumë e rëndë.
“Një raketë ra dhe vrau disa njerëz. Sulmi vrau katër apo pesë fëmijë dhe një vajzë të re në Qaraqosh. Për këtë arsye ne u larguam nga aty. Situata nuk është e mirë”, thotë Shaba e cila thotë se është irakiane e krishterë.

“Rajoni më i sigurt për ne është Kurdistani. Por, tani, të gjithë pjesëtarët e komunitetit tonë duan një zgjidhje kolektive. Ata duhet të gjejnë një zgjidhje për ne. Edhe nëse ata (militantët) largohen nga rajoni i jonë dhe më pas tërhiqen edhe forcat e armatosura, në nuk mund të shkojmë atje sepse frika ka kapluar zemrat tona. Për këtë arsye, ata duhet të gjejnë një zgjidhje kolektive, diçka si emigrim kolektiv apo ndonjë zgjidhje tjetër”, ka thënë gruaja tjetër e krishterë, Jorjina.

Tre aeroplanë amerikanë, të shoqëruar nga aeroplanë luftarak, kanë lëshuar 72 pako me ndihma për Jeziditë mëngjesin e sotëm, përfshirë edhe mijëra litra ujë dhe ushqime të gatshme.

Vlerësohet se në kryeqytetin e rajonit kurd të Irakut, Irbil, gjenden dhjetëra këshilltarë ushtarak amerikan.
Rajoni kurd në Irak ka 1.5 milionë banorë.

SHBA e kanë të hapur një konsullatë në Irbil dhe një qendër të operacioneve ushtarake që ishte krijuar gjatë këtij viti për të ndihmuar ushtrinë irakiane.

Obama ka mbajtur takime të gjata me ekipin e tij të sigurisë më 7 gusht, për të diskutuar situatën në Irak.

Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka lëshuar një deklaratë ku dënon sulmet e militantëve të Shtetit Islamik dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë popullin dhe qeverinë e Irakut.

Këshilli është takuar për një seancë të jashtëzakonshme, i mbajtur me dyer të mbyllura, për të adresuar situatën e rëndë humanitare në veri të Irakut i shkaktuar pas avancimit të Shtetit Islamik, që përfshinë edhe okupimin e qytetit të madh të krishterë, Qaraqosh.

Shteti Islamik ka thënë se ka arritur të marrë edhe pendën më të madhe të Irakut, atë në Mosul, por zyrtarët kurdë kanë thënë se penda është ende nën kontrollin e tyre.

Ushtria amerikane është tërhequr nga Iraku në vitin 2011, pas një pranie gati 10 vjeçare.

Washingtoni kishte ofruar mundësinë për të mbajtur një prani ushtarake në Irak, por zyrtarët e këtij shteti nuk e kanë pranuar kushtin amerikan që pjesëtarë e ushtrisë amerikane të kenë imunitet./rel/

Previous article
Next article

Më Shumë

“Shtegu për tek parajsa fillon në ferr”

Dante Aligeri ka qenë një poet, shkrimtar dhe politikan italian. Ai shquhet si ati i gjuhës italiane; fama e tij është kryesisht për shkak...

Totaj premton mbështetje për vullnetarët e Korpusit të Paqes dhe US EPA

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot përfaqësuesit e Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (US Environmental Protection Agency) dhe Korpusit të...

Lajmet e Fundit