3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Operacioni sekret i CIA-s në Shqipëri, vjen nën tingujt e pianos

Piano ciaPër katër vjet rresht, CIA u përpoq përmes një operacioni të fshehtë të depërtonte në Shqipëri e të rrëzonte regjimin e Enver Hoxhës. Një operacion që përfshiu shumë njerëz dhe përqendroi sytë e Perëndimit drejt vendit të vogël të Ballkanit, i cili sapo kishte nisur dekadën e parë të izolimit.“Wikileaks” vazhdon të nxjerrë në pah kabllograme sekrete të dërguara nga zyrat diplomatike, të vendeve të përfshira në mision, të cilat sjellin një version tjetër për ngjarjen. I quajtur një nga operacionet më të rëndësishme pas Luftës së Dytë Botërore nga Perëndimi, i koduar “Pas perdes së hekurt”, dështimi i tij do ta bënte Perëndimin ta mbante larg mendjen nga Shqipëria për një kohë të gjatë.

Plani i operacioni parashikonte veprime të koordinuara mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, me mbështetjen direkte të shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane, që do të konkludonin me vendosjen e një regjimi antikomunist. Forcat antikomuniste brenda vendit do të përgatisnin terrenin dhe do të bashkërendonin veprimet me grupet që do të hynin ilegalisht në Shqipëri, kryesisht emigrantë shqiptarë të larguar në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ose më parë, të rekrutuar në vende të ndryshme të botës, si Egjipt, Itali dhe Greqi.

Këta trupa do të stërviteshin në Qipro, Maltë dhe në Gjermaninë Perëndimore e do të synonin të realizonin komplotin në vitet 1949-1953.Plani ishte aq sekret, saqë lidhja mes grupeve britanike dhe amerikane iu besua një personi të famshëm në botën e spiunazhit, Kim Filbit, i cili ishte kryeagjenti i Britanisë në Uashington DC, që më pas rezultoi se punonte për llogari të KGB-së sovjetike.

Pranohet tashmë se ka qenë pikërisht ai që ia kaloi Moskës të gjitha informacionet e këtij plani, e cila informoi menjëherë për këtë Enver Hoxhën. Si rezultat i kësaj, të infiltruarit në Shqipëri u vranë dhe familjet e tyre u larguan nga vendi. Më shumë se gjysmë shekulli më pas, artisti i njohur Armando Lulaj kërkon ta rikthejë në vëmendjen e publikut, duke e përdorur atë për të krijuar një vepër artistike. Për performancën e tij, ai do të ndihmohet nga pianisti i njohur anglez John Tilbury, i cili më 29 korrik do të jetë në Shqipëri për të prezantuar veprën e krijuar bashkë me Lulajn. Në një kohë, të quajtur shpesh si luftë informacionesh, Lulaj sjell në Tiranë një provokim mbi sigurinë diplomatike dhe rrjedhjet e informacionit.

Performanca e Lulajt organizohet nga TICA (Tirana, Instituti i Artit Bashkëkohor) dhe Jan Van Eyck. Kjo është hera e parë që një ngjarje e tillë tentohet të kthehet në muzikë, transmeton Gazeta-Shqip. Përmes toneve të forta të pianos së mjeshtrit Tilbury, Lulaj do të sjellë një teatër të vërtetë …Mes 452 kabllogrameve të dala nga kjo ngjarje, Lulaj ka zgjedhur për të lexuar disa prej tyre.

Leximi i Lulajt do të shoqërohet nga tingujt e pianos së Tilbury, për të risjellë përmes këtij kompozimi një imazh përmes ndjesive për atë periudhë. Artisti do të nisë një rrugëtim në dy dekadat e komunikimit sekret dhe konfidencial në Shqipëri, “klasifikuar” në të gjitha kategoritë e korrupsionit, marrëdhënieve ndërkombëtare, trafikimit, portreteve të politikanëve, me artin e shkallës së fundit. Performanca e Lulajt do ta sjellë të plotë tensionin e një jete të tillë, shkeljen e rregullave shtetërore, kabllot, njoftimet… Bashkë me kabllot e përzgjedhura artisti do të lexojë dhe pjesë nga libri i njohur i Ray Bradbury “Fahrenheit 451”, tema e të cilit është pikërisht izolimi.

Ajo që e bën interesante performancën e Lulajt, përveç temës, është dhe fakti se në të do të interpretojë një artist i njohur në botën e muzikës klasike, siç është John Tilbury. I lindur më 1936-n, ai është konsideruar si një nga interpretuesit më të shquar të muzikës së Morton Feldman. Gjatë viteve 1960, ai është lidhur ngushtë me kompozitorin Cornelius Cardew. Biografinë e plotë të veprës së këtij kompozitori ai e ka hedhur në treg në një CD të quajtur “Një jetë e papërfunduar” më 2008-n. Ndërsa Armando Lulaj është një emër i njohur në artin bashkëkohor shqiptar. Në vitin 2006, ai fitoi çmimin “Unfri” me videon “Time out of Joint” realizuar në Sharrë. Në vitin 2007 ai prezantoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias. Autor i një sërë punëve, të cilat kërkojnë të prekin tema të ndjeshme të vendit, siç është e shkuara komuniste, apo elemente të asaj çfarë ka ndodhur pas viteve ‘90, Lulaj gjithnjë sjell reflektime të thella me veprat që prezanton.

Më Shumë

Përfundon stinori vjeshtor, Rahoveci dimëron në vendin e parë

Me tri ndeshje të zhvilluara të enjten, ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Skuadrat favorite nuk kanë...

A është ky adresimi i Parashqevi Simakut?

Profili në facebook është i krijuar në emër të saj, më datë 16 dhjetor 2024. Në të, këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila...

Lajmet e Fundit