Partitë opozitare që veprojnë në Kosovë kanë vazhduar avazin e bashkëpunimit qendror edhe në atë lokal. Më poshtë lexoni komunikatën e plotë të LVV-së, AAK-së dhe Nismës, degët në Suharekë, transmeton TherandaPost.
Kjo është komunikata:
Ditë më parë dega e LDK-së në Therandë, kryetari i saj Sali Asllanaj, kishte lëshuar një komunikatë për shqetësimin mbi ngjarjet e fundit në vend. Në këtë komunikatë kritikoheshin veprimet e fundit të opozitës kinse ato po e ndalin zhvillimin dhe integrimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare. Është shumë mirë që z. Asllanaj shpreh shqetësimet për ngjarjet në vend, mirëpo ato duhet të jenë edhe në vendin e duhur. Do të ishte mirë të shprehnit shqetësimin edhe kur u nënshkruan marrëveshjet mes Isa Mustafës e Vuçiqit, për dëmet që i shkaktojnë ato marrëveshje Republikës, dhe jo për protestat e metodat e opozitës.
Ai ka përmendur sesi ngjarjet e fundit po e bllokojnë Kosovën për integrim në UNESCO. Duhet t’ia bëjmë me dije që është Daçiqi, pikërisht ai me të cilin po dialogon z.Mustafa, që lidhur me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO e krahasoi vendin tonë me ISIS-in. U tha që opozita po e penguaka marrëveshjen e MSA-së dhe Liberalizimit të vizave, e në anën tjetër asnjëherë nuk u shqetësua kur lëshuan vendin mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës.
Asllanaj ka akuzuar opozitën që, kinse po ushtron dhunë ndaj Parlamentit, Qeverisë, Policisë e Prokurorisë. Për çfarë dhune ndaj institucioneve flet z.Asllanaj? Parlamentit ku kthehet në rivotim Gjykata Speciale vetëm pse nuk u kaloi herën e parë? Për Qeverinë që premtoi mbi 200 mijë vende pune? Për Policinë që djemtë e partnerit tuaj të koalicionit e rrahin dhe nuk burgosen? Për prokurorinë që ndërprenë gjykimet e djalit të Kryeministrit, për Prokurorinë që mbyllë lëndë si në rastin tuaj para kandidimit për Kryetar Komune? Kjo është dhuna që po i bëhet institucioneve dhe vendit përditë, nga pushteti.
Megjithatë në komunikatën e z.Asllanaj nuk pamë asnjë argument në mbrojtje të “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi. Kjo tregon dy gjëra, që z. Asllanaj është i vetëdijshëm çka ka nënshkruar Isa Mustafa,dhe nuk ka asnjë argument ta mbrojë “Zajednicën”, si dhe di që vetë anëtarët e degëve dhe nëndegëve të LDK-së po e nënshkruajnë peticionin dhe janë kundër këtyre marrëveshjeve. Mirëpo ne nuk po e kuptojmë një gjë se pse ky vrull që ka z. Asllanaj që të bëhet ndër të parët në mbështetje të vendimeve të Kryeministrit? Mbase kjo qenka kostoja për të, që për ndërprerjen e hetimeve në Prokurori dhe për rehatimin e vajzës në media publike.
Ne i bëjmë thirrje z.Asllanaj që të distancohet nga vendimet e dëmshme të Isa Mustafës dhe të shpreh shqetësimin për humbjen e territorit të Republikës së Kosovës. E meqenëse ne nuk pamë asnjë argument në mbrojtje të “Zajednicës”, atëherë ne nuk mund ta shkëpusim atë nga Isa Mustafa. Ju keni ende kohë të rreshtoheni në anën e së drejtës dhe të largoheni nga vendimet e dëmshme të Kryeministrit. Qytetarët e Therandës janë shprehur kundër “Zajednicës”. Ju duhet të shprehni vullnetin e tyre e jo të z.Mustafa.