0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Paraburgimi maratonik

BurguKa katër vite që Rifat Osmani po mbahet i mbyllur në qendrën e Paraburgimit në Lipjan. Për këtë njeri, që dyshohet se ishte pjesëmarrës në një vrasje që ndodhi në vitin 2009, nuk u tha kurrë se a është fajtor apo jo. Atij iu ndërrua plot tri herë trupi gjykues. Sipas avokatit mbrojtës Ibrahim Dobruna, në rastin e klientit të tij Gjykata ka treguar qartë se është neglizhente dhe nuk di t’i menaxhojë rastet që i merr përsipër.

U dyshua se ishte bashkëpjesëmarrës në një vrasje, që ndodhi para katër vitesh në oborrin e një xhamie në fshatin Zabel të Drenas, prandaj edhe u arrestua. E prej atëherë, asnjë gjykatë nuk mori një vendim për të, ta lirojë apo ta dënojë si fajtor për veprën për të cilën po mbahet i mbyllur në qeli.

Është kjo arsyeja për të cilën Rifat Osmani ndodhet qe katër vite në paraburgim. Ndërroi tri trupa gjykues, e çoi edhe gjyqtarë në pension.Por kurrë, askush deri më tash nuk vendos për të. Rifati po vazhdon edhe sot të mbahet në një dhomë të qendrës së paraburgimit në Lipjan.

E për avokatin e tij mbrojtës, Ibrahim Dobruna, e gjithë kjo histori që po e ndjek klientin e tij ka një shpjegim. Dobruna mendon se Rifati po qëndron në paraburgim për kaq kohë, “falë” neglizhencës dhe menaxhimit të keq të sistemit të drejtësisë.

“Megjithëse nuk ka prova se çfarë ka përtej kësaj vonese, e di saktë se kjo po bëhet për shkak të neglizhencës dhe mungesë të menaxhimit të mirëfilltë të proceseve të kësaj natyre”, ka shpjeguar Dobruna për Express.

Fillimisht sipas avokatit, Rifatit i ishte caktuar një seancë para katër vitesh, atëherë kur edhe u arrestua nën dyshimin se ishte bashkë me autorin, kur ky i fundit vrau dhëndrin e tij teksa po dilte nga xhamia. Por që kryetari i trupit gjykues që e kishte këtë rast, doli në pension. Menjëherë pas kësaj me rastin e Rifatit u caktua një tjetër trup gjykues, i cili mbajti disa seanca e dëgjoi dëshmitarë, por që u shty në afat të pacaktuar.

Kjo shtyrje bëri që lënda e tij t’i kalojë Gjykatës se Apelit, prandaj është dashur që edhe aty të caktohet një kryetar i ri dhe një trup i ri gjykues. “Këto janë peripecitë që e kanë përcjell këtë proces deri tash”, pohon Dobruna, i cili ka bërë çmos që drejtësia të vihet në vend, por e kotë.

Thotë se ka bërë shumë ankesa deri më tash, derisa është detyruar që rastin, ta çojë edhe në Gjykatë Kushtetuese. “Ne kemi bërë kërkesa dhe ankesa të vazhdueshme kundër këtij aktvendimi për vazhdimin e paraburgimit. Por ato gjithmonë janë refuzuar. Kemi ardhur në një situatë që çështjen ta çojmë edhe në Gjykatë Kushtetuese. Edhe kjo e fundit çuditërisht e ka hedhur poshtë këtë ankesë tonën për vonesa”.

Por as kjo nuk i mjaftoi gjykatës, që të bindet e ta marrë këtë lëndë në duar. “Pavarësisht këtyre vonesave, organet kompetente nuk kanë ndërmarr asgjë”, shton avokati, i cili thotë se rasti i klientit të tij nuk përbën asgjë tjetër, përveç shkeljeve të mëdha ligjore.

Këtë, sipas avokatit e kanë vërtetuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut, Ombudsperson si dhe zyrtar nga EULEX-i. “Të gjithë këta kanë konstatuar se këtu ka shkelje ligjore për shkak të vonesave dhe mos vendosjes në kohë lidhur me këto akuza për të cilat Remziu po qëndron që 4 vite në paraburgim”.

Megjithëse, avokatit Dobruna i është rikthyer shpresa që këtij rasti do t’i vijë fundit më shpejtë saqë është menduar. “E kemi një seancë në shtator të këtij viti. Shpresoj që ai muaj do ta mbyll këtë proces të tej zgjatur”,shkruan Express.

Kjo pasi sipas avokatit nuk ka asnjë provë që e mbështet akuzën për të cilën klienti i tij ka qëndruar kaq vite në paraburgim.

“Prova nuk ka që e mbështesin këtë akuzë. Edhe vet dorasi që e ka kryer vrasjen e ka pranuar që atë ditë ka qenë vetëm. Njëjtë kanë thënë edhe dëshmitarët që ndodheshin në vendin e ngjarjes”, thotë ai.

“Prandaj me vetë faktin që nuk kemi një aktgjykim për plot 4 vite lirisht mund të konsiderohet se ai për kaq kohë është mbajtur padrejtësisht në paraburgim”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit