Për shkak të pragut të lartë zgjedhor prej 5-përqindësh, partitë e vogla, ADK-ja, LB-ja, PLK-ja dhe PSD-ja, janë të detyruara të mos garojnë të vetme në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen këtë vit. Liderët e këtyre partive janë shprehur të gatshëm të bëjnë koalicione parazgjedhore me partitë e mëdha vetëm që ta japin kontributin e tyre në skenën politike.
Kryetarja e Alternativës Demokratike të Kosovës (ADK), Edita Tahiri, ka thënë për “Epokën e re” se pragu zgjedhor prej 5-përqindësh është i lartë, prandaj ADK-ja në zgjedhje do të garojë në koalicion parazgjedhor dhe jo e vetme. “ADK-ja vazhdimisht ka qenë një parti e vlerave dhe fokusi ynë gjithmonë ka qenë në krijimin e kapitalit njerëzor, njerëzve të përgatitur për qeverisje dhe sfida politike, mirëpo ana financiare nuk ka qenë e mirë dhe dihen arsyet. Prandaj, nëse mbetet pragu zgjedhor prej 5-përqindësh, nuk besoj se garojmë të vetëm, por sigurisht se do të përcaktohemi për alternativat e koalicionit. Ne nuk do të jemi në pozitë që të ofertojmë si parti e vogël, mirëpo do t’i presim ofertat dhe në bazë të ofertave sigurisht se do të jenë edhe përcaktimet e tona”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se pragu prej 5-përqindësh krijon një mungesë për gjithëpërfshirje dhe në një mënyrë i eliminon partitë e vogla.
Edhe lideri i Lëvizjes për Bashkim (LB), Avni Klinaku, ka thënë se LB-ja është e gatshme të bëjë koalicion me të gjitha partitë politike në mënyrë që ta kalojë pragun zgjedhor. Sipas tij, LB-ja do të mund ta kalonte pa asnjë problem pragun zgjedhor prej 3-përqindësh, por pragu zgjedhor prej 5-përqindësh paraqet rrezik. “E shohim një rrezik të madh që të garojmë të vetëm për shkak të pragut zgjedhor që është shumë i lartë, 5 për qind. Për këtë arsye nuk e kemi të prerë çështjen e koalicioneve, prandaj edhe mund të bëjmë koalicion. Mirëpo, nëse bëjmë koalicion parazgjedhor, qëndrimi i kryesisë së partisë është që koalicioni të jetë për shkak të pragut zgjedhor e jo për shkak të programit politik, për arsye se nuk kemi pajtueshmëri më asnjë parti politike në vendin tonë. Prandaj, nuk kemi preferenca sa iu përket partive, por secila parti politike që e kalon pragun zgjedhor me lehtësi ne mund të bëjmë koalicion parazgjedhor dhe nuk i përjashtojmë asnjërën prej tyre, por varet prej ofertave që do të na bëhen”, ka thënë Klinaku për Epokën e re.
E vetme në zgjedhjet parlamentare të sivjetme nuk do të hyjë as Partia Liberale e Kosovës (PLK). Lideri i PLK-së, Gjergj Dedaj, ka thënë se kjo parti do të bëjë koalicion parazgjedhor me partinë e cila do t’i fitojë zgjedhjet, por duke mos bërë publike emrin e atij subjekti politik. “Nëse pragu zgjedhor do të mbetet prej 5-përqindësh, atëherë është i lartë dhe them se është bërë qëllimisht për t’i eliminuar partitë e vogla me mjete jodemokratike dhe të pandershme. Prandaj, deshëm apo nuk deshëm, neve na imponohet një koalicion parazgjedhor, mirëpo se me kënd do të bëjmë këtë koalicion nuk kemi vendosur. Por, ai koalicion në të cilin do të rreshtohet PLK-ja, ju siguroj se ka për t’i fituar zgjedhjet parlamentare”, ka deklaruar Dedaj për Epokën e re.
Dedaj ka thënë se partitë e vogla kanë qenë të përjashtuara nga procesi i përgatitjes së Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Ai ka thënë se këto zgjedhje parlamentare duhet të jenë të ndershme dhe demokratike. Po ashtu, edhe kryetarja e Partisë Social Demokrate (PSD), Majlinda Nushi, ka bërë me dije se kjo parti nuk do të marrë pjesë në zgjedhje e vetme, por me anë të koalicioneve parazgjedhore. Mirëpo ajo ka thënë se PSD-ja do të bëjë koalicion parazgjedhor me ato parti politike që i lidh programi politik. “Nuk hyjmë në zgjedhje të vetëm, por do të bëjmë koalicion me ndonjë parti politike. Organet e partisë janë pajtuar që koalicioni parazgjedhor të jetë me partitë me të cilat na lidh programi, për shkak se mendojmë se është koalicion i natyrshëm, i besueshëm dhe i qëndrueshëm. Prandaj, PSD-ja është partia e vetme e profilizuar si parti e qendrës së majtë dhe synojmë të bëjmë koalicion me parti që i përkasin këtij profili. Por, kjo nuk e përjashton ndonjërën prej partive të tjera të cilat mund të kemi pika të përbashkëta programore”, ka thënë Nushi për Epokën e re.