2.5 C
Prizren
E diel, 9 Shkurt, 2025

PDK-ja s’ka vija të kuqe për koalicion

Thaci-misioni i ri14Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë për “Epokën e re” se kjo parti nuk ka vija të kuqe për partitë e tjera politike për koalicion qeverisës. Ai ka thënë se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, mandej të shikohet se si kryetari i PDK-së dhe Kryesia do të dalin me skenarin.

“Nuk jam prej atyre që parapëlqej këtë parti politike apo atë parti politike. Për ne nuk ka vija të kuqe, pra për asnjë parti politike të mundshme. Ne jemi një parti e cila edhe gjatë këtyre mandatave në pushtet, në asnjë situatë nuk kemi vendosur vija të kuqe apo kritere përjashtuese për asnjë subjekt politik. Kështu që, jemi të hapur për çdo subjekt politik i cili e sheh interesin e vendit në mënyrë që të ulemi dhe ta bisedojmë formimin e qeverisë së ardhshme”, është shprehur Hoxhaj.
Pavarësisht tendencave të opozitës, Hoxhaj ka thënë se nuk do të ketë qeveri të re pa PDK-në. “Unë jam në politikë që 10 vjet, ndërsa i përcjelli zhvillimet politike si studiues dhe akademik që 20 vjet. Për mua çdo ditë e re është ditë e re në politikë. Nuk përcillem me ndonjë naivitet i cili e vlerëson politikën në bazë të disa paradigmave abstrakte, por e shoh politikën si një fushë shumë reale të funksionimit të jetës njerëzore. Kështu që, për mua nuk kanë qenë befasi deklaratat e opozitës. Mendoj se ne jemi në një fazë të një ngërçi politik. Ky ngërç politik duhet të tejkalohet me bashkëveprimin e të gjitha partive politike, të cilat e shohin interesin e shtetit të Kosovës nga një perspektivë më afatgjatë. Ai që i fiton zgjedhjet i takon ta formojë qeverinë. Po ashtu, ai që i fiton zgjedhjet e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Nuk mund të ketë situata që të mblidhen dy-tre veta dhe të bëjnë përpjekje për ta kanalizuar në një drejtim krejtësisht të gabuar rezultatin zgjedhor. Kështu që, i takon çdo subjekti politik që brenda vetes të diskutojë se kush i ka humbur zgjedhjet, ndërsa PDK-ja është fituese e mirëfilltë e këtyre zgjedhjeve. Fitorja jonë është historike. Në këtë drejtim ne do të jemi ata që do ta formojmë qeverinë e ardhshme. Dhe nuk ka qeveri të ardhshme pa PDK-në”, ka thënë Hoxhaj.

Kurse partitë opozitare nuk e kanë ndërmend t’i bishtnojnë marrëveshjes për bashkëqeverisje, e cila është arritur më 10 qershor ndërmjet liderëve të LDK-së, AAK-së dhe NISMËS, si dhe pajtimit të djeshëm që asnjëra prej tyre së bashku edhe me Vetëvendosje!-n të mos t’i përgjigjen ftesës eventuale të partisë fituese, PDK-së, për koalicionin e ardhshëm qeverisës edhe nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ta formuar qeverinë në herë e parë dhe të dytën.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë për “Epokën e re” se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare si opozitë e bashkuar e jo të hyjnë në koalicion me PDK-në. “Ne tashmë e kemi ndërtuar një kulturë bashkëpunimi, një kulturë koalicioni, bile edhe një emër ia kemi lënë: ‘Kthimi i shpresës për qytetarët e Kosovës’. Dhe do të vazhdojmë të jemi të koordinuar dhe bashkërenduar deri në fund”, ka deklaruar Haziri. Në këtë kontekst, Haziri ka se Gjykata Kushtetuese nuk është e thirrur t’i bëjë favor ndonjë partie politike, por në këtë rast ta bëjë interpretimin e Kushtetutës. “Nuk do të ketë kthim prapa sepse ky koalicion ka grupimin më të madh parlamentar dhe ne po presim vetëm sqarimet nga Gjykata Kushtetuese si kërkesë e presidentes. Gjykata Kushtetuese nuk është për t’i bërë favore asnjë grupimi politik dhe asnjë individi, por është për të bërë interpretime të nenit kushtetues. Ne besojmë se neni kushtetues në këtë rast ka me qenë në favor të interesit të Kosovës”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, duke mos dashur të flasë shumë rreth vendimit që mund ta sjellë Gjykata kushtetuese, ka thënë për “Epokën e re” se kjo parti do t’i qëndrojë besnik marrëveshjes së arritur me LDK-në dhe NISMA-n për Kosovën. “Tashmë kemi marrëveshje të nënshkruar me LDK-në dhe NISMA-n. Qeveria Haradinaj nuk ka dilemë. Do të kemi qeveri të fuqizimit të shtetit dhe konsolidimit të demokracisë. Do të vendosim rend dhe ligj, si dhe zhvillim ekonomik për jetë më të mirë për qytetarët. PDK-ja do të mbetet në opozitë dhe vërtet do të jetë opozitë konstruktive”, është shprehur Ramadani.

I pyetur se a është e gatshme AAK-ja edhe për zgjedhje në rast se Kushtetuesja vendos në favor të PDK-së, Ramadani ka dhënë këtë përgjigje: “Çështja e Qeverisë së ardhshme është e kryer”.

Në anën tjetër edhe anëtari i Kryesisë së NISMËS, Bilall Sherfi, ka thënë për “Epokën e re” se janë të gatshëm edhe për zgjedhje parakohshme parlamentare, në rast se Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë në herën e parë dhe të dytë PDK-së për ta formuar Qeverinë. “Kushtetuta është shumë e qartë: mandatin për formimin e qeverisë e merr ai që i ka 61 vota. Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në të dyja rastet në favor të PDK-së, atëherë mund të shprehim vetëm keqardhje për një vendim të gabuar të kësaj gjykate sepse nuk mund ta kontestojmë, pasi nuk kemi instrumente ligjore për ta bërë një gjë të tillë. Në rast se ndodh kjo, ne do të vazhdojmë drejt përgatitjes së zgjedhjeve si një koalicion i përbashkët opozitar”, ka deklaruar Sherifi, duke shtuar se nuk janë të gatshëm të hyjnë në koalicion me PDK-në.

Më Shumë

Nën përcjelljen e policisë fillon shpërndarja e materialit zgjedhor nëpër komuna

Në shoqërinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është shpërndarë materiali zgjedhor nga depo qendrore e KQZ-së për zgjedhjet e nesërme. Materiali i ndjeshëm zgjedhor...

Botohen dy përzgjedhje nga krijimtaria e Ragip Sylajt

Janë botuar dy përzgjedhje nga krijimtaria e Ragip Sylajt dhe një libër me shkrime të pabotuara. Botuesi nga Prishtina “Jakup Ceraja” i ka botuar dy...

5-shja e Bashkimit

Lajmet e Fundit