8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Për shkak të grevës, dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Malishevës

Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj sot është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritej që me dëgjimin e dëshmitarëve të vazhdonte gjykimi ndaj tij lidhur me akuzat për korrupsion. Mirëpo, për shkak të mungesës së zyrtares ligjore të gjykatëses Violeta Namani, e cila është në grevë bashkë me pjesën tjetër të administratës, kjo seancë dështoi.

Në këto rrethana, seanca është shtyrë për 11 mars 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme punëtorët e administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit janë futur në grevë.

Në gjykimin ndaj Begajt, sot ishte paraparë dëgjimi i dëshmitarit Muharrem Morina, si dhe ekspertit financiar Agim Sheqiri për të elaboruar ekspertizën e tij, sipas propozimit të mbrojtjes, i cili në seancën e kaluar ishte aprovuar nga trupi gjykues.

Ndryshe, gjatë seancës fillestare së mbajtur më 5 gusht 2021, Begaj kishte deklaruar se ndjehet i pafajshëm. Njësoj u deklarua edhe në seancën e 24 janarit.

Aktakuza në këtë rast ishte konfirmuar në shtator të vitit 2021, ky vendim ishte marrë nga gjykatësja e Departamentit Special e ngarkuar me këtë lëndë, Violeta Namani.

Aktakuza ndaj Begajt ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të shkuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj po ngarkohet se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.

Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Po ashtu, i njëjti po ngarkohet se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Për këto veprime, Ragip Begaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Sot varroset aktorja Shirine Morina

Sot në orën 16:00 do të bëhet varrimi i aktores së njohur, Shirine Morina. Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se sot do të organizojë...

Moti sot: I vranët e me shi, rikthehet pluhuri saharian

Këtë të martë në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe me intervale të shkurtra me diell, ku pasdite dhe në...

Lajmet e Fundit