2.8 C
Prizren
E shtunë, 16 Nëntor, 2024

Përfundon rigjykimi për vrasjen e trefishtë në Prizren, aktgjykimi shpallet të martën

Të premten, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, është dhënë fjala përfundimtare në rastin e të akuzuarve për vrasje të rëndë, Eshref dhe Ejup Shemallari.

Eshref Shemallari akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa Ejup Shemallari akuzohet se i ka ndihmuar babait të tij në kryerjen e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky i fundit akuzohej edhe për bashkëkryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje, mirëpo për to kishte hequr dorë nga ndjekja penale Prokuroria Themelore në Prizren, më 29 shtator 2017.

Ndryshe në seancën e së premtes, në këtë rast që po zhvillohet në rigjykim, prokurori i kësaj çështje penale, Genc Nixha, fjalën përfundimtare gjykatës ia ka dorëzuar në formë të shkruar, duke thënë se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimin e kaluar.

Ndër të tjera, ai tha se pas marrjes për bazë të vërejtjeve të Apelit, pas së cilës vërejtje, është bërë rikonstruimi i vendit të ngjarjes, shikimi i CD- ve nga vendi i ngjarjes si dhe ekzaminimi psikiatrik i të akuzuarit Eshref Shemallari, siç ka deklaruar përfaqësuesi i akuzës, është vërtetuar se Eshref Shemallari, ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa Ejup Shemallari sipas prokurorit Nixha, ka marr pjesë në ndihmë në vrasje.

Pas dëgjimit të prokurorit Nixha, fjalën e tij në formë të shkruar, e ka dorëzuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Eshref Shemallari, avokati Mahmut Halimi, i cili gjatë elaborimit të së njëjtës, ka thënë se përveç se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimin e kaluar, siç ka thënë ai, të njëjtën e plotëson edhe me prova shtesë të cilat janë administruar në këtë rigjykim.

“Mbes në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimin e kaluar, dhe këtu për këtë çështje pas administrimit të provave, daljes në vend të ngjarjes, rikonstruimit të vendit të ngjarjes nga ana e gjykatës, me angazhimin e ekspertëve të balistikës si dhe dëgjimit të ekspertëve nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike. Unë me qëllim të racionalizimit të kësaj çështje, fjalës përmbyllëse të atëhershme i kam bashkëngjit provat të cilat janë administruar në këtë gjykim, dhe tërë fjala përfundimtare është e mbledhur edhe me prova shtesë të cilat i kam përmendur më lartë”, ka thënë avokati Halimi.

Ai ka thënë se, konstatimi i cili qëndron në përshkrimin faktik të veprës penale nën pikën 1 të akuzës, se dorëzimin e armës në Stacionin Policor të Prishtinës, e ka bërë i akuzuari Ejup Shemallari, i njëjti nuk qëndron.

Sipas mbrojtësit Halimi, se mbi bazën e provave të cilat ai i ka pranuar nga kjo prokurori, vërtetimi mbi dorëzimin e armës është nënshkruar nga i akuzuari Eshref Shemallari, e jo Ejup Shamallari.

Kurse, i akuzuari Eshref Shemallari, në tërësi e ka mbështetur fjalën përfundimtare të dhënë nga mbrojtësi i tij.

Në fund, fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Shemallari, avokati Betim Shala, i cili në elaborimin e së njëjtës, tha se duke i marr për bazë provat e administruara gjatë këtij procesi gjyqësor, nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij, e ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

“Dëshiroj të theksoj se nga provat e administruara e posaçërisht me rikonstruimin e vendit të ngjarjes, vërtetohet pretendimi i mbrojtjes se i akuzuari Ejup Shemallari, me dashje direkte nuk ka ndërmarrë asnjë veprim me anë të së cilës do të konsumohej vepra penale, vrasja e rëndë në ndihmë nga neni 179 par 1 pika 1.11 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ashtu siç akuzohet nga prokuroria”, ka thënë avokati Shala.

Për më tepër, ai ka thënë se i mbrojturi i tij, me rastin e drejtimit të automjetit, sipas mbrojtjes, i akuzuari Ejup, nuk ka qenë i vetëdijshëm se në atë automjet babai i tij Eshrefi, më herët i kishte vendosur armët.

Pas kësaj, avokati Shala, i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij, të merr aktgjykim lirues.

Ndërkaq, lidhur me vërejtjen e mbrojtësit Halimi, e që ka të bëjë me dorëzimin e armës në polici, prokurori Nixha, ka thënë se sa i përket këtij fakti, ai e ka bërë përmirësimin e të njëjtës, dhe atë qysh në seancën e kaluar

Ndryshe, familjarët e tani të ndjerëve, i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me faktin se siç thanë ata, se nuk qëndrojnë konstatimet e organit të akuzës në të cilën thuhet se i akuzuari Ejup Shemallari, nuk ka marrë pjesë në bashkëkryerjen e kësaj vepre penale me babanë e tij.

Në fund, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka shpallur të përfunduar këtë çështje penale, dhe sipas tij, aktgjykimi do të shpallet më 2 prill 2019, prej orës 13:30.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren, më 2 tetor 2017, Eshref Shemallarin e kishte gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 23 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe dy vjet për armëmbajtje pa leje, ndërsa si dënim unik ia ka shqiptuar 24 vjet burgim.

Ndërsa, djali i tij, Ejup Shemallari, ishte dënuar me katër vjet e gjysmë për ndihmën e dhënë babait pas kryerjes së veprës penale.

Mirëpo, për këtë vendim, Gjykata e shkallës së dytë, kishte gjetur vërejtje, dhe si të tillë, më 6 mars 2018, ka marr vendim që rasti përkatës të kthehet në rivendosje.

Ndryshe, ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, ngritur më 29 janar 2016, e cila në fillim i ngarkonte të akuzuarit Eshref dhe Ejup Shemallarin se në vitin 2015, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa tani, të akuzuarin Ejup e ngarkon vetëm se i ka ndihmuar babait të tij, në kryerjen e veprës penale.

Sipas organit të akuzës, Eshref Shemallari, pas një historie të gjatë konflikti, në mars 2015, kishte qëlluar për vdekje, me armë gjysmë-automatike dhe pistoletë, viktimat Ferdi Shishko, Haki Thaqi dhe Bilgin Ersoji.

Ndërsa Ejup Shemallari akuzohet se i ka ndihmuar babait të tij, Eshrefit, për të kryer krimin, duke e vozitur automjetin në bagazhin e të cilit gjendej automatiku dhe se pas kryerjes së krimit e ka larguar babain e tij në drejtim të panjohur.

Të akuzuarit në fjalë, pas rastit të atentatit në viktimat, për disa ditë, kanë qenë të arratisur e më pas janë dorëzuar veç e veç në polici, fillimisht i akuzuari Esheref, ndërsa pas dy dite edhe i akuzuari Ejup. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Prokuroria mund ta përfundojë rastin kundër krerëve të UÇK-së në prill 2025, thotë Trendafilova

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se rasti kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e...

Një duel shumë i rëndësishëm na pret sot në Prizren

Sot, në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës së basketbollit të Kosovës, Proton Cable Prizreni do të presë Pejën në një përballje shumë...

Lajmet e Fundit