16.6 C
Prizren
E premte, 13 Qershor, 2025

Përndjekja poetike që nuk mbaron

zomb-ag-apolloniArti poetik e gjen strehën e vet të përkohshme në çdokënd që e do atë si gjuhë, si komunikim, si diçka të veçantë me zomb ag apollonitë cilën krijon një marrëdhënie të çuditshme e padyshim të ndërsjellë perceptuale (duke përfshirë në një; ndijimin, meditimin e përsiatjen). Në thelb, poezia ka një tingullim muzikor në kujtesën emocionale të ndijuesit të vet dhe melodinë e saj të brendshme ia jehon gjatë, madje edhe pas leximit. Ajo të çon në do udhë të sajat, por je ti që e merr dhe e përthyen atë ashtu si do, duke krijuar një rrugëtim të veçantë, personal e të pangjashëm. Ky është kodi i fshehtë i komunikimit poezi-lexues, i cili ndërtohet në mënyrë të përveçme (gjithsaherë krijohet ky binom i domosdoshëm) dhe ndërmjetësi i paanshëm i të cilit është poeti.

Poezia e “Zomb” ka një magji të përtejme përsa i përket kësaj lidhjeje, e cila do të quhej e natyrshme në qoftë se do mbetej me aq. Por jo! Poetika e saj nuk ndalon në këtë komunikim. Ajo të ndjek. Të ndjek edhe pasi e ke lënë librin në radhë me librat e tjerë të lexuar. Të ndjek kjo frymë poetike si një hije e paqëllimtë, madje krejt rastësore, por që nuk gjen kurrkund vend më të mirë se sa diku aty afër teje. Nuk ka lidhje me ty, po (pse jo) le të rrijë me ty. Më shumë se fjalë të pëshpërit gjendje dhe të tregon për heshtjen, e cila bart jetën ndërmjet, vdekjen ndërmjet me një shije të athët e të përherë në mendje.

Përfshirja në poetikën e librit ndodh më së pari prej efektit që vetë ajo jep, pasi “fabula poetike” jo domosdoshmërisht ka rëndësi, duke qenë se poeti, zëri që këndon , në të vërtetë shkon përtej saj. Avulli i dalë prej thellë kraharorit poetik me një dendësi shpirtërore të dukshme është një përhumbje artistike prej së cilës nuk heq dorë gjer në fund, ose dhe aspak (për shkak të përndjekjes që thamë më lart). Ndryshe nga sa jemi mësuar zakonisht me librat poetikë, të cilët ngërthejnë përzier shumë kohë e ndjesi, te “Zomb”- i s’mund ta mohosh kënaqësinë që ndjen pasi ai është përqendruar qartësisht vetëm në një hapësirë të kufizuar historie dashurie. Libri, i gjithi i strukturuar më së miri, sillet rreth saj, fillon e mbaron me të.

Kjo veçanti të fal një lloj qetësie e lirshmërie të ndërsjellë me vetë poezinë dhe të bën një perceptues më të mirë e më të kujdesshëm. Dashuria bëhet pikënisje filozofimi ekzistencial prej vetë subjektit poetik, i cili vjen si njeriu që me gjysmën tjetër të tij lidhet, zgjidhet, humbet, përhumbet, përjetësohet.

Si njeriu që nuk i shpëton dualitetit të vet të përjetshëm me njeriun; me zotin; me veten; me artin, me gjithçka që ai sheh si pjesë të domosdoshme të qenies së tij.

Haiku: N’brij m’therr kur ti shkon/Kur ti vjen t’urrej e t’du/Je prej meje për mu/

Sangee:/ Shohim qiellin blu/Kalojmë t’lirë çdo shteg/Dielli na buzëqesh/Neve na vjen zheg/Shohim e s’mendojmë/As mundohemi/Mes brigjeve t’blerta rrjedh jeta jonë/Shumë vonë mbas nesh/Lindi dhe kureshtja/E si krimb i uritun na e hangri kryet tonë.

Tevatyr:… Shpirtrat tanë në heshtje me sa zâ kanë këlthasin…

Neveria: Gjithçka vjell të djeshmen/Gogësin/Kundërmon/Bishta cigaresh flenë në tavllë/ Tymi i fjalëve më mbështjellë/Fytyra jote ndrron ngjyrë/Tjetër ngjyrë merr/

Gjuha sillet ‘guvën e kambanës/Dhe tinguj t’thekshëm nxjerr/Tam tam tam

Bie ni kambanë/Të gjith gjithçka flasin/Ne notojmë mbi fjalë/Si barka mbi valën

E s’e kuptojmë pse askush/Heshtjes nuk ia jep fjalën.

“Përfshirja poetike” dhe “jo përfshirja poetike” janë në një ekuilibër të çuditshëm, të cilin më së miri do ta përktheja si forcë artistike të matanë fjalës. Ti sheh gjurmë emocionale, por dhe nuk sheh. E ke lexuar, por nuk e ke lexuar; është po nuk është; asnjëra, por ndoshta ndonjëra.

Pas leximit, mund të thuash se ke udhëtuar në një libër, me arkitekturë të punuar në mënyrë të kujdesshme, të menduar e të frymëzuar jo vetëm prej muzës, por ngushtësisht edhe prej arteve të tjera. E di, e kupton, madje edhe vetë autori ta shpjegon imtësisht në rrëfimtoren e tij të sendërtuar në faqet e fundit të librit. Por teksa fillon procesi yt i largimit nga libri, ti vëren se ke kaluar në një ndërtesë të tillë poetike, e cila edhe pse e menduar dhe e studiuar në detaj nuk ta largon vëmendjen nga gjithçka frymon poetikisht brenda saj. Nëse do arsyetonim me parimin e kameleonit (i cili siç e dimë ndryshon ngjyrë sipas vendit ku ndodhet) mendoj se në këtë libër (sipas perceptimit tim poetik) ndodh e kundërta: të gjitha vendet e përfytyruara ku vendoset kjo poezi, marrin ngjyrën e saj, të pangjashme.

Spectrum: Shi/Shi/Shi/Un po lagna n’vetmi/Shi/Si ditën kur e vramë atë që na desht’

Shi/E fjala shtrëngon dhambët e heshtë/Shi/Shi/Shi/Tanë ditën e lume po bie shi/

Në dritaret e shpirtit tem/Bukuria jote shihet me zemër/Me zemrën që po dhemb/

Shi/Shi/Shi/….

Zomb:Ti mâ nuk je/Un jam dhe s’jam…/…Un jam Zomb Zomb Zomb/I ngujum n’mes dy botëve/Zotin dhe Om-in i njoh i shoh/Po kurrgjâ nuk më ngroh…/

…Me të gjallët nuk m’rrihet/Prej t’vdekunve askush nuk më njeh/Mes dy botëve i ngujum/Larg Edenit/Larg teje/Ni dolli ngre/Çohu viktima eme/Fell në zemrën tande hapma ni vorr/Mos m’le me u end’ rrugëve si kufomë e gjallë.

Poezia e “Zomb” ka shijen ngjethëse të një gote vere, përhumbjen e një teli kitare dhe dehjen e shpirtit që futet e del prej mishi sikur ky i fundit të qe një konvencion, një simbol i pakët e i pamjaftueshëm.

Shpirtit nuk i mjafton përkohshmëria, as jeta e as vdekja. Etja dashurore, etja artistike, etja e çfarëdolloji qoftë na mban peng ndërmjet botëve në përpjekjen për të kaluar matanë asaj çka dimë e njohim; për të kaluar matanë, duke marrë me vete gjithçka poetike që na përket a i përkasim, na përndjek a e përndjekim./Erina Pavle Çoku/

Më Shumë

Presidentja Osmani: Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë

Sot janë bërë 147 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në shënimin e kësaj date të rëndësishme, presidentja e Republikës së Kosovës,...

Ndeshja Shqipëri-Serbi/ Policia: Ja masat e reja në Tiranë

Ekipi kombëtar i Serbisë mbërrin sot në Tiranë për ndeshjen e së shtunës, më 7 qershor në orën 20:45, ku do të përballet me...

Lajmet e Fundit