Në prani të shumë familjarëve të dëshmorëve, ish luftëtarëve të UÇK-së dhe drejtuesve komunal, u përurua pika historik “Maja e Shkodranit”. Duke folur për rëndësinë historike dhe turistike kryetari i komunës Idriz Vehapi tha se të gjithë duhet të ndjehemi krenar, sepse po përurojmë një qendër historike, që në të ardhmen do të shërbejë edhe si pikë referuese e turizmit në këtë komunë.
“Ne po bëjmë shumë pak në krahasim me sakrificën e madhe që bënë dëshmorët për lirinë e Kosovës. Ky investim i Komunës së Rahovecit do të shërbejë për brezat e ardhshëm si pikë referuese për të dëshmuar qëndresën heroike të luftëtarëve të UÇK-së. Këtu ranë dëshmorë Mizahir Isma, Arian Brahimi (Shkodrani), Eshrafedin Kastrati dhe Bekim Isma, prandaj meritojnë të kujtohen e përjetësohen në këto kodra të Rahovecit.
Në të ardhmen besojmë se do të ketë edhe investime të tjera për të marrë karakterin e një qendre historike e turistike dhe për të plotësuar në tërësi pamjen e një pike atraktive për banorët e komunës së Rahovecit, por edhe për të gjithë ata që dëshirojnë ta vizitojnë vendin tonë”, shtoi ndër të tjera kryetari Vehapi.
Ndërsa, Sabahajdin Cena, ish epror i lartë i UÇK-së përmendi kushtet e vështira dhe të rrezikshme në të cilat rezistuan këta luftëtarë. Ai tha se një betejë të pabarabartë, por heroike këta katër dëshmorë hynë në përjetësi, duke mos pranuar të lëshojnë për asnjë mënyrë istikamet e luftës. Në emër të familjarëve të dëshmorëve falënderoi Rexhep Kastrati, babai i dëshmorit Eshrafedin Kastrati.
Investimi i fundit tek “Maja e Shkodranit”, buxhetit të komunës së Rahovecit i ka kushtuar rreth 20,000 , dhe në të ardhmen mund të investohet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Kjo pikë do të hyjë në hartën e vendeve turistike në komunën e Rahovecit.
Gjatë ditës së sotme janë bërë homazhe dhe nderime për dëshmorët e korrikut ’98 edhe në vendet e rënies dhe pranë përmendoreve të dëshmorëve e martirëve.