Pesë persona u arrestuan dje në mesditë nga Policia e Sarandës dhe Drejtoria e Policisë së Vlorës me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë së një adoleshenteje 18- vjeçare, nga Tirana e rrëmbyer disa ditë më parë. Policia arreston të dyshuarit e ngjarjes, ndërsa po heton për rastin dhe për rrethanat e heqjes së paligjshme të lirisë së vajzës.
Ndërkaq dyshimet e policisë janë se personat jo vetëm që e kanë mbajtur peng dhe hequr lirinë adoleshentes, por edhe se mund ta kenë përdorur atë si prostitutë në Sarandë gjatë këtij sezoni turistik. Gjithsesi policia nuk ka nxituar të konkludojë apo të japë deklarata sa i përket faktit se vajza është përdorur për qëllime prostitucioni, apo se kanë tentuar ta përdorin për këtë qëllim. Drejtori i Policisë së Vlorës, Kastriot Skënderi konfirmoi për gazetën “Shekulli”, dje në mbrëmje se personat ishin arrestuar në qytetin e Sarandës dhe se dyshohet se e kanë mbajtur vajzën peng në një apartament në qytetin e Sarandës. Policia tha se pas informacioneve nga një banor i zonës kishin mbërritur aty, duke ndaluar pesë të dyshuarit si rrëmbyes të vajzës 18 vjeçare. Ermal Taka, Pëparim Breçani, Arlind Maroshi, Ramiz Cenaj dhe Arjan Kabili, u arrestuan nga policia në flagrancë me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim, si dhe të kanosjes me armë të ftohta.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Skënderi tha se deri më tani ata kishin të dokumentuar veprën penale “heqjes së paligjshme të lirisë” për të cilën ishin arrestuar pesë personat. “Këta shtetas në bashkëpunim duke ushtruar dhunë fizike dhe armë të ftohta kanë hequr në mënyrë të paligjshme lirinë e shtetases M. I., 18 vjeç nga Tirana e shpallur në kërkim si e larguar nga banesa të cilën e kanë marre me forcë në një lokal në Sarandë ku punonte si kameriere.
Në banesat e këtyre personave u gjetën maska, armë të ftohta të cilat kishin shërbyer për kryerjen e krimit”,- tha policia e Vlorës në deklaratën e saj zyrtarë në lidhje me arrestimin e të dyshuarve. Sa i përket dyshimeve të tyre nëse ata mund ta kenë shfrytëzuar, apo tentuar për ta shitur adoleshenten tek klientë të ndryshëm për marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, Skënderi tha se ende nuk mund të flitet për këtë fakt, pasi ata ende janë duke punuar në lidhje me veprimet e të arrestuarve.
Adoleshentja është marrë në pyetje nga policia në praninë e një psikologeje. Ndërkaq sa i përket hetimeve në lidhje me akuzën e shfrytëzimit për prostitucion, pritet që hetuesit e policisë të analizojnë dëshminë e vajzës dhe të marrin deklarimet e saj dhe t’i ballafaqojnë me dëshmitarë dhe me ato të të arrestuarve. Policia e Vlorës arrestoi pesë personat e dyshuar pas denoncimit të prindërve të vajzës. Sipas policisë të arrestuarit Taka, Breçani , Maroshi dhe Cenaj kanë marrë me dhunë 18-vjeçaren me iniciale I.M e cila ishte shpallur në kërkim pasi ishte larguar nga shtëpia. Prindërit kishin njoftuar policinë ndërsa blutë ishin vënë në kërkim të adoleshentes. Ngjarja ka ndodhur në një lokal ku 18-vjeçarja punonte si kameriere. Policia ka sqaruar se në banesat e të arrestuarve janë gjetur maska dhe armë të ftohta. Ndërkohë ka filluar procedim penal për 20-vjeçarin Arjan Kabili i cili akuzohet se ka tentuar të shfrytëzojë për prostitucion 18-vjeçaren.
Të arrestuarit:
Ermal Taka 26 vjeç, nga Shijaku,
Përparim Breçani 26 vjeç nga Durrësi,
Arlind Maroshi 21 vjeç, nga Hamallaj Durrësi,
Amaril Maroshi 19 vjeç, nga Hamallaj Durrësi,
Ramiz Cenaj, vjeç 19, nga Manza.