19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Petrovci: Ishte gjë e bukur të jesh shqiptar në Izrael

EnverPetrovci-aktorAktori i mirënjohur kosovar, Enver Petrovci, ka marrë pjesë në Javën e Filmit Kosovar që u mbajt ditë më parë në Izrael dhe ku janë prezantuar dy filma nga Kosova: “Kukumi” nga Isa Qosja dhe “Anatema” nga Agim Sopi. Në një intervistë për Radio Kosovën, Petrovci rrëfen për përjetimet e një artisti shqiptar në Izrael, sidomos për respektin që ushqejnë izraelitët për shqiptarët.

RADIO KOSOVA: Z. Petrovci, ditë më parë ju keni marr pjesë në Javën e Filmit Kosovar në Izrael . Cili është vlerësimi i juaj për këtë eveniment kulturor?

ENVER PETROVCI: Është një tendencë fillestare që të bashkëpunojmë dhe të njihemi me njëri-tjetrin. Të mos harrojmë se Java e Filmit Izraelitë në Kosovë është mbajtur për dy vjet me radhë. Unë kam qenë prezent dhe kam parë shumë filma izraelitë interesant. Por, është mirë që edhe ne të shkojmë atje dhe ta prezantojmë veten, nuk është keq që Izraeli, nëpërmes filmave, të na njoftojë më mirë, pse jo edhe me kohë, t’i bindim për praninë e Kosovës si shtet, gjë që besoj se edhe në këtë aspekt kemi kontribuar. Jemi prezantuar me dy filma “Kukumin” e Isa Qosjes dhe “Anatemën” të Agim Sopit.

RADIO KOSOVA: Në këtë ngjarje keni marrë pjesë vetëm ju. A kanë qenë në pyetje dokumentet e udhëtimit, meqë Izraeli ende nuk e njeh Kosovën si shtet?

ENVER PETROVCI: Po. Nuk kanë mundur të udhëtojnë, unë kam dokumentet e Shqipërisë, kështu që unë nuk kam pasur kurrfarë problemi, por shpresojmë, ashtu edhe na kanë premtuar, që takimin e ardhshëm që do të bëhet sivjet prapë, do të bëjnë çmos që të udhëtojnë për në Izrael edhe ata me dokumente kosovare.

RADIO KOSOVA: Nga kush u pritët në Izrael, a patët rastin të takoheni me ndonjë artist të Izraelit?

ENVER PETROVCI: Patëm rastin të takohemi me yllin e yjeve të Izraelit – pra me themeluesen e kinematografisë izraelite, me zonjën Ri Maria, e cila i kishte 94 vjet. Ajo na respektoi dhe na nderoi. Na u prezantua, na përshëndeti … ajo gjithashtu është edhe pronare e shumë kinemave nëpër Izrael … na premtoi që në shtator të bëhet një organizim shumë më i madh, sepse çdo fillim është i vështirë, dhe sido që të jetë – u bë një njoftim – që jemi, që ekzistojmë.

RADIO KOSOVA: Çfarë tematike patën filmat e Kosovës?

ENVER PETROVCI: “Anatema” është temë e luftës dhe “Kukumi” temë e pasluftës … disa njerëz të sëmurë që dalin nga spitali … është temë shumë e rëndë .

RADIO KOSOVA: A mendoni se shfaqja e këtyre dy filmave do t’u ndihmojë qytetarëve të Izraelit që ta njohin realitetin që i ka ngjarë popullit tonë?

ENVER PETROVCI: Më pyetën pse kemi bërë këso filmash? U thashë se ky është realiteti i Kosovës, kjo është Kosova, ne nuk kemi shpikur asgjë, bile jeta është shumë më e vështirë se sa që po e tregon filmi. Më thanë se nuk e kishin ditur që është kaq e rëndë të jetohet në Kosovë. Do të sjellim filma më të lehtë, u thashë… dhe jam i sigurt që “Gomarët e kufirit”- film i Jeton Ahmetajt, do të jetë film i preferuar për ta.

RADIO KOSOVA: A ka pasur ndonjë vlerësim apo kritikë nga mediat, njerëzit e kinematografisë, apo nga shikuesit e rëndomtë?

ENVER PETROVCI: Mund t’ju them se kam takuar një gjakovare e cila kishte shkuar në Australi 3 vjeçe, dhe ishte takuar atje me një hebre dhe ishte martuar me të, tani po jetonte në Jerusalem. Ishte një çift shumë i mirë… atyre u erdhi mirë që ne si artistë dhe me filmat që prezantuam, i bëmë pak të ndiheshin krenarë.

RADIO KOSOVA: Është një lloj marketingu për popullin tonë apo?

ENVER PETROVCI: Patjetër, kjo është gjëja e parë që bëjmë, nuk ka marketing më të mirë për një shtet se sa marketingu kulturor.

RADIO KOSOVA: A duhet të paraqiten edhe në vende tjera të botës këta dy filma, për të mësuar për realitetin e Kosovës?

ENVER PETROVCI: Është mirë të paraqiten gjithë ata filma që i kemi. Ne nuk kemi shumë filma, po ata që i kemi duhet të paraqiten sa më shumë. Kemi disa filma që janë të mirë, kanë nivel të mirë dhe me krenari mund t’ i paraqesim nëpër botë. Janë disa që nuk ia vlejnë, por së paku këta që ia vlejnë – t’i tregojmë nëpër botë.

RADIO KOSOVA: Aktrimi, realizimi … a mund të themi se mund të krahasohemi me vlerat botërore të filmit?

ENVER PETROVCI: Po. sidomos në aktrim, aty nuk kemi kurrfarë dallimi. Bile – bile mund të jemi pak më të mirë se të tjerët. Filmin nuk e bëjnë aktorët, filmin e bëjnë – më së pari skenari i mirë, skenari interesant, regjia e mirë, kamera, e pastaj edhe aktrimi. Mungojnë – tani për tani, skenarët e mirë, aty duhet të investojmë më shumë.

RADIO KOSOVA: Populli izraelitë, a kishte paragjykime, sa ishte i informuar për popullin tonë?

ENVER PETROVCI: Mirë që ma dhatë këtë pyetje, ishte bukur me qenë shqiptar në Izrael. Dinin për ne shumë, kishin shumë informata … edhe njerëzit e rëndomtë e dinin se ku është Kosova, e dinin se çka i kishte ndodhur Kosovës dhe e dinin çfarë fati historik ka pasur Kosova.

RADIO KOSOVA: Gjatë kohës së Holokaustit shqiptarët u kanë ndihmuar hebrenjve.

ENVER PETROVCI: Edhe këtë ata dinin. Ishin të informuar se shqiptarët u kanë ndihmuar shumë hebrenjve, e dinin se asnjë hebre nuk është vrarë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe në Kosovë.

RADIO KOSOVA: A mendoni se pikërisht për këto shkaqe duhet të bëhet një skenar i veçantë për një film të veçantë që të vetëdijesohen gjeneratat e ardhshme?

ENVER PETROVCI: Mendoj se një film nuk ndihmon shumë. Për këtë bënë duhet të punojnë ministritë e përkatëse, sidomos Ministria e Arsimit edhe ajo e Kulturës. Ato duhet t’u japin urdhër nxënësve që të shkojnë në muze, e sidomos në e muzetë më të reja, të pas Luftës së Dytë Botërore, të shkohet në shtëpinë e Adem Jasharit. Është i obliguar çdo fëmijë të shkojë atje, jo vetëm një herë. Nuk ka asnjë qytet apo fshat i cili nuk ka heroin e vet, së paku heroin e vendit tonë ta respektojmë.

RADIO KOSOVA: Për fund, a mund të na thoni cili është vlerësimi juaj për kinematografinë e Kosovës dhe a prisni që ajo të dalë nga kjo gjendje e vështirë?

ENVER PETROVCI: Shpresa është gjëja e fundit që vdes. Unë nuk pres që do të ndodhë ndonjë mrekulli. Një film i mirë është shumë më i rëndësishëm se 1000 shëtitjet politikanë i bëjnë nëpër botë për të lobuar. Një film lobon shumë më tepër se qindra-qindra politikanë. Këta jemi ne – tani për tani nuk po shoh ndonjë shpresë se do të ndryshojë diçka.

Më Shumë

Arrestohet dhe ndalohet për 48 orë polici kufitar i përfshirë në konfliktin e djemve në Prizren

Përfshirja në një konflikt për t’iu dalë në ndihmë djemve i kushtoi me suspendim një zyrtari policor kufitar në Prizren. Polici i përfshirë në...

Formacioni i mundshëm i Kosovës

Kosova sonte përballet me Rumaninë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku edhe shënon rrugëtimin në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Në praninë e një...

Lajmet e Fundit