24.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Pinoku prej letre i Roland Tashos

Nga Virgjil Muçi

E pra, gjithë ajo histori zë fill me një karrige të vjetër druri, e cila as që e kishte ëndërruar ndonjëherë se do të bëhej pjesë e historisë së letrave shqipe. Në njëfarë mënyre, ka diçka të ngjashme me copën e drurit me anë të së cilës Gjepeti solli në jetë një krijesë, sipas shëmbëlltyrës së vet, të famshmin Pinok. Po kështu edhe Roland Tasho mori e krijoi një histori të letrave në shqipe në fotografi, duke u nisur prej një karrigeje të thjeshtë e të vjetër prej druri.

Thënë sheshit, Albumi i Roland Tashos është një krijesë origjinale e fotografit tonë, ndoshta diçka unikale në llojin e vet, me gjasë jo vetëm te ne, por edhe në botën e madhe të artit të përbotshëm, dhe, ç’është më e rëndësishme, ajo është shprehje dashurie e një lloji të veçantë për letrat dhe njerëzit e saj, ku imazhi rreket të rrokë e të shprehë atë që shkrimtarët-personazhe janë rropatur ta bëjnë me anë të fjalëve.

“Duke botuar këtë libër me portrete të shkrimtarëve dhe përkthyesve të letrave shqipe nuk kam synuar kurrsesi të ndërtoj panteonin e letërsisë shqipe bashkëkohore. Përkundrazi, thjesht e me modesti, kam bërë punën time prej fotografi dhe dëshmitari të kohës që jetojmë”, ja kështu shprehet Gjepetoja ynë, diku në parafjalën që shoqëron albumin e tij. Dhe ne që e njohim atë dhe punën e tij e dimë se këto fjalë dalin nga loçka e zemrës dhe janë më se të vërteta; thënë me fjalë të tjera, ai është i vetëdijshëm që panteonet e shkrimtarëve, ashtu si shumëçka në shoqërinë tonë, janë kështjella të ndërtuara me themelet në rërë, ndaj diçka efemere, por, nga ana tjetër, ai është po aq i ndërgjegjshëm për misionin e tij – ndjesë Landi për fjalët e mëdha, e di që nuk janë në regjistrin tënd – të fotografit si dëshmitar i kohës dhe i vendit ku jeton. Siç shprehet një sivëlla i tij i profesionit, “Ne jemi syri i Zotit dhe jo dora e tij”. Por edhe pse ai nuk synon të ndërtojë panteone, mission impossible ky edhe për njerëz më të zotë e më me shumë pushtet se fotografi ynë, Tashoja nuk ngurron të mëtojë se albumi i tij ka fytyrën e shoqërisë shqiptare, një shoqërie ku të djathtë e të majtë, të talentuar e mediokër jetojnë krah për krah shoqi-shoqit, natyrshëm, ashtu si gjallesat në skenën e madhe të mëmës natyrë. Për Tashon dhe krijesën e tij realizmi socialist, ai demokratik, modernizmi, natyralizmi dhe çfarëdolloj rryme nuk janë veçse koncepte abstrakte dhe, si të tilla, diçka e zbrazët në vetvete, pa kumt e substance, ndërkohë që të gjithë personazhet e tij (në qoftë se më lejohet t’i quaj kësisoj ata që gjatë gjithë jetës veç personazhe kanë ngjizur e krijuar) kanë një emër të përbashkët dhe të fisëm, pavarësisht nga shkëlqimi individual i gjithsecilit: Shkrimtarë.

“Ne shkruajmë libra, dikush më mirë e dikush më keq, por ky libër me foto është diçka ndryshe nga librat tanë, një gjini tjetërsoj, por po aq e vlefshme sa edhe librat e shkrimtarëve”, është shprehur Ismail Kadareja për librin e Tashos, duke inventuar një zhanër të ri, fotoletrar, në qoftë se mund ta quajmë kështu. Ndërkohë që një tjetër legjendë e gjallë e letrave shqipe, Dritëro Agolli, ka krijuar një metaforë sipas stilit dhe midesë së tij, duke thënë: “Kjo karrige është si puna e verës. Sa më e vjetër aq më me vlerë ka për të qenë”. Shko e thuaj paskëtaj që metaforat nuk janë si ato maskat, të cilat janë edhe më të vërteta se vetë fytyra që shkon e fshihet pas tyre.

Portretet e Roland Tashos shquhen jo vetëm për teknikën origjinale të konceptimit të portretit, por, gjithashtu, për zhbirilimin psikologjik të personazhit. “Gjatë procesit të fotografimit, sidomos kur punon në zhanrin e portretit është e domosdoshme njohja me personin në mënyrë që fotografia të jetë sa më natyrore, ekspresive njëherazi”. Ja si shprehet Tashoja, i cili nuk është ndonjë teoricien i fotografisë, por një artist me përvojë të gjatë jetësore dhe profesionale, çka i vesh me një petk çiltërsie thëniet e tij.

Dhe në fund të këtyre radhëve ma ka ënda t’i kthehem rishtazi metaforës së Pinokut që sendërtuam në krye të këtij shkrimi dhe t’u themi lexuesve se edhe shkrimtarët janë njëfarësoj Gjepetosh: së pari, ngase me romanet e poezitë e veta rreken të krijojnë karaktere prej fjalësh dhe t’i veshin ata me mish e me gjak e t’u japin frymë (krejt si zdrukthëtari plak me krijesën e vet të drunjtë) dhe, së dyti, ashtu si ai plaku i mirë, ata ëndërrojnë atë ditë kur krijesat e tyre do të jenë bërë të përmendur dhe njihen prej gjithsekujt, duke u shndërruar, kësodore, ashtu si Pinoku, nga një krijesë e drunjtë, pra e rreme, në një krijesë të mishtë, ashtu si gjithë gjindja tjetër.

Më Shumë

Përfundon shtrimi i shtresës së parë me asfalt në aksin rrugor që lidh fshatrat Novakë dhe Shpenadi

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se sot është përfunduar shtrimi i shtresës së parë me asfalt në aksin rrugor që lidh fshatrat Novakë dhe...

Vdes pjesëtari i Policisë së Kosovës, Rrustem Palushi

Ka vdekur pjestari i Policisë së Kosovës, Rrustem Palushi. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Sindikata e Policisë së Kosovës, të...

Lajmet e Fundit