18.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Pjetër Bogdani, Gjuha shqipe dhe Kombi

Teologu më i njohur shqiptar dhe figura më e ndritur e letërsisë së vjetër shqipe. Imzot Pjetër Bogdani, shquhet jo vetëm si meshtar e ipeshkëv i madh, por edhe si atdhetar, dijetar e letrar që dha kontribut të çmueshëm në përpjekje për çlirimin e popullit dhe vendit nga zgjedha osmane, si dhe për zhvillimin e përparimin e kulturës së shqiptarëve.

Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme kishtare, pra ungjillëzuese dhe atë atdhetare e politike 40- vjeçare, sidomos me rolin që luajti si formues i ndërgjegjes së shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e tij teologjike “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdani konsiderohet si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes kombëtare.

Vepra e imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve” u botua më 20 shtator të vitit 1685 në qytetin e Padovës në Itali, dhe u rishtypin më 1691 dhe 1702 në Venedik, duke u cilësuar si libri i parë i prozës origjinale shqipe dhe një nga monumentet e gjuhës, kulturës dhe letrave shqipe.

Imzot Pjetër Bogdani (lindi më 19 shtator 1630 në Has – vdiq më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë). Mësimet e para i bëri në Ciprovac, Bullagri. Në vitin 1674 ishte nxënës i kolegjit ilirik të Loretos. Pas studimeve filozofik e atyre teologjike shugurohet prift. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes[1]. Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin papnor të Propagandës së fesë. Aty i mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në Romë dhe mori titullin doktor. Pas një kohe veprimtarie e apostulli si meshtar, emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë. Më 1675 e shkruan librin ‘Çeta e profetëve’ dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit Propaganda Fidae për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin e librit.

Në vitin 1677 emërtohet kryeipeshkëv i Shkupit në vend të të ungjit, imzot Andrea Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683. Në dhjetor të atij viti vdes Imzot Andrea Bogdani. Pjtër Bogdani arratiset në male me ç’rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip të punuar nga Adreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim. Libri ‘Cuneus Prophetarum’ botohet në fund të vitit në Padovë te Barbarigo.

Një tjetër element i rëndësishëm i veprimtarisë së Imzot Pjetër Bogdanit është se ai njoftoi rregullisht Selinë e Shenjtë të Romës dhe botën mbi gjendjen njerëzore, pra shoqërore, ekonomike, si dhe atë shpirtërore të shqiptarëve në atë kohë, përmes Relacioneve të detajuara, dërguar Papës e organeve Kishtare të Romës nga Shkupi e vendet tjera, si për shembull: “Mbi gjendjen shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë e Serbisë 1687–1688” (“Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia”).

Misionit shpirtëror e antiturk

Krahas misionit shpirtëror, atij ungjillor, imzot Pjetër Bogdani, punoi edhe në kultivimin e identetitetit Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke dhe u bën vizita të gjitha bashkësie kishtare në vende të Kryeipeshkëvisë së vet. Në vitin 1689 depërton ushtria austriake. Në nëntor kjo ushtri arrin në Prishtinë. Imzot Pjetër Bogdani niset me ushtrinë për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje. Atje sëmuret nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot. Ndërroi jetë më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë ku edhe varroset. Siç njoftonte nipi i tij Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij.

“Cuneus prophetarum” (Çeta e profetëve)

Vepra e ipeshkvit imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik, me titull të ndryshëm. Vepra “Cuneus Prophetarum”, sipas përkthimit të at Justin Rrotës ofm “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme teologjike e të trashëgimisë të vjetër letrare në gjuhën shqipe. Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër.

 

Karakteri origjinal i veprës duhet marrë në mënyrë relative për përmbajtjen e karakterin fetar që kishte, por duhet thënë që nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar në formë përkthimi. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika teologjike, biblike e filozofike, këndej fetare, tek historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi. Kjo larmi temash çon edhe në larmi stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme shqipe.
imzot Pjetër Bogdani ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639. Mendimet e njohuritë e ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave apostolike e baritore në viset e dioqezave që ai drejtoi si bari shpirtëror.

Dashuria për gjuhën dhe kombin

Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Atdheun e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria bashkatdhetarët e tij dhe kundërshtim të thellë për pushtuesin osman. Imzot Pjetër Bogdani kërkonte që t’i jepeshin popullit shqiptar libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.

Imzot Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqip dhe popullin shqiptar me të vërtetat e fesë së krishterë e, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës si dhe në teologjik e në fjalorin kishtar në përgjithësi. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e imzot Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.

Imzot Pjetër Bogdani u nga nga jeta  më 6 dhjetor 1689, në Prishtinë, nga epidemia e murtajës Personaliteti i shquar i Kishës, kombit dhe kulturës shqiptare, ipeshkvi i jashtëzakonshëm, prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog e filozof shqiptar nga Hasi (krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë.

Më Shumë

S`ka rroga, ndërrimi i parë i punëtorëve të `Trepçës` bojkoton punën

Ndërrimi i parë i punëtorëve në Trepçë nuk kanë punuar sot për shkak se ende nuk i kanë marrë pagat e plota, njofton RTKlive. Disa...

Përkujtohen dëshmorët dhe martirët e Lubizhdës së Hasit

Në Lubizhdë të Hasit, të premten është mbajtur manifestim përkujtimor në nderim të 14 dëshmorëve dhe 40 martirëve të këtij lokaliteti. Familjarë të dëshmorëve...

Lajmet e Fundit