Borut Pahor, ish-Presidenti i Sllovenisë, para dhjetë ditësh bëri të ditur, përmes një prononcimi në mediat shoqërore, arsyet pse ai nuk ka aplikuar për tu bërë EUSR (Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian), për dialogun e Kosovës dhe Serbisë, si dhe për Ballkanin Perëndimor.
Dihet që në fund të këtij muaji, apo me 31 janar, do t’i skadojë mandati i fundit Miroslav Laj?akut si ESUR. Laj?ak ia ka nisur ta ushtrojë këtë detyrë hiç më pak se pesë vjet më parë.
Ky është në fakt pesëvjeçari që nuk ka sjellë farë ndryshimi të matshëm në raportet e Kosovës dhe Serbisë. Janë bërë dy Marrëveshje, në vitin 2023 (ajo e quajtur Marrëveshja Themelore dhe tjetra, e njohur si Aneksi i Ohrit), por zbatimi i tyre ka ngecur krejtësisht, teksa ky vendnumërim politik është përcjellë me tensione të larta të sigurisë dhe me ngjarje të rënda, përfshirë këtu edhe sulmin paraushtarak të Serbisë në Banjskë të komunës së Zveçanit, në shtatorin e vitit 2023.
Por, t’i kthehemi arsyetimeve të ish-Presidentit të Sllovenisë që shtynë atë të heq dorë nga mundësia eventuale për ta marrë një detyrë të rëndësishme në BE.
Në të vërtetë, nëse ato sqarimet dhe shpjegime e tjera shfaqin zhgënjimet e tij me mandatin dhe detyrën e EUSR (madje, edhe me kohëzgjatjen njëvjeçare të detyrës së tij eventuale), njëri prej tyre ka peshë kapitale në gjithë këtë ndërmarrje ndërkombëtare (të BE-së dhe të SHBA-së), që ky për synim normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili është kushti suprem për te dy këto shtete që ato të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Për më shumë, është kusht kyç për stabilizimin afatgjatë të kësaj pjese të Evropës.
Pahor pra, në bisedimet me zyrtarë të ndryshëm të BE-së, i ka marrë vesh dy gjëra të rëndësishme: Njërën nuk e shpreh në mënyrë eksplicite (por ajo nënkuptohet), e tjetrën edhe e thekson qartë.
E vërteta e parë, e pathënë troç prej ish-Presidentit të Sllovenisë, është që në Bruksel nuk ka aktualisht qartësi se çka duhet bërë me procesin e zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kroacia është shteti i fundit nga kjo anë që është pranuar në BE, në vitin 2013.
E vërteta e dytë, e cila përmendet në mënyrë të prerë nga Pahor në paraqitjen e tij në mediat shoqërore, është që Brukseli refuzon ta trajtojë mundësinë që të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, në grup, së bashku pra, të anëtarësohen në BE, në një të ardhme afatmesme.
Në të vërtetë, këto dy të vërteta janë të ndërlidhura.
BE-ja, si po duket, do të provojë ta mbajë gjallë procesin e zgjerimit, duke i afruar kah porta e tij Malin e Zi dhe Shqipërinë. Malin e Zi, sepse problemet identitare janë në rritje e sipër, Shqipërinë, sepse dëshiron t’i inkurajojë autoritetet e Tiranës për t’i bërë ndryshimet/ reformat e domosdoshme politike dhe ligjore.
Por BE-ja nuk ka një Plan të Madh për Ballkanin Perëndimor, i cili do t’i shlyente një herë e mirë ato burimet kryesore të problemeve politike dhe të sigurisë në këto anë të Evropës.
BE-ja e ka ’Planin e zhvillimit’, i cili synon të inkurajojë bashkëpunimin e shteteve apirante të kësaj ane me Agjendën evropiane. Nuk ka dyshim që ’Plani i zhvillimit’ do të ketë ndikim në këtë aspekt. Megjithatë, ai do të jetë shumë më efikas, nëse së bashku me te do të prezentohet edhe një Plan i Madh politik dhe strategjik, ku ta zëmë do të përmendej në mënyrë kategorike që synimi i Brukselit është që deri me 31 dhjetor të vitit 2030, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë së bashku në BE.
Ky Plan pa kurfarë dyshimi do të ishte një shtytës shumë i madh për këto shtete që të shpejtojnë në adresimin e të gjitha çështjeve, zgjidhja e të cilave është kusht pa të cilin nuk bën për secilin prej tyre, në mësymjen e tyre kah BE-ja.
Pa një Plan të Madh të BE-së të kësisojt, është vështirë, në mos edhe e pamundur që Kosova dhe Serbia njëmend ta bëjnë realitet normalizimin e marrëdhënieve në mes tyre në një të ardhme të afërt.
Ky është realiteti të cilin e dinë mirë në Bruksel./Klan Kosova