Fije bari”, libri me poezi i poetit të madh amerikan Uollt Uitman
Nga Preç Zogaj
Kam qenë në vitin e tretë të shkollës së mesme të kulturës në Tiranë, kur duke parë për kureshtje librat në pjesën joletrare të bibliotekës së shkollës gjeta vëllimin me poezi “Fije bari” të poetit të madh amerikan të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Uollt Uitman. Nuk e kisha dëgjuar më parë këtë emër, e hapa shkujdesshëm librin me vizatimin e një fijeje bari në kopertinën e zbërdhylët , pa e ditur se pak minuta me vonë ajo që do të lexoja aty do të bënte masë me gjithë botëkuptimin dhe klishetë e mia letrare të asaj kohe, duke me përfshirë në një lloj deliri dhe krize plot vuajtje.
“Qetësou, mos ki frikë! Jam Uollt Uitmani, gazplotë, zemergjerë si natyra…”.
Po unë nuk qetësohesha. Më dukej se nuk lexoja, por në çdo varg që më kalonte para syve shtypja ca tasta që përftonin një muzikë të rëndë , një të folur të epërme që me çonte peshë dhe më fuste frikën, pak a shumë si në ëndrrat e dikurshme me një zot që shfaqet midis reve apo qiellit për t’u drejtuar fjalën njerëzve në tokë. Unë mendoja se një vegim si ky, i ushqyer nga tregimet fantastike të gjyshes sime besimtare, kishte mbetur prapa bashkë me fëmijërinë e pakthyeshme dhe adoleshencën e parë, por ja ku më ishte kthyer më i qartë dhe më lëndor se më parë me zërin pa fytyrë të një poeti amerikan…
“Ju flas shteteve… teteteteteteteteteteteve”, vibronte në biblotekën e vogël kjo e folur prej zoti, që e dija të vdekur si të tillë. E mora librin pa i thënë njeriu , me lehtësinë që më kishte krijuar edhe mua shprehja e përhapur në atë kohë “ vjedhja e një libri nuk quhet vjedhje”, por edhe me një lehtësi tjetër të pacilësueshme, që më vonë e kam emërtuar një detyrim të vagëllt të koshiencës për t’i gjetur një vend tjetër ku të rrinte atij libri që ishte botuar në vitin 1957 kur unë nuk kisha lindur akoma dhe ishte shtyrë e shtyrë në periferi të bibliotekave publike të kohës ose ishte hedhur fare prej tyre si një “libër i padenjë” në shoqërinë e titujve të preferuar të rregjimit.
Mësuesja e letërsisë apo dikush tjetër nuk e kishin vendosur në raftin e librave që na jepeshin për lexim jashtë klase, por ishte e padrejtë që e kishin lenë mes librave teknikë dhe politikë që nuk e di kush i lexonte. Një vend tjetër për “Fije bari” isha unë, shtëpia ime në Lezhë, shkallët e jashtme të asaj shtepie ku do të lexoja, më saktë do të “përleshesha” në sa e sa perendime dielli dhe muzgje te paharruara me Uollt Utmanin, duke habitur gjyshën time, së cilës, gjithsesi, nuk mund t’i thosha se e kisha gjetur zotin tim, pasi nuk mund të kishte një zot që të mos ishte edhe i saj.
Shumë vite më vonë do të lexoja nga poeti i madh argjentinas Jorge Luis Borges një koleksion të sentencave më të bukura e më të thella për autorin e “Fije bari”, ku spikaste ajo se Uitmani nxorri nga përvojë e tij e fisme atë figurë të gjallë e vetjake që është njëra nga të paktat gjëra të leterissë moderne: VETË FIGURËN E TIJ.
Mund të duket e kërkuar sot , por është pikërisht ky përjetimi që kam patur në rininë time të hershme për vargjet e librit “Fije bari”. Më dukej se ishte poeti që ngrihej prej poezive dhe jo e kundërta, pra nuk ishin poezitë që dilnin prej poetit. Thënë ndryshe, e shkruanin poezitë poetin dhe jo anasjelltas. Figura e poetit, mishëruar në vargje, ishte figura e dikujt që duhej të ishte, por nuk jetonte përnjimend në një pikë të planetit dhe në një fragment të caktuar të kohës së botës.
Çdo gjë që rrokte vështrimi i tij kishte fatin të mbushej me flakën, purpurin, limfën dhe përndritjen e poezisë. (Pashë në Luizianë një lis jetë duke u rritur/ qëndronte fillja vetëm, myshku i varej degëve/ pa shkop po rritej, nxirrte fletë plot gaz të mushkëllyera…).
Çdo gjë që dëgjonin vëshët e tij kalonte nepër frymëmarrjen dhe verbin e tij për t’u trasformuar në këngë, në poezi .( Dëgjoj tek këndon Amerika, dëgjoj plot këngë të ndryshme/ këngën plot endje të nënës, të nuses apo të vajzës tek qep apo lan).
Çdo gjë që linte pas hapi i tij ngjallej dhe lëshonte tinguj si në mitin e Orfeut, ndërsa kur ndalej dhe mendonte për kohën, për gjithë atë përkujtim, e gjithë melankolia e tij burrërore shkrihej dhe humbiste në paanësinë dhe përjetësinë e së bukurës.
“Kur çeli jargavani vjet n’oborr te porta/ Dhe shoi ylli i mengjesit herët në qiell të perendimit/ Unë qava dhe do qaj çdo mot kur vjen pranvera/ Çdo mot kur vjen ti pranverë më sjell tri gjëra mua/ jargavanin me lule, yllin e mengjesit që zbret në perëndim/ dhe kujtimin për atë që dua”.
I kam mësuar permendësh që atëherë këto vargje dhe shumë të tjera nga Uitmani. Dhe nuk do t’i harroj më. Fillova të mësohesha me hapësirën e pamatë dhe tonin madhështor të poezisë së tij.
Vite më vonë kam mundur të kem një ide më të saktë për vendin dhe rëndësinë e jashtëzakonshme te librit “Fije bari” dhe të vetë Uitmanit në poezinë amerikane e botërore. Përfshirë atë shqiptare. Disa emra të spikatur të gjeneratava poetike të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë kanë dalë edhe nga fletët e librit “Fije bari”.
Qindra herë e kam lexuar si për herë të parë postulatin e Borgesit që ngulmon se nuk mund të ketë përbri poezisë së Uitmanit një biografi të Uitmanit pasi ky është personazhi i përjetshëm i poezisë që la. “Me kalue nga bota parajsore e vargjeve të tij në kronikën e pakripë të ditëve të tij , përbën një tranzicion melankolik”, thotë Borges.
Nuk kam rreshtur pra së lexuari për Uitmanin, por kur mendoj për emrin dhe pamjen e tij mitike prej profeti, kujtesa më kthen gjithnjë të një paradite pranvere e vitit 1996, sërish nxënes në shkollë të mesme të kulturës, tani në vitin e katërt. Në fund të oborrit të shkollës në lagjen “21 dhjetori” një grup nxënësish kishin rrethuar një burrë të gjallë rreth të shtatëdhjetave a më shumë, që po i pyeste për diçka. Nxënësit vetëm ngrinin supet duke qeshur me njëri -tjetrin dhe ja ku njëri prej tyre tregoi me gisht në drejtimin tim pak më tutje: “ai, ai lexon libra”. Unë u afrova me kureshtje, me parandjenjën se duhej të jepja një “ provim” të vogël para tyre. Shtatëdhjetëvjeçari me pyeti menjëherë :
-Ke dëgjuar ti për librin “Fije bari”?
Fytyra ime llamburiti. Mund të më kishte pyetur për dhjetra apo qindra tituj që nuk i kisha dëgjuar e lexuar ende deri në atë kohë, por ja që më kishte pyetur për “librin e vjedhur”.
-Po, i thashë, e kam lexuar, është një vëllim poetik i shkrimtarit amerikan, Uollt Uitman.
Tani ishte fytyra e shtatëdhjetëvjeçarit ajo që u mbush me dritë. Nxënësit rreth e rrotull panë drejt nesh sikur po asistonin në një magji.
– Kush e ka përkthyer? – bëri pyetjen tjetër bashkëbiseduesi im.
– Skender Luarasi,- u përgjigja unë mes heshtjes së thellë të nxënësve.
-Unë jam Skender Luarasi, -ma ktheu tjetri me njëfarë mallëngjimi, duke më rrokur në qafë.
E fiksova fytyrën e tij, e takova edhe dy herë herë të tjera dy vite më vonë, kur endesha dyerve të Ministrisë së Arsimit për një të drejtë studimi në shkollë të lartë. Edhe atëherë, edhe tani kam një si hezitim të brëndshëm t’ja them emrin. Arsyeja është kjo: qëkurse më tha se kush ishte në oborrin e shkollës mendja ime e bashkoi me emrin e Uollt Uitmanit. Mund të ishte përkthyesi i madh dhe i pavdekshëm i Uitmanit në gjuhën shqipe një nga dyzimet dhe mishërimet e panumërta të këtij poeti universal në botë. Përkthimi prej tij i “Fije bari” në vitin 1957, sjellja në shqip i toneve dhe ritmeve madhështore të Uitmanit është një nga çuditë e jetës dhe historisë sonë letrare.