0.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Policët në Prizren: Pasi e liruam të dyshuarin, na lajmëruan për rastin e vjedhjes

Policët, Ibrahim Voci dhe Besnik Bajraktari, të mërkurën, kanë thënë se më 6 maj 2016, gjatë patrullimit të rregullt, kanë hasur në një person me kamion me 39 thasë çimento, të cilin e kanë liruar, por pas rreth 20 minutash janë lajmëruar për një vjedhje të sasisë së njëjtë të çimentos.

Këta dëshmitarë, këto deklarata i kanë dhënë, në shqyrtimin gjyqësor ndaj të pandehurit, Habib Morina, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke urdhëruar dëshmitarët në fjalë për ta liruar në procedurë të rregullt, një të dyshuar për vjedhje.

Dëshmitari Bajraktari, ka thënë se me të marrë informatën, ka kontaktuar me të akuzuarin, i cili ishte përgjegjës i ndërrimit, të cilit i kishte thënë se sapo e kanë hasur një sasi të njëjtë të çimentos në një kamion, që përputhet me sasinë e lajmëruar si të vjedhur. Ai, më tuje i kishte thënë se personi i dyshimtë nuk ka shumë që është larguar, andaj “mund ta zëmë rrugës”.

Mirëpo, dëshmitarët në fjalë, sipas urdhrit të të akuzuarit Morina, kishin shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit, që të vërtetojnë nëse është e vërtetë vjedhja, e më pas kanë shkuar te i dyshuari, ku kishin gjetur çimenton e shkarkuar në oborr.

I dyshuari Miftar Papaj, u kishte prezantuar një faturë të blerjes së çimentos, por se nuk ishte përputhur data e blerjes, andaj atij i kishin marrë një deklaratë në automjetin e policisë, sa ishin në oborrin e tij.

Në ndërkohë, Besnik Bajraktari kishte folur me togerin Afrim Sylaj, i cili kishe thënë që të dyshuarin ta ndalojnë në Stacionin Policor në Suharekë, por me të mbërritur atje, i akuzuari Morina, i kishte urdhëruar që të dyshuarin ta lirojnë.

Në këtë seancë, ka dëshmuar edhe i dëmtuari në këtë rast, Nuhi Bytyqi, i cili ka thënë se në ditën kritike ka blerë çimento pasi që ka qenë duke e ndërtuar një shtëpi, në mbrëmje kishte pasur mysafirë dhe pas orës 23, kur kishte kaluar afër materialit në oborr, kishte kuptuar se është vjedhur, me ç’rast menjëherë kishte lajmëruar policinë.

I dëmtuari, ka thënë se një muaj pas ngjarjes, përmes një polici, ka rënë në kontakt me djalin e xhaxhait të të dyshuarit për vjedhje dhe kishte pranuar shumën e dëmit që i është shkaktuar nga vjedhja. Megjithatë, ai i është bashkuar aktakuzës dhe ka kërkuar dëmshpërblim për dëmin emocional që i është shkaktuar.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa ka propozuar të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve edhe dy policët tjerë, Driton Fandaj dhe Arton Zeqaj, të cilët kanë qenë në vend të ngjarjes në ditën kritike.

Po ashtu, edhe i akuzuari ka kërkuar që gjykata të kërkojë zyrtarisht bisedat që ky i ka zhvilluar në ditën kritike me numrin zyrtar të Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën provë do të dëshmohet se ka vepruar sipas urdhrit të prokurorit kujdestar.

Trupi gjykues, i udhëhequr nga gjyqtari Xheladin Osmani, ka pranuar kërkesat e prokurorit dhe të akuzuarit, ndërsa seancën e radhës e ka shtyrë për afat të pacaktuar deri sa të merr përgjigje nga operatori telefonik, “Vala” rreth kërkesës së të akuzuarit.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur ndaj Habib Morinës, të cilin e akuzon se duke vepruar në cilësinë e zyrtarit policor, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Sipas aktakuzës, Morina, me qëllim që t’i shkaktojë përfitim material, Miftar Papës, ka lejuar që i njëjti të largohet me 39 thasë çimento të vjedhur, me ç’rast i ka shkaktuar dëm, Nuhi Bytyqit.

Aktakuza përshkruan se si pala e dëmtuar, Nuhi Bytyqi nga Suhareka, kishte lajmëruar rastin në Stacionin Policor të Suharekës, për vjedhjen e 39 thasëve çimento nga oborri i shtëpisë së tij.

Gjatë një pike kontrolli është ndaluar Miftar Papaj, i cili kishte të ngarkuar në automjet 39 thasë çimento, mirëpo rreshteri Morina nuk kishte lejuar që i njëjti të ndalohej dhe të konfiskohej sasia e çimentos së bashku me automjetin./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Policia shqiptoi 2185 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2185 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Artan Iljazi bashkohet me Ballkanin

FC Ballkani ka bërë edhe një përforcim të rëndësishëm në skuadër! Klubi nga Suhareka ka njoftuar zyrtarisht transferimin e portierit Artan Iljazi. “Tifozë të dashur,...

Lajmet e Fundit