32.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Korrik, 2024

Politika e koncesioneve është e gabuar

Nga Bilall Sherifi

“Prirja për tu entuziazmuar nga kombet e huaja dhe aspiratat e tyre kombëtare, edhe atëherë kur ato mund të realizohen vetëm në kurriz të atdheut tënd, është një formë e sëmundjes politike,  përhapja e së cilës,  fatkeqësisht, kufizohet në Gjermani”. / Otto von Bismarck, kancelar i parë i Gjermanisë.

Kjo thënie e Bismarkut, kryeministër i Prusisë së asaj kohe, e bërë në parlamentin e Prusisë më 26 shkurt 1863, mund të sqarojë disa aspekte të asaj pse aspirata jonë kombëtare nuk u realizua edhe pas një shekulli të shpalljes së pavarësisë.

Fillimisht serbët, grekët dhe malazezët ndërsa në përfundim të luftës së Dytë Botërore edhe maqedonasit aspiratat e tyre kombëtare i realizuan në kurriz të atdheut tonë.  Këto kombe fqinje jo vetëm që pushtuan territoret shqiptare, por duke zbatuar Politikën e Tokës së Djegur dhe të gjenocidit arritën të bëjnë spastrimin etnik të territoreve tona.

Pa dyshim që përpos arsyeve tjera edhe “sëmundja politike”, për të cilën fliste Bismarku, ka pasur ndikimin e saj në mosrealizimin e aspiratës sonë kombëtare. Tani fatkeqësia qëndron në faktin se edhe sot e kësaj dite kjo formë e “sëmundjes politike” vazhdon të jetë e përhapur te shumë politikanë të hapësirës shqiptare. Edhe pse detyrë e tyre është të mbrojnë interesat e shqiptarëve, këta vazhdojnë, siç thoshte Bismarku, “të entuziazmohen me sukseset e kombeve tjera edhe pse realizimi i tyre është duke u bërë në kurriz të atdheut të tyre”.

Kjo thënie e tij më së shumti është duke gjetur zbatim në Kosovë, sidomos viteve të fundit. Përpos periudhës që shkon nga lufta e UÇK-së deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, një numër i madh i politikanëve, për arsyet e prekjes nga kjo sëmundje, realizimin e interesave të Kosovës e kanë parë nga këndvështrimi i Serbisë.

Që nga fillimi i bisedimeve me Serbinë në vitin 2011, të cilat i imponoi Serbia, Kosova nuk ka mundur ta bëjë asnjë hap më tej pa miratimin e saj.

Nga “FUSNOTA”, e cila konteston pavarësinë e shtetit të Kosovës, e deri te “Zajednica”, përmes së cilës Kosova ndahet në dy njësi politike dhe territoriale, të gjitha “produktet” e bisedimeve me Serbinë e kanë dëmtuar rëndë substancën e Kosovës.

Njëra njësi është Kosova e shqiptarëve, boshnjakëve, romëve ashkalinjëve, egjiptianëve dhe përmes vendeve të rezervuara në parlamentin e Kosovës, gjithsesi edhe e serbëve dhe njësia tjetër është e dizajnuar ashtu që do të jetë vetëm e serbëve dhe e Serbisë. Pra përmes kësaj marrëveshje Serbia do të ushtrojë sovranitet së paku në territorin e komunave të cilat do ta përbëjnë “Zajednicën”.

Në anën tjetër, po këta qeveritarë kanë arritur marrëveshje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi përmes së cilës, Kosova humbë mijëra hektarë, askush nuk është në gjendje të thotë saktë sa, mirëpo bazuar në analizat e të gjithë ekspertëve tjerë, përpos atyre të qeverisë, Kosova, nga kjo marrëveshje humb mbi 8000 hektarë.

Marrëveshja me Serbinë për “Zajednicën”dhe demarkacioni me Malin e zi janë koncesione përmes së cilave nuk mund të arrihet paqja e përhershme. Përkundrazi, pashmangshëm do të krijojnë probleme për gjeneratat e tashme dhe të ardhme.

Në veçanti marrëveshjet me Serbinë janë koncesione mbi të cilat Serbia do të ndërtojë kërkesa të reja dhe kështu askush nuk ua din fundin kërkesave të saj.

Bismarku politikën e arritjes së paqes përmes koncesioneve e quan politikë të gabuar sepse siç thotë ai  “Askush nuk është mjaftueshëm i pasur, saqë armiqtë e tij t’i blej përmes koncesioneve”

Të gjendur përballë presionit të opozitës dhe të të gjithë atyre që nuk pajtohen me këto marrëveshje, këta qeveritarë në krye me Mustafën dhe Thaçin, në vend se të kërkojnë shërim nga kjo “sëmundje politike” ata kanë vendosur të përdorin dhunë shtetërore kundër të gjithë atyre që janë kundër këtyre marrëveshjeve të dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Në vend të reflektimit, këta kanë zgjedhur rrugën e konfrontimit duke e shndërruar gjithë aparatin e shtetit në një aparat represiv kundër opozitës. Duke burgosur deputet të opozitës, siç është rasti me deputeten Donika Kadaj-Bujupi dhe duke demoluar shtëpitë e deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, si dhe duke arrestuar dhjetëra protestues, qeveritarët e Kosovës janë hedhur në sulm për të zmbrapsur kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve.

Tani është koha e fundit që përpos opozitës, marrëveshjet t’i kundërshtojnë edhe deputetët e partive politike PDK-LDK. I inkurajoj edhe deputetët tjerë të koalicionit qeveritar që t’ju bashkohen kolegëve të tyre, deputetëve Nait Hasani, Shpëtim Bulliqi, Alma Lama dhe t’ju ndihmojnë drejtuesve të tyre të shërohen nga kjo formë e “sëmundjes politike”.

Unë njoh shumë funksionarë, anëtarë të kryesive dhe kryetarë të degëve të dy partive politike në pushtet, të cilët, në biseda private, ma kanë konfirmuar edhe mua se janë kundër këtyre marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Mendoj se ka ardhur momenti që të gjithë ata që nuk pajtohen me këtë mënyrë të dëmtimit të interesave jetike kombëtare të distancohen publikisht.

Në të kundërtën rreziku është i pashmangshëm që thënia e cila i atribuohet Bismarikut se gjoja “Shqipëria është vetëm nocion gjeografik” e  parafrazuar në kontekstin aktual politik synon ta shndërrojë Kosovën në nocion gjeografik, madje me gjeografi të cunguar.

Më Shumë

Përfshihen nga zjarret disa fusha dhe male në Suharekë

Kanë marrë flakë edhe fushat dhe malet e Suharekës. Lajmin e ka bërë të ditur Organizata Vullnetare Zjarrfikësit dhe Shpëtimit. “Suhareka përfshihet nga zjarre të mëdha...

Shkolla e filmit “Future is Here” këtë vit sjell 8 filma të rinj në DokuFest

Shkolla e filmit “Future is Here” këtë vit sjell 8 filma të rinj të shkurtër dokumentarë, që shfaqen si premierë në DokuFest. Filmbërësit e...

Lajmet e Fundit