7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Presidentja në Mamushë: Greva të ndërpritet, shkollat të hapen

Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, në kuadër të turit të vizitave nëpër komunat e Kosovës, sot ka vizituar komunën e Mamushës. Ajo u prit nga kryetari Adbdylhadi Krasniqi dhe qytetarë të kësaj komune, që janë kryesisht të minoritetit turk.

Presidentja Osmani-Sadriu ka bërë me dije se me kryetarin e Mamushës sot ka biseduar për planet e punës dhe për investimet që janë bërë ndër vite në komunën e Mamushës, veçanërisht për ujin e pijshëm në këtë komunë, me mungesën e të cilit ballafaqohet ndër vite.

Ajo tha se po bëjnë përpjekje, bashkërisht edhe me partnerë ndërkombëtarë, që projektet e komunave, sidomos ato që janë të nevojshme, sikurse ky për ujin e pijshëm në Mamushë, t’i çojnë përpara.

Gjithashtu, presidentja bëri me dije se me kryetarin e Mamushës kanë biseduar edhe për çështje të tjera, veçan për sigurinë në këtë komunë dhe për fillimin sa më parë të procesit mësimor.

Ajo kërkoi që të përfundojë greva dhe të hapen shkollat.

“Doja që sot fëmijët e Mamushës t’i shihja në shkolla. Por, për fat të keq, mësimdhënësit edhe sot e kanë vazhduar grevën. U bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve ta ndërpresin grevën dhe t’i hapin dyert e shkollave. Gjithçka tjetër zgjidhet, por dëmi që u bëhet fëmijëve duke mos shkuar në banka shkollore është i pariparueshëm. Ligji i Pagave do të vijë, por koha që po ua humbim fëmijëve tanë nuk do të mund t’ua kthejmë. Prandaj, nga këtu në Mamushë, u bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve t’i bashkojmë forcat që të kthehemi në shkolla dhe t’ua ofrojmë nxënësve, fëmijëve tanë, dijen në banka shkollore”, deklaroi ajo.

E pyetur nga gazetarët për rolin ndërmjetësues mes sindikatave dhe qeverisë, presidentja Osmani-Sadriu tha se ajo nuk është ndërmjetësuese, por është presidente e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe përpiqet të arrijë mirëkuptim mes sindikalistëve dhe qeverisë për të filluar sa më parë mësimi në shkollat e Kosovës.

“Shkollat duhet të hapen. Fëmijëve tanë nuk duhet t’u mohohet arsimimi. Për këtë angazhohem unë”, tha presidentja Osmani-Sadriu.

Gjithashtu, presidentja Osmani-Sadriu, e pyetur se kur ka ndër mend t’i vizitojë komunat në veri të Kosovës, tha se po bisedojnë vazhdimisht për të realizuar vizita edhe në ato komuna dhe sa më parë që i bëhet një kërkesë për vizitë, do të shkojë./RTKlive

Më Shumë

Liberalizimi i vizave, Kurti: Më shumë qytetarë po kthehen në Kosovë sesa që largohen

Kryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka thënë se prejse ka...

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Lajmet e Fundit