Prizreni është njëri nga qytetet që më së shumti vizitohet nga turistët, por ajo që po e dëmton imazhin e këtij qyteti janë fëmijët që në pika kyçe shtrihen dhe kërkojnë lëmoshë. I mituri V. Z. thotë se është detyruar të dalë për të kërkuar lëmoshë, ngase prindërit e tij i ka të sëmurë.
Ai thotë se nuk do të dilte në këtë vend po qe se nuk do të ishte në hall të madh, prandaj detyrohet të dalë këtu për të mundur që prindërit e tij të ushqehen. Por, qytetarët e Prizrenit konsiderojnë se fëmijët po keqpërdorën nga grupe që kanë synim përfitimin dhe i kontrabandojnë ata. Ata thonë se shteti duhet të merret me këta fëmijë dhe t’i strehojë dhe t’u japë ndihmë institucionale.
Vahit Kabashi thotë se është e vështirë dhe shumë e dhimbshme kur shohim në acar këta fëmijë të shtrirë në kënde rrugësh. “Besoj se tashmë duhet kërkuar që institucionet të bëjnë të pamundurën dhe të shohin të vërteten e këtyre fëmijëve. Sepse nëse askush nuk mund të përkujdeset, së paku të bëhet një strehë e përbashkët, të ndërmerren në mbikëqyrje këta fëmijë”, thotë Kabashi.

Krajku: Fajtor është shteti
Kabashi shpreh dhembshuri të madhe për këta fëmijë, të cilët në dimër e acar krijojnë imazhin të keq për Prizrenin. Gazmend Krajku shprehet për “Kosova Sot” se është një bezdi që kur i sheh këta fëmijë të krijojnë një dhembshuri.
“Fajtor është vetë shteti që këta fëmijë i lë në këtë formë. Shteti duhet të kujdeset më shumë. Bile unë kam dëgjuar se këta fëmijë i sjellin me një fugon dhe përsëri i marrin në mbrëmje dhe ua marrin mjetet. Unë s’i kam parë, por kam dëgjuar. Shteti duhet të angazhojë me shumë psikologë dhe të bëjë një zgjidhje për këta fëmijë”, është shprehur ai për “Kosova Sot”. Mirëpo, në këtë vazhdë ky lajm do të ishte i mangët po të mes e thoshin edhe organet kompetente fjalën e tyre.

Prindërit i shtyjnë fëmijët të bëhen lypsarë
Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, kapiteni Hazir Berisha, sqaroi se duhet të ndërmarrim masa ndaj atyre personave që kërkojnë në formë të bezdisshme para. “Pra, meqë pengojnë edhe qytetarët duke kërkuar nga tavolina në tavolinë, apo duke i penguar në rrugë. Kurse, ata që nuk pengojnë askënd dhe kërkojnë në një vend nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë, Por, në këto raste ata fëmijë lypsarë janë në survejimin e policisë. Nëse konstatohet se familja apo prindërit e shtyjnë për të kërkuar kjo është e dënueshme me ligj si vepër penale”, është shprehur Berisha. Ai ka shtuar se kanë dërguar prindër të tillë në përgjegjësi penale.”Ka pasur edhe zëra se këta fëmijë keqpërdoren. Edhe në këtë rast policia ka hetuar, i tërë ky proces ka shumë koklavitje të ndryshme”, është shprehur për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)