Tre muaj burgim me kusht, ka qenë dënimi që ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, H. Th.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, i akuzuari e pranoi se ka kryer veprën penale.
I Akuzuari, i cili për këtë proces gjyqësor nuk kishte angazhuar mbrojtës, deklaroi se në ditën kur ka ndodhur aksidenti, moti ka qenë me të reshura të shiut dhe sipas tij, gjatë frenimit ka ardhur deri te rrëshqitja e automjetit të tij, me ç’rast ka shkaktuar aksidentin.
Në bazë të këtyre arsyeve dhe pas pranimit të fajësisë, ai kërkoi nga gjykata rrethana lehtësuese.
Gjykatësja, Teuta Krusha bëri shpalljen e aktgjykimit, pasi paraprakisht nuk pati kundërshtime nga ana e prokurores, Mehreme Hoxha.
Dënimi me burgim me kusht, nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepra të tjera penale, në periudhën kohore prej një viti.
A. Th., akuzohej se me 10 dhjetor 2015, rreth orës 18:20 minuta, në magjistralen Prizren-Gjakovë, saktësisht në fshatin Landovic, duke e drejtuar automjetin e tij, duke mos respektuar rregullat e trafikut publik, hyn në tejkalim në vijë të plotë, dhe e godet veturen e tipit “Opel Corsa”, të cilën e drejtonte, Selajdin Krsniqi, dhe më pas e godet edhe veturën e tipit “Mercedes Benz”, të cilën e drejtonte Gzim Sadiku, ku si pasojë e cilës, përveç dëmëve materiale të konsiderueshme, i shkakton edhe lëndime të lehta trupore, të dëmtuarit, S. K.
Sipas Prokurorisë, Thaqi ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, sipas nenit 378 paragrafit 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet./betimiperdrejtesi/