Çifti Leart Gashi dhe Ardiana Berisha u shprehën të shtunën se në këtë urë po e vendosin drynin e dashurisë, duke i dhënë besën njëritjetrit se nuk do të tradhtojnë.
“Sikurse ky dry që mbyllet, ashtu dëshirojmë të mbyllim dashurinë tonë e ta bëjmë të fortë dhe të rrjedhshme si Lumëbardhi”, janë shprehur të rinjtë e dashuruar, raporton Gazeta Kosova Sot
Të shtunën në Prizren ishte një diell i fortë pranveror dhe çiftet e reja e vizitonin “Urën e kaltër të dashurisë”, siç njihet ajo. Dikur ka pasur edhe një emër tjetër dhe është quajtur “Ura e Naletit”. Legjendat flasin se sa herë ngrihej uji në Lumëbardhë kjo urë shembej. Një mëngjes kur kishte dalë pashai e kishte parë të prishur dhe e kishte quajtur si ‘Urë të Naletit’. Prandaj kjo urë nga “Ura e Naletit” u shndërruar në “Urën e kaltër dhe dashurisë”.
Prizreni, qyteti buzë Lumëbardhit, ka mbi 20 ura, me material të fortë, pa numëruar ato të konstruksioneve të hekurta të ndërtuara rishtas. Secila nga këto ura ka histori në vete. Shënimet e një studiuesi të vjetër, H. Kalleshi, tregojnë se në shekullin XVII mbi Lumëbardhë kishte 9 ura, por nuk dihet vendi i tyre sepse, atëbotë Lumëbardhi kishte tjetër rrjedhë dhe kalonte pranë secilës shtëpi në formë jazi.
“Ura e Naletit” u shndërrua në “Urën e kaltër të dashurisë” nga një aktiviste të shoqërisë civile, Doruntina Ukimeri, që tash njerëzit e njohin më shumë si “Urë e dashurisë”.
“Dashuria të ecë si uji i Lumëbardhit”
Në vitin 1908, kur kjo urë u vërshua dhe u rrënua, reisi i Prizrenit, Haxhi Rifati, kur e pa se përsëri ajo ishte rrëzuar tha: “Kjo urë i përket djallit”.
Vetë simbolika e urave tregon se urat bashkojnë dy brigje.
Ura e vjetër e kërkbunarëve, Ura e re e kërkbunarëve, Ura e Manastirit të kryeengjëjve, Ura e hidrocentralit ‘Prizrenasja”, tani dy urat e para e KFOR-it, e dyta e TMK-së, ajo e Jabllanicës, Ura e mullirit të Dehirëve, Ura e Mirashit, Ura e Lidhjes, Ura e Therandës, që dikur ishte Ura e Arastës, Ura e Vjetër e Gurit, Ura e rinisë, Ura e Beledies, Ura e Sozi Çelebisë, ndër më të vjetrat e këtij qyteti, Ura e Drurit, Ura e Kaçanikut, Ura e Buzagillëkut , bashkojnë dy anë dhe kanë histori të ndryshme.
Çifti Leart Gashi dhe Ardiana Berisha, që nuk pranuan të dalin në foto, treguan se po e vendosin drynin e dashurisë, duke menduar se kurrë në jetë s’do ta tradhtojnë njëri-tjetrin.
“Sikurse ky dry që mbyllet, ashtu dëshirojmë të mbyllim dashurinë tonë ta bëjmë të fortë dhe të rrjedhshme si Lumëbardhi”, u shpreh për gazetën Leart Gashi.
Çifti me këtë rast bëri një puthje të zjarrtë e nënshkruan drynin dhe e mbyllën në urë, e çelësin e gjuajtën në ujë, duke uruar që dashuria t’i ngjajë këtij uji që nuk pushon.
“Dashuria jonë u bëftë e fuqishme, e fortë dhe mbyllur vetëm për mua e për të dashurën time”, u shpreh Learti.
Nikqi i befasuar
Qytetari nga Peja, Demë Nikqi, që kishte ardhur për ta vizituar këtë urë, u shpreh për gazetën: “Unë jam nga Peja dhe në Prizren vij shpesh, por këtë urë për herë të parë e kam vizituar. Kjo që pashë këtu më ka befasuar dhe më ka bërë kaq shumë kureshtar. Kjo urë e kaltër e dashurisë vërtet më befasoi për të mirë. Unë nuk e dija se çka janë gjithë këta dryna, kur kuptova u befasova. Më beso kurrë se kam ditur që në Kosovë mund të ketë një urë të këtilla që simbolizon dashurinë”, u shpreh ai për gazetën.
Një çift tjetër i ri, të cilët nuk deshën të prezantohen me emër, thanë se janë të dashuruar, por këtë dashuri ende po e mbajnë të fshehur nga familjet. Ata treguan se tashmë i besojë shumë kësaj ure.
“Kjo urë jemi të bindur se sjellë fat e sjellë dashuri të pafund. Prandaj, shpesh vijmë këtu dhe shohin edhe drynin tonë që e kemi vendosur këtu, por që ende nuk e kemi finalizuar në pikëpamje ceremoniale”, u shpreh djaloshi. /Kosova Sot/