6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Prizren/ Dëshmitari thotë se me inspektorin e akuzuar nuk kishte marrëveshje për mbylljen e lokalit

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, dëshmitari Bislim Bislimaj, pronar i market “Vrrini”, ka mohuar se me të akuzuarin Albrim Poniku ka pasur marrëveshje për mbylljen e marketit gjatë inspektimit në kohën e pandemisë.

Në këtë rast, i akuzuari Poniku, po ngarkohet se në cilësi të inspektorit Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, nga telefoni i tij i ka dërguar Besart Bytyqit punëtor në market “Vrrini” një SMS, me përmbajtje:“Ej mshile se po vina ka ti”. Me ç’rast market “Vrrini” përfiton përparësi për mos t’u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bislimaj ka thënë se gjatë kohës së pandemisë por edhe tani ka kontratën me Policinë e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), për të cilët tha se lokali i tij është në shërbim 24 orë.

Tutje, ai tha se të akuzuarin Poniku nuk e ka njohur me emër por vetëm si inspektor dhe ka mohuar të ketë komunikuar ndonjëherë me të njëjtin.

Për këtë, prokurorja Ervehe Gashi e ka ballafaquar dëshmitarin Bislimaj me provën të cilën e ka propozuar Prokuroria, ku sipas saj në këtë provë gjenden transkriptat e bisedave që janë bërë me anë të rrjetit social “viber” mes të akuzuarit Poniku dhe dëshmitarit Bislimaj.

Mirëpo, këtë e ka mohuar Bislimaj duke thënë se nuk ka pasur marrëveshje me të akuzuarin Poniku dhe se nuk e ka njohur me emër, por sipas tij arsyeja e bisedës ka qenë të njoftohej rreth të drejtave të punës.

Ndër të tjera, dëshmitari Bislimaj tha se gjatë kohës së pandemisë vazhdimisht kanë pasur kontrolla të lokalit nga inspektorët së bashku me Policinë.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Raima Elezi lidhur me arsyen e shqiptimit të dënimit të 3 shtatorit 2021 nga inspektorët, Bislimaj tha se dënimi është bërë për arsye se kanë gjetur njërin nga punëtorët duke pastruar.

Pas kësaj, me kërkesën e mbrojtësit të akuzuarit Poniku, avokatit Sylejman Klinaku për përgatitje të mbrojtjes, seanca e sotme është ndërprerë.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 7 dhe 10 korrik 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzuari Albrim Poniku, po ngarkohet se më 3 shtator 2021 në cilësi të personit zyrtar, e keqpërdorë informatën zyrtare, me qëllim që për personin tjetër të përfitojë ndonjë përparësi që nuk i takon,

Sipas aktakuzës, Poniku në cilësi të inspektorit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, në momentin kur kupton se janë duke shkuar të bëjnë inspektimin e market dhe qebaptoren “Vrrini”, e cila gjendet në afërsi të fshatit Vlashne, lidhur me respektimin e orareve të punës në situatë të pandemisë COVID-19 të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, njofton punëtorin e këtij marketi, informatë në të cilën është qasur si rezultat i detyrës së inspektorit, e cila informatë nuk ka qenë publike.

Tutje, sipas aktakuzës i akuzuari Poniku nga telefoni i tij i dërgon Besart Bytyqit punëtor në market “Vrrini” një SMS, me përmbajtje “ej mshile se po vina ka ti” me ç’rast market “Vrrini” përfiton përparësi për mos t’u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare” nga neni 416, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit