-0.2 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Prizren /Gjykimi ndaj teknikut të pyjeve, mbrojtja thotë se kundërshtimin e aktakuzës do ta bëjë gjatë shqyrtimit kryesor

Muharrem Basha, i akuzuar se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në cilësinë e teknikut të pyjeve në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), në Komunën e Suharekës, ka thënë se nuk e kundërshton aktakuzën e prokurorisë.

Basha, këtë e ka bërë përmes mbrojtësit të tij, avokatit Bashkim Nevzati, në seancën e shqyrtimit të dytë në Gjykatën Themelore të Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Basha, akuzohet se duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i lejuar një qytetari transportimin e thëngjillit, me ç’rast atij i shkakton dobi, duke ia lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.

“Unë nuk kam parashtruar kundërshtim sa i përket provave të propozuara dhe as propozim për hudhje të aktakuzës. Të gjitha pretendimet lidhur me provat dhe vet aktakuzën, do t’i paraqesim gjatë shqyrtimit kryesor, me rastin e administrimit të provave të cilat do t’i parashtrojmë kësaj gjykate, e të cilat janë të lidhura me veprime të cilat tentojnë të paraqiten si vepër penale, përkatësisht sa i përket lëshimit të vërtetimit për transport të thëngjillit të drurit, në këtë segment do të parashtrojmë një mori prova të lëshuara për këtë qëllim që nga para lufta e me tutje, që do të thotë se ky veprim ka qenë standard e jo i kundërligjshëm”, ka thënë avokati Nevzati.

Për më tepër, ai i ka propozuar gjykatës që menjëherë të caktohet shqyrtimi kryesor.

Këtë propozim të avokatit Nevzati, nuk e ka kundërshtuar as prokurorja e këtij rasti, Ervehe Gashi.

Më pas, gjykatësi Artan Sejrani, ka thënë se seanca kryesore për këtë rast, do të caktohet pas formimit të trupit gjykues.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 27 shkurt 2019, Muharrem Basha, akuzohet se më 13 korrik 2018, në cilësinë e personit zyrtar si teknik i pylltarisë, në Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), në Komunën e Suharekës, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.

Sipas organit të akuzës, ai në kundërshtim me dispozitat ligjore që burojnë nga udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ligjit për Pyje të Kosovës, ai e pajisë qytetarin Shefket Aliaj me fletë përcjellje dhe i lejon atij transportimin e thëngjillit, me ç’rast i shkakton dobi këtij qytetari duke e lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, i njëjti, ka kryer veprën penale të Keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Kryetari i Rahovecit njofton për vdekjen e veprimtarit të UÇK-së, Sabri Popaj

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar sot me pikëllim të thellë për vdekjen e veprimtarit dhe ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të...

Pesëshja e javës në Superligën e Basketbollit të femrave

Basketbollistja më e mirë e kësaj xhiro ishte Amari Heard nga KBF Bashkimi, e cila arriti dyshifror të dyfishtë me 23 pikë, 10 kërcime...

Lajmet e Fundit