I dëmtuari, Ahmet Çertik nga Prizreni, të mërkurën, në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit për vjedhje grabitqare, Fabijan Gjugja, ka thënë se kur është kthyer në shtëpi rreth orës dy pas mesnate, ka hasur në të akuzuarin, me të cilin më pas është përleshur.
Dëshmitari Çertik, ka thënë se fillimisht e kishte pyetur të akuzuarin se kush është, ndërsa ai nuk i ishte përgjigjur dhe kishte dashur të ikë, por ai nuk e ka lejuar duke e tërhequr dhe e kishte goditur në fytyrë dhe trup, duke i shkaktuar edhe lëndime të lehta. Ai ka thënë se gjatë përleshjes nga xhepi i të akuzuarit ka rënë telefoni i llojit, “Sony Ericsson”, të cilin e kishte vjedhur nga dhoma e vëllait të tij, ndërsa ai së bashku me vëllain e tij, e kanë mbajtur në oborr të shtëpisë derisa ka ardhur policia.
Para se të deklarohej dëshmitari Çertik, prokurori i rastit, Metush Biraj e ka lexuar aktakuzën, ndërsa i akuzuari Fabijan Gjugja, nuk e ka pranuar fajësinë, ashtu si e ngarkon aktakuza.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Qelaj, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se klienti i tij nuk e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, por se do të vërtetohet se ai është zënë në rrugë, është mbajtur me dhunë dhe është rrahur.
Avokati Qelaj, po ashtu ka kërkuar që klientit të tij t’i ndryshohet masa e sigurisë, nga ajo e paraburgimit, në ndonjë masë tjetër alternative.
Me këtë rast, i dëmtuari Çertik ka thënë se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike, për shkak se të akuzuarit ia njeh familjen që shumë vite dhe më vonë e ka kuptuar që i akuzuari është nga një familje që e njeh. Po ashtu, ka thënë se familjet kanë biseduar dhe gjithçka është rregulluar, andaj ka kërkuar që i akuzuari të mos dënohet.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, kanë miratuar kërkesën e mbrojtjes, ku të akuzuarit ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit në masën e lajmërimit në stacion policor, një herë në javë.
Seanca e radhës është caktuar për 17 korrik 2017, duke filluar nga ora 10:00.
Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, e cila e akuzon Fabijan Gjugjajn, se më 4 dhjetor 2012, rreth orës dy pas mesnate, ka vjedhur një telefon dhe në momentin kur po largohej nga shtëpia është ndeshur me pronarin, Ahmet Çertik. Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari me qëllim që të mbajë sendin e vjedhur, ka përdorur forcën fizike dhe dhunën me qëllim që të largohet nga shtëpia.
Ky rast, për disa vite nuk ka filluar, sepse i akuzuari ka qenë i pakapshëm për forcat e rendit, pasi që i njëjti ka qenë jashtë Kosovës./betimiperdrejtesi/