Prizren: Kërkohet koordinim ndërmjet diplomacisë dhe qeverisjes lokale

Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës, ka organizuar konferencën një-ditore me temën: “Diplomacia e qyteteve: Qeverisja, zhvillimi lokal dhe marrëdhëniet me jashtë”, në Prizren.

Në këtë konferencë ku prezentë ishin kryetarë komunash, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ambasadorët e Kosovës jashtë vendit u diskutua për mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve të Kosovës dhe qyteteve të ndryshme në Evropë dhe më gjerë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se bashkëpunimi ndërkombëtar i komunave është pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme të Kosovës. Ai shtoi se MPJ është në dispozicion të Komunave për t’i ndihmuar në procesin e lidhjes së bashkëpunimeve, marrëveshjeve apo binjakëzimeve, në funksion të rritjes së mundësive për qytetarët e Kosovës.

“Qëllimi i kësaj konference është që ne ta kemi një shkëmbim më të thellë të ideve, të reflektojmë se si të kemi një koordinim më të mirë në politikën e jashtme dhe me gjetjet nga kjo konferencë ta bëjmë një plan të veprimit me qëllime të matshme e konkrete për ta pasur më të lehtë edhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të komunave”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Nga ana tjetër, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli ka vlerësuar se komunat mund të kenë ndikim pozitiv në diplomaci.

“Bashkëpunimi ndërmjet qyteteve të ndryshme, binjakëzimet, anëtarësimet në organizata të ndryshme ndërkombëtare, e kanë shtuar kontributin e komunave në politikën e jashtme”, ka vlerësuar Ismajli.

Përveç pjesëmarrësve nga Kosova, përvojat në qeverisjen komunale i ka ndarë edhe Arbjan Mazniku, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Në panelet tjera u diskutua për promovimin e turizmit lokal dhe angazhimin e qyteteve në iniciativa dhe asociacione rajonale dhe ndërkombëtare. Konferenca e sotme është organizuar si vazhdimësi e aktiviteteve të dala nga konferenca e ambasadorëve e organizuar në dhjetorin e vitit të kaluar.

Më Shumë

Shtyhet seanca ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte në Burim të Malishevës

Seanca gjyqësore ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte në Malishevë, është shtyrë sot me kërkesë të mbrojtjes së tij. Avokati mbrojtës, Arianit Koci,...

Bashkimi sqaron marrëveshjen me Adrio Bailey

KB Bashkimi ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me kontratën e basketbollistit amerikan Adrio Bailey për sezonin 2026/27. Sipas njoftimit të klubit, Bailey ka...

Lajmet e Fundit