Të martën, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Themelore të Prizrenit, në rastin kundër polici kufitar, Avni Ajdini, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Shkak i mos mbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e prokurorit Mehdi Sefa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi deklaroi se prokurori Sefa e ka informuar atë se është në një gjykim tjetër.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hajrip Krasniqi deklaroi se, më 17 dhjetor 2019, kanë paraqitur kërkesë për negocim për marrëveshje lidhur me pranimin e fajësisë, mirëpo deri më tani nuk kanë pasur ftesë nga ana e prokurorisë.
Tutje, avokati Krasniqi theksoi se sot është njoftuar nga prokurori Sefa, se i njëjti ka marrë pëlqimin për lidhje të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, për çka dhe kërkoi nga trupi gjykues që t’u ipet kohë për të arritur marrëveshjen në fjalë.
Në këto rrethana, gjykatësja Ajser Skenderi e caktoi seancën e radhës për 11 shtator 2020, në ora 10:00.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 29 tetor 2019, i pandehuri Avni Ajdini akuzohet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ai akuzohet se më 5 qershor 2019, rreth orës 12:53, në pikën kufitare të Vërmicës, si zyrtar policor, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka lejuar veturën e markës “Opel Zafira”, e cila drejtohej nga Enkeled Cala, së bashku me persona të huaj, punëtorë teknik të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri të hyjë në Republikën e Kosovës, në kundërshtim me procedurat kufitare.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Ajdini u ka mundësuar këtyre personave të hyjnë në Republikën e Kosovës pa dokumentacion adekuat të udhëtimit, pa pasaportë dhe pa vizë, duke mos kryer kontrollin kufitar dhe duke mos bërë verifikimin e tyre sipas ligjeve të Kosovës.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi