Prizreni është njëri ndër qytetet më të vjetra të Evropës Juglindore e më gjerë. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë për ekzistencën e hershme të jetës njerëzore në këto vise. Nënshtruar lëvizjeve të mëdha shoqërore gjatë periudhave të ndryshme kohore kanë mbetur edhe gjurmë të shumta, që dëshmojnë për baticat e zbaticat e zhvillimit ekonomik, social e kulturor. Profesori Sylejman Randobrava shprehet se shënimet historike flasin se lulëzimin më të madh të zhvillimit Prizreni e kishte gjatë shek. XIV dhe XIX, ku njihej si qendër e fortë tregtare. “Prodhimi i saçeve thuhet se ka ardhur që nga periudha e sundimit osmane, atëherë ka ardhur edhe pjekjes me saç, por që atëbotë kanë shërbyer për të pjekur vetëm për pite”, tregon Sylejman Randobrava, njohës i traditës. Ai tregon se ato janë punuar kryesish nga farkëtarët. Rexhep Çukiqi tregon se farkëtarët i kanë punuar saçet, për një kohë, por kohëve të fundit shihet se nuk ndonjë llogari në këtë drejtim.”Është i lehtë për t’u punuar, por përfitimi ishte i pakët”, shprehet ai për “Kosova Sot”.
Punimet unike
Profesori Randobrava shprehet se nëse dikur Prizreni ishte i njohur si “shehër” (qytet) për artizanate, tanimë i ngjan një qyteti që po i humb artizanalet e vjetra. “Ato mrekulli të dikurshme që i krijonte dora e njeriut, tani mund të prodhohen ndoshta në Kinën e largët. Dallimi është se prodhimet e tanishme të thuash gati të gjitha janë njëpërdorimshme, kurse ato të zanatlinjve prizrenas me fanatizëm ende ruhen nëpër muzetë e botës apo në shtëpitë tona. Sa herë që shihen duken unikate. Edhe rasti i punimeve të saçeve që shqiptarët i kanë ruajtur si traditë të ardhur ne kohën osmane i kanë përdorë për të pjekur kryesisht bukë dhe veçanërisht specialitetin e Kosovës, flitë”, tregon profesori Randobrava për “Kosova Sot”.
Fitimet e pakta
Farkëtari Rexhep Çukiqi tregon se ka punuar gjatë në zejen e farkëtarit. “Por, fitimi nga këto ishte i dobët, andaj edhe tani punohen, por kërkesat janë zvogëluar shumë dhe kjo nuk konsiderohet zeje”, shprehet ai. Edhe briskaxhinjtë dikur kanë punuar saçe të mira dhe kualitative që u kanë shërbyer pastaj atyre familjeve që kanë pasur shumë anëtarë e shumë mysafirë. Kurse në qytet tanimë kanë mbetur vetëm edhe dy briskaxhinj, të cilët po e kultivojnë këtë zanat të trashëguar nga pesë a gjashtë brezni. Sipas ustait Nuredin Tamniku, kjo zeje është e trashëguar në familje jo më pak se 150 vjet. Ai shpreson se ka arritur që zejen ta kultivojë edhe tek i biri. “Është zeje që po vdes, por tradita e familjes sonë nuk lejon që ajo të zhduket lehtë”, shprehet ai. Tamiku tregon se nuk mban mend që kur këta zejtarë të kenë punuar ‘saxhe’, siç i quante ai saçet.
Saxhe apo saçe
Sabrije Berisha tregon se për herë të parë kur ishte vajzë në fshatin Brestovc patën dalë për herë të parë “saxhet”, ashtu ajo i quante saçet. “Deri atëherë ne bukët i piqnim në çerep, njëfarë tepsie dheu. Por kur dolën saxhet, ato i ruanin që aty t’i piqnin vetëm pitet. Bile ishin pak saxhe dhe ato i lypnin të tjerëve gjithë fshati për t’i pjekur pitet. Ma përpara pa pasur saxhe, pitet i piqnim me dy çerepë, por kur dolën saxhet na dukej më lehtë”, shprehet Berisha. Asaj i dhimbset që ngadalë po zhduket edhe tradita e punimit të saçeve.”Tash ende ato prodhohen por më shumë për kuriozitet sesa për përdorim praktik”, shprehet ajo. Ajo që është trend i ri në rajonin e Prizrenit, është përdorimi i saçeve nga restorantet e zonës për gatime tradicionale por edhe për pjekjen e mishrave të ndryshme në saçe. Sipas zejtarëve prizrenas, në Prizren prodhohen saçe që dërgohen pastaj edhe në qytetet e tjera të Kosovës e më gjerë.