3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Prizren: Shteti e lë në gropë lokalitetin antik në “Sheshin e Lidhjes”

Strukturat e shekujve III-IV u konsideruan goxha të rëndësishme për historinë e qytetit jugor në kohën kur u gjetën, këtu e para më shumë se pesë vjetësh. Por krejt të parëndësishme dalin të jenë për shtetin. Institucionet e nivelit lokal, rajonal e qendror nuk e kanë idenë se kur mund të ndërhyhet aty, përgjegjësia bartet prej njërës palë te tjetra

Kur doli në pah më 2014, lokaliteti arkeologjik që gjendet në qendër të Prizrenit zgjoi goxha interes. Më pas u konstatua se bëhet fjalë për struktura që u takojnë shekujve III-IV. Gjetjet arkeologjike në “Sheshin e Lidhjes” u konsideruan goxha të rëndësishme për historinë e qytetit jugor. Por krejt të parëndësishme dalin të jenë për shtetin. Institucionet e nivelit lokal, rajonal e qendror nuk e kanë idenë se kur mund të ndërhyhet aty. Në bazë të proceseve të deritashme, Komuna del të jetë hallka që funksionon më së paku.

Të mbuluara deri diku me borë, strukturat që gjenden në gropë janë duke u dëmtuar dita-ditës. Në atë gjendje janë qysh prej vitit 2016.

Instituti Arkeologjik i Kosovës vazhdimisht përmend tri propozimet që i ka dhënë për dukjen e hapësirës. Më 2019, pas dëgjimeve publike i kishin rekomanduar Këshillit të Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit që të miratohej njëri nga propozimet. Kurse nga Komuna kishin kërkuar mbështetje financiare e leje pune. Prej asaj kohe, pavarësisht një takimi ndërinstitucional në pranverën e vjetshme, nuk është bërë asnjë hap për zgjidhje praktike.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se është bërë skicimi se si do të duket kur të përfundojë puna.

“E kemi dorëzuar në Komunë. Ka mbetur çështja e financimit, pasi Komuna ishte duke punuar aty. Komuna nuk i ka marrë përgjegjësitë. Ne i marrim përgjegjësitë tona. Kemi bërë gërmimin dhe kemi punuar koncept-dizajnët”, ka thënë Rexha. Sipas tij, Ministria e Kulturës është në dijeni të punës që Instituti Arkeologjik i Kosovës ka bërë në atë lokalitet.

“Mbetet në kuadër të Komunës që të vendosë se si do të veprohet më tutje. Sikur të ishte në përgjegjësi të IAK-së do të përfundonte puna. Ka mbetur në mëshirë të institucioneve”, ka thënë ai.

Në shkurt të vitit 2020, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit kishte kërkuar nga organet qendrore dhe ato komunale mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes”, me ndërmarrjen e masave adekuate drejt konservimit dhe prezantimit të tij

Gërmimeve në atë lokalitet u ka prirë arkeologu Shafi Gashi. Bile, si për humor disa anëtarë të komunitetit të trashëgimisë, hapësirës i referohen si “Gropa e Shafiut”. Gashi ka thënë se nuk e ka idenë se çfarë është duke u bërë.

“Duhet leje pune. Komuna ka insistuar t’u dërgohet projekti, janë mbajtur dëgjime publike, por nuk ka miratim nga Komuna”, ka thënë ai. Ka konfirmuar se gjetjet ishin ruajtur nga toka, por nuk po ruhen nga institucionet.

“Degradimi nga faktori natyrë është i pandërprerë”, ka thënë ai.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se janë në pritje të Komunës.

“Në takimin që kemi pasur vitin e kaluar kanë kërkuar prapë që t’ua dërgojmë propozimet. Por prej atëherë nuk kemi marrë ndonjë përgjigje”, ka thënë ajo. Ka treguar se këtë çështje ua ka rikujtuar edhe zyrtarëve të Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren para pak ditësh kur kishin një takim për hartat zonale.

Përgjigje për këtë çështje nuk ka pasur drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Beni Kizolli. Ai ka thënë se e ka parasysh këtë çështje, por nuk e di se deri ku ka shkuar puna. Ka rekomanduar që për këtë çështje të kontaktohet Emilia Rexhepi, drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren. E përgjigje nuk ka pasur as Rexhepi. Ajo ka thënë se i duhet të marrë disa informata shtesë.

Samir Hoxha, i cili e udhëheq Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, ka rrëfyer qëndrimet e Ministrisë së Kulturës. Ka treguar edhe për takimin e vitit të kaluar.

“Nuk ka asgjë të re. Ne nuk kemi marrë asnjë shkresë kohëve të fundit”, ka thënë ai.

Sipas raporteve institucionale, bazuar në mbetjet arkitektonike-arkeologjike, supozohet se ato përbëjnë pjesë të objektit romak të viles rustica-e apo urbana-e. Aty shkruhet se mund të supozohet se objekti i përket një kompleksi më të madh, ndërtuar në shekujt III-IV, pjesët e të cilit janë në mbetjet e fragmentuara të zbuluara në oborrin e Xhamisë Arasta

Në shkurt të vitit 2020, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit kishte kërkuar nga organet qendrore dhe ato komunale mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes”, me ndërmarrjen e masave adekuate drejt konservimit dhe prezantimit të tij. Sipas këtij këshilli, mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate. Këtë e kishin bërë përmes një shkrese.

Aty theksohet se në vitin 2018, IAK-u i kishte parashtruar KTK-së kërkesë për pëlqim për konservimin dhe prezantimin e lokalitetit.

“Kërkesa përfshinte 3 propozime të planifikuara të punimeve, pa detaje të hollësishme, prandaj anëtarët e Këshillit konsideruan se këto janë propozime preliminare dhe projekti duhet të kompletohet. KTK-ja prej asaj kohe asnjëherë më nuk ka pranuar ndonjë projekt të kompletuar”, shkruhet në shkresën e nënshkruar nga kryesuesja e KTK-së në Prizren, Artnet Haskuka. Më tej theksohet se zvarritja disavjeçare lidhur me këtë projekt ka bërë që si rezultat i temperaturave të larta në verë dhe të ulëta në dimër mbetjet arkeologjike të shkatërrohen deri në masë të mosnjohjes.

“Efektet negative atmosferike, veçanërisht dielli i fortë, kanë rezultuar me tharje dhe plasaritje të tullave, llaçit gëlqeror dhe higroskopik (horasan) që kanë qenë lidhës të muratimit dhe tanimë janë jofunksionale. Lagështia e mbledhur në pjesën e themeleve ka ndikuar në formimin e mykut dhe kripërave që kanë shpejtuar shkatërrimin e objektit. E gjithë kjo situatë gjatë viteve është shoqëruar me rritjen e pakontrolluar të vegjetacionit, që më tej dekompozon mbetjet e llaçit dhe shtresave të lokalitetit”, shkruhet në shkresë.

Kryetarja e Këshillit, Artnet Haskuka, ka thënë se ende nuk ka lëvizur asgjë për këtë çështje.

“Mbetet në përgjegjësi të Ministrisë dhe Komunës. Ne nuk jemi ata që zbatojmë projekt apo ndërhyjmë aty”, ka thënë ajo.

Në korrespodencat e nëntorit të vitit 2019 midis MKRS-së dhe Komunës, figuron edhe sugjerimi që mbulimi i gjetjeve arkeologjike të bëhet sipas propozimit të IAK-së, dhe veprimet të bëhen nën mbikëqyrjen e IAK-së dhe të QRTK-së, derisa për propozimin e Komunës për trajtimin e zonës, MKRS-ja ka rekomanduar emërimin e një grupi punues për hartimin e projektit.

E sipas raportit të udhëheqësit të projektit, Shafi Gashi, po ashtu i hartuar në nëntor të vitit 2019, janë mbajtur katër debate publike për këtë çështje.

“Në debatet publike është deklaruar nga strukturat komunale se ata do ta mbështesin financiarisht koston e strukturës ekspozuese, ndërsa IAK- MKRS do ta financojë konservimin e mbetjeve arkitekturore. Më pas është bërë kërkesa për leje pune – ndërtimi i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prizrenit më datë 10.09.2018, por deri më tani IAK- MKRS nuk ka marrë përgjigje”, shkruhet në raport.

Sipas raporteve institucionale, bazuar në mbetjet arkitektonike-arkeologjike, supozohet se ato përbëjnë pjesë të objektit romak të viles rustica-e apo urbana-e. Aty shkruhet se mund të supozohet se objekti i përket një kompleksi më të madh, ndërtuar në shekujt III-IV, pjesët e të cilit janë në mbetjet e fragmentuara të zbuluara në oborrin e Xhamisë Arasta.

“Në hapësirat e hotelit ‘Theranda’ kanë qenë të zbuluara mbetjet e objektit më të madh sakral, i cili fatkeqësisht arkeologjikisht nuk është ekzaminuar, por është shkatërruar gjatë kohës së gërmimeve të themeleve të hotelit, pra është e mundur që lokaliteti arkeologjik të ketë përfundimin e tij historik në periudhën e hershme Bizantine-Paleokrishtere”, shkruhet në shkresën e KTK-së.

https://www.koha.net/kulture/254873/shteti-e-le-ne-grope-lokalitetin-antik-ne-sheshin-e-lidhjes/

Më Shumë

Moti sot: Me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell

Moti sot parashihet të jetë me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell. Pritet që lokalisht të ketë ndonjë reshje të izoluar shiu,...

Tri përballje interesante në Albi Mall Superliga – vëmendja në Suharekë

Sot do të zhvillohen tri ndeshje në Albi Mall Superligën e Kosovës. Vëmendja do të jetë në Suharekë, pasi Ballkani është nikoqir i Dritës për...

Lajmet e Fundit